Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adem Zejnullahu: Monografi me kritere shkencore

| E diele, 01.03.2015, 12:10 PM |


Monografi me kritere shkencore

Hilmi Saraçi: ”Mulla Asllan Murati personalitet kombëtar dhe fetar” –botoi Shtëpia botuese “Trend”, Prishtinë 2015

Nga Prof. dr. Adem Zejnullahu

Hilmi Saraçi në letrat shqipe në gazetari, historiografi, publicistikë, shkencë e prozë letrare  është dëshmuar me shkrime të shumta. Vepra monografike “Mulla Asllan Murati personalitet i shquar kombëtar dhe fetar” është vepra e 13 e Hilmi Saraçit  të cilën e shkroi me kujdes dhe përkushtim të veçantë .

Shkrimi i monografive për personalitete të shquara në fushën publicistiko- shkencore në beletristikën tonë nuk ka ndonjë traditë të gjatë për arsye të shumta, por në radhë të parë, për shkak se është menduar dhe mendohet - se monografi nuk duhet shkruar personaliteteve të gjalla, që ende jetojnë dhe veprojnë, por koha dëshmoi të kundërtën. Monografi duhet kushtuar dhe botuar edhe të gjallëve, madje është edhe shumë më mirë – ngase këto personalitete për të gjallë të tyre kanë mundësi t’i shohin dhe t’i përjetojnë rezultatet e punës së tyre, se si e sa i vlerësojnë të tjerët. Në këtë mënyrë këto personalitete  nxiten e frymëzohen që të vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe më me ngulmë, e me më vullnet, por edhe t’i plotësojnë zbrazëtitë eventuale, në mënyrë që të bëhen edhe më të mirë, shembull për gjeneratat e reja në fushat përkatëse.

Rëndom, monografi shkruhen për njerëz të shquar, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për kombin, atdheun, arsimin, kulturën, shkencën, fenë apo për ndonjë fushë tjetër të artit. Mulla Asllani shquhet për një veprimtari të suksesshme atdhetare e fetare, por ndihmesën e tij e shtriu edhe në shumë sfera të tjera të rëndësishme.

Monografia Mulla Asllan Murati, personalitet i shquar kombëtar dhe fetar e shkruar nga Hilmi Saraçi, ngërthen në vete veprimtarinë shoqërore, atdhetare dhe fetare të këtij ulemaje, që jep kontribut të ndjeshëm në shumë fusha të ndryshme në mesin ku jeton dhe vepron, por edhe më gjerë. Ai, u dallua në radhë të parë me angazhim, arsimor, kulturor, pastaj në kryerjen e detyrave me përgjegjësi fetare, në institucionet e larta të Kosovës dhe më gjerë, në ndërtimin e xhamisë “Isa Beg” në Mitrovicë, në përkthimin e disa veprave fetare, si dhe në aktivitetet e tjera me rëndësi shoqërore e politike për popullin tonë.

Mulla Asllani qysh herët ishte përcaktuar të bëhet teolog, duke iu përkushtuar denjësisht misionit të fesë,  por asnjëherë nuk e la anash angazhimin e tij shoqëror e kombëtar dhe përkushtimin e madh në atë drejtim, duke  pasur gjithmonë moto jete binomin FÉ- ATDHÉ. Pohojmë lirshëm se ky ulema edhe në kohët më të vështira të okupimit të egër serb, s’e ndali veprimtarinë e tij kombëtare e fetare, ndonëse ishte vazhdimisht në arbitrin vëzhgues të forcave kriminale serbe, që mesi pritnin për ta zënë e ndëshkuar, bile ai veproi me një intensitet edhe më të shtuar.

Të shumta janë aktivitetet e Mulla Asllanit në shumë fusha të jetës dhe të veprimtarisë shoqërore, të cilat  falë punës së tij të palodhshme i kreu me sukses, qoftë ato të sferës individuale, shoqërore, kombëtare dhe fetare.

Në vitin 1978 kur Kosova dhe populli shqiptar në një mënyrë frymonte pakëz më lirshëm në shtjellën e quajtur Jugosllavi, falë Kushtetutës së Kosovës së vitit 1974, që u arrit pas shumë sakrificave të popullit tonë, duke kërkuar liri e pavarësi. Në këtë vit,  në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, në saje të disa udhëheqësve shqiptarë, u shtrua nevoja për shënimin e 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që kishte një rëndësi të madhe për ndriçimin dhe vlerësimin e ngjarjes madhore në historinë e kombit tonë. Atëbotë, u mor qëndrim që eshtrat e Isa Boletinit, heroit tonë kombëtar, me luftëtarët e tij të vrarë në Podgoricë, më 1916, të zhvarrosen dhe të bartën në vendlindjen e tij në Boletin, duke i ngritur edhe një monument përkujtimor në shenjë nderimi për luftërat që bëri kundër armiqve shekullor.

Kthimi i eshtrave të Isës dhe ngritja e lapidarit të tij në vendlindje, me gjithë angazhimin e disa politikanëve shqiptarë, në krye me akademik Pajazit Nushin, i hidhëroi qarqet politike serbe, të cilat ndikuan që ky vendim të mos realizohet. Bartja e eshtrave, ngritja e lapidarit dhe rindërtimi i kullës së këtij heroi atëherë ra sërish në heshtje të thellë dhe nuk u sendërtua.

