| E diele, 01.03.2015, 01:36 PM |
Një libër i
vyer për arsimin.
Nga Kujtim Mateli
Libri studimor “Arsimi në Përmet”
1912-1944, është një
nga librat më të spikatur që trajton arsimin në rrethin e Përmetit, autor i të
cilit është Dr. Nuri Dragoj, i shquar dhe i vlerësuar për kontributin e tij si
historian për hapësirën kohore të dy shekujve të fundit, kohë kur Shqipëria
hyri në rrjedhat europiane pas një errësire shekullore të pushtimit otoman.
Një nga elementët e rëndësishëm që shpuri në ndarjen përfundimtare të
Shqipërisë nga perandoria otomane, ishte përpjekja e njerëzve të shquar të
kombit tonë, që nëpërmjet shkollave shqipe zgjuan ndërgjegjen kombëtare të
shqiptarëve. Sado të pakta të ishin ato shkolla, ato ishin si një dritë në
errësirën e detit mesjetar, ishin piketat të cilat tregonin rrugën se nga duhej të kalonte
Shqipëria për të mbrritur në kulturën dhe qytetërimin europian, pjesë e së
cilës kishte qenë dhe do të ishte edhe vendi ynë, në shekujt që vinin.
Pikërisht, këtë periudhë zgjimi dhe konsolidimi të ndërgjegjies sonë kombëtare,
ka pasqyruar dhe autori i këtij studimi në kapitullin me të cilin çelet ky
libër .
Interesi i z. Dragoj për të gjetur dëshmi dhe dokumenta sa më të hershme,
përbën një nga vlerat e këtij studimi dhe tregon për seriozitetin e tij për të
gjurmuar deri në detaje. Kështu na vjen dëshmia e Elvia Çelebiut se në vitin
1671, në Përmet numëroheshin dy shkolla islamike, të cilat zhvillonin mësim me
përmbajtje fetare. Puna e kujdesshme për t`na dhënë dëshmi, që nuk ishin njohur
më parë, e bën këtë libër me interes për lexuesit, mësuesit dhe nxënësit, për
institucionet tona arsimore e ato shkencore.
Frashëri u bë një vatër e rëndësishme e arsimimit të fëmijëve ku
numëroheshin disa shkolla, për vajza e për djem, madje dhe komuniteti vllah
kishte shkollën e tij. Po krahas këtyre shkollave, disa mendje të ndritura, siç
qenë bektashinjtë e Teqesë së Frashërit: Nasibi Babai e Tahir Skënderasi, Jusuf
Skënderasi dhe Baba Alush Kasollari, duke përfunduar me Baba Abedin Ibro rreth
vitit 1913, e bënë institucionin e tyre, Teqenë e Frashërit, vatrën e shqiptarizmës. Janë këta Baballarë
që u dhanë mësim bijve të Frashërit, ku më pas dolën figurat më të shquara të
kombit që njihen me emrin përmbledhës, vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe
Samiu.
Një tjetër vatër e rëndësishme e arsimit ka qenë qyteti i Përmetit.
Aty kanë investuar pasurinë e tyre disa figura përmetare që fëmijët të
shkolloheshin dhe mund të përmendet financuesi i parë Zoto Pano Duro qysh në
vitet 1770. Në qytetin e Përmetit ka patur vazhdimisht disa shkolla, ku mësimi
jepej në gjuhën zyrtare të perandorisë dhe në atë greke. Libri i z. Nuri Dragoj
jep një tablo të plotë të arsimit në rrethin e Përmetit në vitet para dhe pas
Shpalljes së Pavarësië. Trashëguam nga periusha para Shpalljes së Pavarësisë
shkolla greke dhe turke, qëllimi i të cilave nuk ishte që të përparonte
Shqipëria në arsim dhe kulturë, por që secila të realizonte synimet e veta.
Turqia kërkonte që t`i mbante shqiptarët në errësirë që ta kishte sa më të
gjatë sundimin e saj, Greqia nëpërmjet shkollave greke kërkonte të verbonte
shqiptarët me teorinë e saj të helenizimit të Shqipërisë së jugut.
