| E premte, 27.02.2015, 08:14 PM |
AGIM MATO
SA HERË MË ËSHTË DASHUR...
Sa herë më është dashur të bëj betime,
kam vënë në bè kokën e nënës sime;
Kam vënë në bè pa u trembur këtë truall,
këtë bukë që me lot e kam gatuar;
këtë këngë që e mbartja mbi supe si Sizifi,
e ma shembnin në humnera dhe e ngrija sërishmi.
Më është dashur të bëj bè për dritën e syve të mi,
për nderin që të parët më janë bërë fli.
Për hapat që ime bijë sapo ka hedhur,
për vatrën ku zjarri i jetës rri i ndezur.
Më është dashur...dhe bè të rëndë kam bërë
se rëndë më ka peshuar fjala e dhënë.
Dhe në se do të vdes pa e mbajtur fjalën,
si në baladë do të shihni të ringjallem.
SIDRITI MBUSH NJË VJEÇ
...Tani bën përpjekje
të çohesh, nipi im,
Si homoerektusit e parë.
Hedh një hap, hedh të dytin,
duke ngjitur para syve të mi
etapat e evolucionit njerëzor.
Si u ngjitkan kaq shpejt
shkallët e mijëvjeçarëve,
nga prehistoria,
tek era digitale?
Si Gargantua vjen rrotull
lodrave të tua, rrëzon
lokomotivën e një treni,
shkel një elefant prej gome
që këlthet
dhe do të kapësh nga dritarja
pallatin e madh atje tej,
që ngjitet me kate në qiell.
Tastiera e një laptopi
është trualli i hënës
nga i buzëqesh,
si një astronaut,
të nesërmes së globit
që vezullon nga ekrani.
KE NJË DALLGË TË KALTËR NË SYTË E TU
Të thashë: ke një dallgë të kaltër në sytë e tu,
përzier me ëndrrat e natës që shkoi.
Dhe ti m’u përgjigje:
në to nuk ka hone thithëse,
nuk ka reflekse që përpiqen të të mashtrojnë.
të mos bie.
Këta sy e kanë një dramë,
thua ti.
Edhe vet, të përmbytur janë.
Të mundur nga ngjyra e tyre.
Sakaq i trembur thashë me vete:
të mbytur do të më gjejnë
në dramën prej eteri...
T’i shpëtoj rrezikut nuk bëra përpjekje,
lashë të më tërhiqte në thellësi misteri.
NJË POETEJE TË RE
Mbaje, të lutem, nurin femëror në poezi,
mos u përzje me ato që këndojnë me një zë mashkullor
dhe i bashkohen një kori baritonësh.
Ruaje me këmbëngulje afshin e vargjeve të tua.
Është një avull dehës, i parezistueshëm.
një avull femëror, sensual, prej Safo-je
Mos u druaj të rrëfesh veten tënde,
duke hedhur penelata të rrëmbyera plot nerv,
duke na spërkatur me ndjenjat e tua si një përrua që
përplaset rrokopujthi mbi shkëmbinjtë.
As që ke kohë të kthehesh mbrapa e të pendohesh për
ndonjë pasazh të nxituar,
as që lodhesh të na mbushësh mendjen për ato që thua.
Në duart e mia - skanimi i tejdukshëm i shpirtit tënd.
ËSHTË NJË
VIS
Është një vis i fshehtë i shpirtit
me gërmadhat e ëndrrave të shembura
dhe varrin e një dashurie.
Harresa s’e mbulon dot me mjegull atë vis.
MUZIKË SHPIRTRASH
Sipër tyre ngrihej si aureolë një fashë hyjnore,
që zinte fill nga ëndrrat e notepsura me dritë.
Ajo që nuk e thoshnin me zë ishte më e bukur se fjalët,
më e ëndshme se qumështi i yjeve që xixëllonjat pinin
mbrëmjeve nëpër qiell.
Dëgjonin në heshtje muzikën e shpirtrave të tyre.
Shikoheshin gjatë brenda njeri tjetrit dhe vinin re
se plepat fjalamanë kishin pushuar, të magjepsur.
Lehtë-lehtë deti merrte frymë dhe me gishtat e valëve
mbante guriçkat që të mos lëviznin.
Ai ndjente në gjoks limfën e trupit të saj
dhe përndizej i tëri.
Edhe një puthje u dukej zhurmë.