| E enjte, 05.03.2015, 08:30 PM |
‘Vëlla, tek ne dëgjohet njëjta
dajre...’
Apologji për vete dhe për të tjerët (pjesa e tetë)
Nga Kristaq Turtulli
‘Vëlla, te ne dëgjohet e njëjta dajre...’ më vijnë lajme prej mëmëdheut. Lajmet janë të revoltuara, të trishtuara si shpendë shtegtarë, të lënduar prej indiferencës dhe mërisë së shurdhër. Kapërcejnë mijëra kilometra, oqeane ku ka tajfune e shtrëngata. Por lart në qiell ku fluturojnë shpendët lajme, është mjaft ftohtë, ka vetëtima dhe bir shi i ngrirë. Krahët e shpendëve përplasen me vështirësi, ato u lodhen, u drobitën, po u bien pendët një nga një, si shami të qullura prej lotëve dhe të ronitura prej furtunës, merakut, dhembjes dhe pështjellimit.
Ç’të them vëlla: Ne nuk jemi aktorë të mirëfilltë në lojën e hapur e plot bereqet të demokracisë, e cila është akoma foshnjë, shëndetligë në pelena. Por për njëzet e katër vjet ne kemi qenë koçanë misri në grykën e shishes së ngushtë të diktaturës. Prandaj s’ thuhej kot: ‘Leskovik dhe tatëpjetë siç ka qenë do të jetë.’
Si më parë dhe tani, banda dje dhe banda sot. Vrasje me pagesë dhe pa pagesë, si të jetë dhe si të kërkohet nga të mëdhenjtë. Krisma për një fjalë, për një vijë uji dhe për një fletë presh. Në përvjetorë të ndryshëm vazhdojnë të shihen kartonë. Më parë xheku shihje si nëpër të, ndonjë karton të fshehur, të irnosur, të trembur që dukej e zhdukej, por që brenda, prapa atij kartoni, ose nën të, fshiheshin fytyra të mbushura, të murrëtyera me urrejtje të gërmuqur. Kur mbaronin mitingjet, nostalgjikët me kasketa, e mbulonin kartonin nën kapotë të mos kishte ftohtë dhe përloteshin në muzg. Por ata janë për gjynah, o vëlla. Ata pleq në mykët, pensionistë të gërmuqur, të mjerë, pa një kryq leku ne xhep. Por si i bëhet halli atyre që i shtyjnë këta të mjerë dhe kartonët me ashikun e tyre janë shtuar dhe janë të madhësive të ndryshme. Ato nuk janë më të gërmuqura, me shijen e hidhur të pendesës, për çka ndodhi popullin e shumëvuajtur, me veten dhe me të tjerët. Shfaqja e kartonëve është bërë më e përballëshme. Mbajtësit e tyre të bëjnë karshillëk të hapur, zgërdhihen pa turp për atë që ndodhi, për 45 vjet me radhë dhe për atë genocit të pashembullt, mbi mijëra familje fisnike dhe një populli të mjerë, të vrarë, të persekutuar, të shpronësuar, të hequr zvarrë, të dergjur në radha të pafundme, për një copë bukë, bunkerëve e transheve të përbaltura dhe gjithë lagështirë.’
Pra siç të thashë o vëlla: Ne nuk jemi aktorë të mirëfilltë në lojën e hapur e plot bereqet të demokracisë, e cila është akoma foshnjë, shëndetligë në pelena. Por për njëzet e katër vjet ne kemi qenë e jemi koçanë misri në grykën e shishes së ngushtë të diktaturës. Prandaj s’ thuhej kot: ‘Leskovik dhe tatëpjetë siç ka qenë do të jetë.’
Ja nuk u mor vesh si ikën, ashtu, hiq e mos e këput, si nëpër këmbë, 24 e kusur vite që kur u përmbys flama, diktatura më e egër e Evropës lindore dhe kur ai që tani krekoset pa sy e faqe në karton, e shndërroi vendin burg, rrethuar tela me gjemba, u tërhoq zvarrë nëpër rrugët e qyteteve, për të mos u kujtuar më. Të niste një frymë e re, një epokë e re.