Konkluzioni se këto shkolla ndikuan negativisht tek shqiptarët mund të duket si
i paarsyetuar mirë, madje dhe i pabaza, parë në vështrimin e kohës së sotme ku
gjuha e huaj është vlerë për individin që e zotëron. Një hap drejt dijes ku të
çon shkolla, e çfarëdoshme që të jetë ajo, është një hap drejt qytetërimit. Një
njeri që dinte të shkruante, qoftë dhe në një gjuhë të huaj, ishte një hap para
atij që nuk njihte asnjë lloj alfabeti.
E gjithë përmbajtja e shkollave greke ishte që të të bindëte se nuk je turk,
por si i krishterë je grek. Pra identiteti i shqiptarit ishte, sipas mësimit në
këto shkolla, midis grekut dhe turkut. Për shqiptarët, çështja kombëtare
ishte shumë herë më e rëndësishme, nga ajo që përfitonin fëmijët e tyre në këto
shkolla. Ndërgjegjia kombëtare fitohej me shkolla shqipe dhe me njohjen e
historisë së kombit shqiptar. Ndaj
perandoria otomane u trembej shkollave shqipe dhe e ndalonte me ligj hapjen e
tyre. Greqia nëpërmjet Patriarkanës mallkonte gjuhën shqipe dhe vriste e helmonte
cilindo që kërkonte të ndriçonte mendjen e shqiptarëve. Historia e arsimit
shqip është e mbushur plot, me ngjarje të tilla makabre, si ajo e vrasjes së
Papa Kristo Negovanit apo helmimi i Petro Nini Luarasit. Përballë presionit që
ushtronin të dy pushtuesit nëpërmjet këtyre shkollave, Përmeti ka nxjerrë atdhetarë të shquar që u vunë në shërbim të
kombit dhe iu kundërvunë si perandorisë otomane ashtu dhe propogandës greke.
Përmeti iu kundërvu këtyre shovinistëve duke nxjerrë disa figura emblematike që
sakrifikuan dhe jetën e tyre, siç është figura hyjnore e At Stath
Melanit.
Për të dhënë një ide më të qartë se si shkollat greke e turke ndikonin
negativisht në formimin e ndërgjegjies kombëtare të shqiptarëve, po e ilustroj
me një letër që Naum Veqilharxhi ia kishte dërguar nipit të tij më 7 Prill të
vitit 1846.
“Ti, siç thua, paske lëçitur shumë vepra historike dhe nuk gjete asnjë dëshmi
mbi shqiptarët.
Më e keqja këshillë është ajo që e shtyn njeriun të harrojë kombin e vet,
d.m.th. prindërit, fisin, miqtë, bashkëkombasit e tij, vatrën prindërore,
varret e stërgjyshërve të tij dhe të vejë t`i kërkojë të gjitha këto gjetiu, ku
mjerisht s`mund t`i gjejë kurrë”. Gazeta “Drita” 29 dhjetor 1938.
Kjo letër e Naum Veqilharxhit është dëshmi e qartë se çfarë tip njeriu
kishin formuar këto shkolla. Të gjitha ata indvidë që u shkolluan në ato
shkolla që u shërbenin grekëve dhe turqve, nuk patën shumë ndryshim nga nipi i
Naum Veqilharxhit. Dija e fituar në ato
shkolla, u shërbeu më shumë gjithë atyre individëve që jetën e kaluan jashtë
Atdheut, në emigrim, nga ku e nxorën jashtë qënies së tyre helmin që u kishin
dhënë këto shkolla, të ndihmuar nga realiteti i ri perëndimor ku ata shkuan për
të studiuar apo për të punuar. Ata i zgjeruan dijet e tyre dhe i shërbyen me
devotshmëri çështjes shqiptare, duke krijuar një plejadë të shquar dijetarësh.
