| E enjte, 12.03.2015, 08:04 PM |
SYTË KALTËROSHË SHKREPIN
Trevargsh
Nga QAZIM SHEHU
Kur sytë kaltëroshë shkrepin
Me dritën që huton,
Me mua edhe sendet treten…
+++
Vegimet hapen mnershëm
Si ujë i madh kur bie tërmet,
Goditja në skaj tjetër godet.
+++
Me dallgët e ikjes nuk more
Me vete një vit,
Në tinëzi vërtitje një shpresë rrit.
+++
Ulet në shesh të mesditës flutura
E agimit të lodhur,
Nuk pret mbrëmjen.
++
Mistere legjendash zbërthej,
Në hutim të tyre këndellem
Pa fjalë përmes u sillem.
+++
Poetët e shquar të kombit
Në përkryerje të vargut historik
S`thonë pse kombi na vërtit.
+++
Jam skllav i zgjedhur i vetes
Pa më kërkuar fat i madh;
Që u shit diku kur s`e pashë…
+++
Këmbët magjijimin e dritës
E joshin deri tek pragu i errësirës,
Filiza të dëshirës.
++
Unaza harroi
Pulsin që rrahu për të,
Rreth i shuar zjarri tjetri e vë.
+++
Një portë përplaset
Sa i afrohem çastit,
Do mbyllet a do hapet?
+++
Guacka peshku këto kodra të buta,
Stuhia loz me to si fëmijë,
Ato të patutura.
++
E hirshmja pemë nuk shkund
Vetëm lulet e gjakut të tokës
Vijëzuar bokës.
++
Nga një fllad hyjnish të dorëzuara,
Gjethet shushërijnë
+++
Rrit kurorën bredhi mbi shkëmb
Rrënjët në plasa pllakash,
Si gishtërinj të përmallshme plakash.
+++
Sa herë në altar të lirisë
Përvujtësisht janë falur,
Pastaj me të janë tallur.
+++
Krihet mjekër e muzgut
Nga tinguj të butë,
Ledhatimesh.
+++
Mjellma e liqenit sa vjet
Puth ujërat me dashuri,
Puthjen ndez për hajni…
+++
Tendoset hark i fjalës
Shigjetë e mendimit s`vjen,
Shenjën dikush e kursen.
++
Drapri i hënës korr e korr,
Yjet në lëndinën e qiellit
Ç`grurë pa miell…
++
Prita lulen e bajames
Në dritaren e mbyllur,
Rreze në zemrën e ndrydhur.
++
Hijeshi e malit kundron
Me shekuj këtë fushë të urtë,
Më shpon zemrën fqiu i gurtë..
+++
Baba i baballarëve të kombit
Gjegj Fishta, hyjnori atdhetar,
Në diktaturë edhe unë u tregova tradhtar…
+++
Buzët mbjellin fjalë në hapësirë
Nuk i mbajnë për vete,
I njomin ato netëve…
+++
Spazma idilike e harresës
Na sjell shiun e kujtimit,
Që derdhet jashtë idilit…