Eh, ç’të bësh, kështu qenkan këto punë, mund të thonë, ata që duan të thonë. Por këto vitet e fundit, koka e atij vulë humburit, Enverit, në kartonë, po shfaqet me kryeneçësi, gjithë këmbëngulje në sheshe dhe dëgjohet, nuk mërmëritet më, kënga acaruese, flamosëse, mynxyrose: ‘mirë se erdhe!’ Me thënë të drejtën dhe tashmë është e njohur, përgjatë jetës së tij, as dhe më vonë, kartoni asnjëherë nuk erdhi vetë. Atë e përgatitën dhe e sollën të tjerët, e dërguan me porosi, në atë kohë të trazuar... Ata, dërguesit, që dhe sot goditën me shkopinj futbollistë tanë të mrekullueshëm, të cilët mbrojtën flamurin kombëtar dhe Shqipërinë etnike, me Ismail Qemalin dhe Isa Buletinin. Ata që grabitën me dhunë trojet më të mira shqiptare. Ata që bënë një genocit të tmerrshëm kundër vëllezërve dhe motrave kosovare. Ata, si gjithnjë janë në përgjim, mprehin tehet e shigjetave, tendosen harqet dhe dërgojnë me duart e përgjakura shigjetat e errëta, helmuese, vdekjeprurëse, siç ndodhi edhe në nëntëdhjeteshtatën. Ata me duar të njollosura, që asnjëherë nuk janë fshirë. Ata, duan të errësojnë, të nxijnë qiellin e kaltër, paqësor, të mëmëdheut plot dritë dhe jetë.
Pastaj lajmet shtojnë: ‘Këto ngjarje të përsëritura, shkallë- shkallë me kartonë, nuk janë vetëm si reklamë për të mbushur me gjepura trurin e mykur. Ndërkohë veprimet, dhuna nuk është e njëjtë si dikur, me hekura, pranga dhe kërbaçë. Ato tashmë janë bërë më stërholluara, kartoni me ashikun brenda është karton, paçka se duket i krekosur. Ai po kalbet diku, as shikon as dëgjon. Por brezin e përgjakur dhe helmin e ka lënë mbi dhe, në mbarë vendin, të kujton të tmerrshmen dhe të lëndon plagën, zemrën e plagosur.
Pasardhësit e tij të cilët janë të dukshëm dhe të fshehur i kanë vënë dhe i vënë popullit pranga më të moderuara, të tendosura najloni, por ato janë më të këqija, më torturuese se prangat e çelikta. Ndërsa kartonët si korba kobndjellëse shfaqen, duken dhe zhduken, në një mënyrë ose në tjetër si ta dojë nevoja. Por ujku qimen ndërron, zakonin nuk e harron. Ne me besim të tepruar, nuk donim ta besonim, por ishin të pritshme, përderisa, si i thonë fjalës, le të bjerë e njëjta dajre, me atë na janë mësuar veshët.
24 vjet
‘demokraci’ janë shtyrë me këmbë e duar dhe akoma...Dëgjohet një zë i shuar që
pyet: ‘More vëllezër, më tregoni, sepse akoma nuk e kam të qartë, u dënua
diktatura dhe diktatori, për krimet që u kryhen mbi popullin tonë të shumë
vuajtur? U bë një gjyq i ngjashëm me gjyqi i Nurembergut në Shqipëri, që të
vihej pika mbi ‘I’? ‘
Më thanë
me dhembje dhe trishtim qytetar: ‘E more vesh, po shkatërrohet deri në themelet
spitali, që ndërtoi Thoma Turtulli me arkitekturën e bukur dhe mjetet më
moderne të kohës, për ti kuruar e shëruar bashkëqytetarët e tij. Ky spital
qëndronte me dinjitet krah të Liceut e bibliotekës së qytetit. Të tre godina
madhështore, tre pika kyçe që i nevojiteshin një qyteti me frymëmarrje
perëndimore si Korça, dhurata nga më të rëndësishmet që i bëri vëndlindjes
Thoma Turtulli në vitet tridhjetë, të shekullit të kaluar. Dihet botërisht që
ai mbetet filantropi më i madh, në shkallë Ballkani. Thomai donte me gjithë
shpirt që Korça, qyteti tij i zemrës, të ecte krahas qyteteve dhe vendeve të
tjera të përparuara të kohës. Jo më kot të huajt e shumtë që vinin dhe
vizitonin qytetin e Korçës, filluan ti thoshin
Po a e dinë sot këta biznesmenët dhe politikanët e sotëm, sa mund dhe sakrifica ju desh Thoma Turtullit dhe familjes së tij, deri në flijime jetë, të zhvillonte tregtinë e ndershme, të grumbulloheshin ato të holla për ti a dhuruar me bujari qytetit të tij të zemrës, Korçës. Që më vonë në kohën e komunizmit, fisi Turtulli u përbuz, u shpronësua, u përndoq fizikisht, moralisht, bile dhe vetë korçarët nuk u kujtuan për ta, përkundrazi ata e inkurajuan persekutimin. Sigurisht nuk kanë si ta dinë këta biznesmenët e sotëm, sepse e gjetën sofrën të shtruar, lanë pushtetin politik dhe rrëmbyen atë ekonomik. Ata shitën me ngut qysh në vitet e para të ndryshimeve sociale, pa e vrarë mendjen, të gjitha fabrikat, kombinatet, uzinat, makineritë moderne, në shtetet fqinjë, për hekurishte, gjoja do ta fillonim nga zeroja. Por dhe ky është një krim më vete, i lënë në harresë. Atyre nuk u vrau aspak ndërgjegjja se aty, në ato uzina, fabrika e kombinate punuan, u robtuan, mbajtën frymën gjallë me ndershmëri dhe përkushtim të admirueshëm breza të tëra. Aty në ato, vepra të ndërtuara në vite dhe dekada ishin të gjitha sakrificat, mundi, djersa e një populli të tërë, që u rropat dhe e shtyu jetën me skamje, me triska dhe tallona.