Dëshnica nuk mundi dot t`i arsimonte fëmijët e saj. Këtë rol nuk mundi dot
ta luante as Këlcyra si qendra e krahinës së Dëshnicës, as Suka me qendrën e
saj fetare. Kjo e keqe pati anën tjetër të mirë. Dëshnica nuk u verbua as
nga propoganda turke, as nga ajo helene. Beteja e Këlcyrës kundër garnizonit
turk ku morën pjesë çetat e Mehmet Pavarit, Riza Xhungës, Zaim Bubësit,
Nexhip Bënjës e të tjera çeta dëshnicare, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit
1911, tregon se Dëshnica e kishte të qartë vizionin e saj: Luftë me armë kundër
pushtuesit. Ja se si shkruante njëra prej gazetave më të rëndësishme
të asaj periudhe, "Liri e Shqipërisë", 21 gusht 1911. “ Në mes të Përmetit dhe Këlcyrës u bë një
luftë midis ushtarëve dhe kryengritësve. Nga ushtarët u vranë 16 veta dhe nga
kryengritësit asnjë. Këto lajme vërtetohen dhe me telegramin zyrtar të
qeverisë”. Nëqoftëse çdo krahinë e Shqipërisë, do të ishte ngritur me armë
ashtu si Dëshnica, nuk do të kishim sot një Shqipëri të copëtuar, por do t`i
kishim bashkë trojet e katër vilajeteve shqiptare.
Shtetit të ri shqiptar që doli pas Shpalljes së Pavarësisë, i dilte për detyrë
që mësimi në shkolla të bëhej në gjuhën shqipe. Administrata e re kërkonte
që shqipja të ishte gjuha zyrtare me të cilën ajo do të komunikonte me shtetet
e tjera. Ndaj shkolla shqipe duhej të ndryshonte rrënjësisht nga shkollat e
mëparshme që përgatitnin zyrtarë për në perandorinë otomane.
Nuri Dragoj, në librin e tij, jep një panoramë të plotë, jo vetëm të përhapjes
së shkollave pas Shpalljes së Pavarësisë deri në vitin 1920, por edhe
përpjekjet e disa prej figurave të njohura për të mos u gjunjëzuar as para
presionit të kishës ortodokse, as para pushtuesit italianë, nën sundimin e të
cilit ishte Përmeti gjatë viteve 1916-1920.
Pas pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga grekët 1913 dhe deri në vitin 1916,
Përmeti ka qenë nën presionin e vazhdueshëm për të hapur kudo shkolla greke,
nëpërmjet të cilave predikohej Shqipëria e jugut dhe bashkë me të dhe Përmeti,
si territore të Greqisë.
Me pushtimin italianë të Përmetit, në vjeshtën e vitit 1916, pushtuesit
italianë i dhanë përparësi mësimit të gjuhës italiane nëpër shkolla. Struktura
e re e shkollave në territorin e Shqipërisë së Jugut dhe në veçanti në
prefekturën e Gjirokastrës sipas autorit të këtij libri: “ në zonat e banuara
prej popullsisë shqiptare, do të ishte i detyrueshëm mësimi i gjuhës shqipe dhe
italiane, ndërsa në fshatrat grekofone do të mësohej greqisht dhe italisht.
Mësimi fetar do të zhvillohej në gjuhën arabe për myslymanët dhe në greqisht
për ortodoksit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 98.
Autori i këtij studimi evidenton përpjekjet e përmetarëve që ndihmuan me
përvojën e tyre në hartimin e teksteve mësimore siç ishte tekti i gjuhës shqipe
me titull "Fillime të gramatikës shqipe për shkollat përmetare” me autor
Ilias Jahja me banim në Massachuset, në qytetin e Bostonit në ShBA. Në ato vite
ishte e vështirë të gjeje mësues të gjuhës shqipe sepse “ mësuesit përmetarë,
në përgjithësi, kishin kryer shkolla turke ose greke në Janinë e Selanik dhe
vetëm pak prej tyre qenë arsimuar në liceun e Korçës apo në Normalen e
Elbasanit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja
104.
Duke lexuar me vëmendje këtë libër të Dr. Dragojt, do të shikosh
përkushtimin e tij për të dhënë një pasqyrë të plotë për zhvillimin e arsimit
në trevat përmetare deri në vitin 1944. Aty do të gjeni zanafillën e çdo
shkolle dhe ecurinë e saj, mësuesit e parë dhe ata në vijim, përkushtimin e
tyre për të mos u tërhequr përballë vështirësive. Është historia e arsimit
përmetar, e ndërthurur dhe e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në trojet
shqiptare.