Zhvillimi i ngjarjeve në harkun kohor 1978-1999, në trojet shqiptare, u ashpërsuan shumë, sidomos në Kosovë. Pas vitit 1981, filluan demonstratat  e popullit tonë në mbarë hapësirën shqiptare dhe në diasporë duke kërkuar liri dhe pavarësi. Në këtë periudhë të gjatë kohore çdo vend, rrugë,  shesh, prag shtëpie ka biografinë e vet të dhembshme e krenare. Populli, rinia u  përlesh me policinë serbe. Shumë të rinj e të reja u rrahën, u burgosen dhe u vranë nëpër vende të ndryshme. Reprezaljet ndaj shqiptarëve u shtuan me të madhe, madje u legalizua dhe gjenocidi shtetëror, që kishte për qëllim shkatërrimin e qenies sonë kombëtare në shumë forma. Kështu, vazhduan përpjekjet, revoltat, sakrificat dhe lufta individuale e grupore kundër kësaj zezone që e katandisi popullin tonë.

Kaluan shumë vite e decenie deri në vitin 1998, kur nga disa atdhedashës shqiptarë u aktualizua sërish çështja e bartjes së eshtrave të këtij heroi kombëtar. Mulla Asllani u angazhua në mënyrë të veçantë për bartjen dhe ndriçimin e eshtrave të Isa Boletinit me luftëtarët e tij për në vendlindje. Ai, me ndihmën e akademik Pajazit Nushit, prof. Latif Berishës,  prof. Masar Rizvanollit, prof. Muhamet Shukriut e të tjerëve, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, pas shumë peripecive arriti që këta eshtra, nga Pobërgja e Podgoricës,  t’i sjellë në Kosovë, në Mitrovicë, pikërisht në fshatin Zhabar, të cilët ky hoxhë i fshehu dhe ruajti me guxim të pashoq, me besnikëri të madhe deri në kohën e tashme.

Ky teolog i njohur në rrafshin kombëtar zhvilloi gjatë viteve të ’90 e deri në Luftën e fundit të vitit 1999, edhe një serë aktivitetesh të tjera me dobi për kombin e atdheun. Ai pa ndalur gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare para besimtarëve islamë – i bënte thirrje popullit që të mos e lëshojnë Kosovën, sepse atë e synon armiku shekullor, bile braktisjes së Kosovës ia kushtoi edhe një poezi.

Mulla Asllani së bashku me disa intelektualë të Mitrovicës, si: prof. Latif Berisha, prof. Ahmet Maloku, prof. Fazli Hajrizi, dr. Adem Ademi etj., zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm edhe në pajtimin e gjaqeve, ku në saje të tyre u pajtuan shumë gjaqe e ngatërresa të ndryshme të familjeve të armiqësuara. Në këto familje  të pajtuara filluan sërish të tymojnë oxhaqet, të përkunden djepat, të përtërihen vatrat, të jehojë  kënga e lahuta.

Meritë tjetër e veçantë e Mulla Asllanit në rrafshin kombëtar është angazhimi para dhe gjatë luftës për ta ndihmuar popullin, e sidomos Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shumë aspekte, veçanërisht në atë financiar.

Botimi i monografisë: Mulla Asllan Murati personalitet i shquar kombëtar dhe fetar nga Hilmi Saraçi, ka rëndësi të veçantë për njohjen e një periudhe të rëndësishme nëpër të cilën kaloi Mitrovica me rrethinë, por dhe mbarë populli ynë, ndriçimi i secilës ka rëndësi të shumëfishtë për brezat që vijnë, duke pasur parasysh që qyteti i minatorëve lëngon ende me ndarje. Në këtë qytet, Ura e Ibrit nuk bashkon, por ndan, nuk ofron dashuri, por mallëngjim, lot rënkim, nuk ofron miqësi, por urrejtje e nganjëherë edhe fatkeqësi.  Mulla Asllani me veprimtarinë e tij fetare dhe atdhetare  bashkëpunoi me të gjithë ata intelektualë e ulema të Mitrovicës dhe të rrethinës, por edhe më gjerë, të cilët çështjen e atdheut e kishin parësore, duke ruajtur e avancuar traditën kombëtare, kultivimin e besës, si institucion i lartë kombëtar, virtytet e larta njerëzore, guximin e mençurinë e moralin, respektin dhe tolerancën ndërmjet etniteteve me besime të ndryshme.

Në fund do thënë se botimi i Monografisë: Mulla Asllan Murati personalitet i shquar kombëtare dhe fetar e shkruar nga Hilmi Saraçi, në fushën e publikimeve tona publicistiko-shkencore ka rëndësi të veçantë. Vepra përmban lëndë të larmishme, me vlera të theksuara atdhedashurie, si dhe informacion të shumanshëm për të kaluarën dhe të tashmen tonë. Në te lexuesi do të mësojë për shumë ngjarje e personazhe të ndryshme, që fatin e tyre jetësor, në kohët më të vështira e lidhen ngushtë me Mitrovicën dhe popullin e saj.