Këta, baballarët e rinj dhe të vjetër njëherësh, e lanë popullin i gjorë si zakonisht me gisht në gojë, sepse fatkeqësish edhe po ta mbledhësh, prej zeros zero del. Tregtarët dhe pelinvanët e sotëm, të majmur nuk provuan vështirësitë e tregut të kohës, ku jetoi dhe punoi Thoma Turtulli me shokë, kur mallin e sillnin me mushka mes dëborës, furtunës, pritave të hajdutëve dhe të luftës për një kacidhe. Prandaj të sotmit e hekurosur nuk kanë ndjenjë, dhembshuri dhe përgjegjësi qytetarie. Këta të rrumbullakosur prej nginjesh dhe luksit të shfrenuar, të shohin me përçmim nga lart poshtë.
Ju lutem, më jepni një shembull të vetëm nga mijëra e mijëra biznesmenë që ka sot Shqipëria të ketë ndërtuar me të hollat e veta dhe dhuruar me bujari e mirësi një copës fare të vogël për qytetin apo fshatin e tyre dhe për mëmëdheun e dashur, cili është akoma në vështirësi ekonomike?! Të ngopurit e sotëm, për të uriturin dhe të vuajturin nuk mendojnë kurrë.
Kjo po ndodh sot e gjithë ditën, sepse nuk qysh në fillimet e para të ndryshimeve sociale, trumbetimet pompoze për njohjen e pronës, ishin qiqra në hell dhe nuk vajti haka tek i zoti. Prona e ligjshme, e patjetërsueshme, toka, u copëtua, u sakatua dhe nuk u mor se ku shkoi. Por dhe pronat e dhuruara me bujari të pashoqe, prej filantropëve të mëdhenj, si i pakrahasueshmi Thoma Turtulli për fat të keq po shkatërrohen. Atij që i është prishur edhe varri, i mungon edhe një monument për bamirësinë e pavdekshme. Në gurin e parë të themelit të spitalit të Korçës, siç më ka treguar babai, vetë Thoma Turtulli vendosi një shishe me dokumentet e dhurimit dhe miratimin e autoriteteve shtetërore për këtë akt bamirësie. Do të ishte një zbulim i dhimbshëm kjo dëshmi, me shkatërrimin e spitalit të vjetër të Korçës. Të gjitha vlerat dhe bamirësitë kush kërkon ti përvetësojë? Sigurisht, të rinjtë, të pasuruarit, bashkë me politikanët. Ata, i kanë bërë planet dhe hesapet qysh më parë. Siç po ndodh dhe sot e gjithë ditën me pronat e pakthyera në kodrat e qytetit të shumë qytetarëve të vjetër e të nderuar korçarë. Bashkia me të tjerët i vërtitin qytetarët e vet si tu dojë qejfi... Të gjorët pronarë të vjetër. Por zengjinët e rinj asnjëherë nuk mendojnë për të drejtat e ligjshme të tjerëve dhe për qytetin e tyre. Kurrë s’mendojnë ata, ashtu siç menduan dhe sakrifikuan jetën dhe gjithçka të tyre fisnikët e vjetër, të shumëvuajtur Korçarë si; Jovan Banka, Anastas Lakçe, Mandi Tërpo, Sheko, Merdani etj, me në krye të pakrahasueshmin Thoma Turtulli...