| E diele, 22.02.2015, 02:39 PM |
Margjinalizim me vetëdije!
Nga Arbana Xharra
Që nga
lindja e tyre
Qasja jonë krijon barrierat që i ndjekin përgjatë tërë jetës. Ambient ky i njohur vetëm për vendet e prapambetura, ku të marrësh përdore një fëmijë me aftësi të kufizuara duhet ecur qosheve të rrugës me kokë ulur.
Nënçmimi dhe diskriminimi i tyre që nga fëmijëria shpeshherë bëhet normalitet dhe pjesë e “kulturës sonë”. Fatkeqësisht, kjo qasje ku cenohen të drejtat bazë të tyre është e instaluar në përditshmëri, duke u ndeshur me përjashtim në secilin hap të jetës së tyre. Familjet, duke mos mundur të bëjnë ballë ballafaqimin me nënçmimin që ju bëhet fëmijëve të tyre, presionin e vazhdueshëm të komplekseve të këtij mentaliteti, me vetëdije të plotë pranojnë “anëtarësimin” e fëmijëve të tyre në grupet e margjinalizuara, të përjashtuar nga të drejtat e tyre esenciale.
Madje, termat që i përkufizojnë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të identifikohen me mënyrën më nënçmuese si: i sëmurë psikik, sakat, i paaftë, qorr, etj. Derisa vendet e përparuara në terminologjinë e tyre grupin e këtyre personave e kanë adaptuar me termin “Persona me Aftësi të Kufizuara”. Dhe ky term nuk është nënçmues, pasi që ekziston mirëkuptimi se përkundër aftësisë së kufizuar, si çdo person tjetër edhe ata mund të jetojnë të pavarur dhe të kontribuojnë për rrethin dhe vendin.
***
Rrethana
inferiore, me të cilat jetojnë këta persona, diskriminimi i drejtpërdrejtë në
të gjitha aspektet jetësore,
Kosova është ende në stadin ku mungon vullneti për t’ju mundësuar këtyre grupeve qasje të barabartë në shërbimet bazë, duke mbetur po aq prapa në krijimin e rrethanave lehtësuese për këtë grup apo shërbimeve mbështetëse. Kurse fokus i politikës këto grupe bëhen vetëm gjatë fushatave parazgjedhore.
Denigrimi shfaqet kur politikanët fusin në agjendë personat me aftësi të kufizuara vetëm atëherë kur u kërkojnë votën, për t’u neglizhuar në vazhdimësi me të ardhur në pushtet. Madje, për dallim nga vendet e zhvilluara perëndimore, në Kosovë mungon edhe diskutimi publik mbi mirëkuptimin ndaj personave me aftësi të kufizuara. Pamundësia për t’u integruar, të mbetur pa arsimim dhe të refuzuar në vazhdimësi, personave me aftësi të kufizuara u krijohen rrethana të rënda jetësore, shumica e tyre jetojnë në kushte të vështira ekonomike, shpeshherë edhe në varfëri të skajshme.
Por, përkundër rasteve të neglizhencës nga politika, personat me aftësi të kufizuar përballen sidomos me paragjykime në procesin zgjedhor. Ata përveçse e kanë të pamundur pjesëmarrjen në jetën politike dhe publike, kanë vështirësi dhe pengesa për të realizuar të drejtën e votës. Vendvotimet në Kosovë nuk u sigurojnë qasje fizike personave me aftësi të kufizuar dhe në shumë raste ata duhet të shkojnë dhe më pastaj të kthehen të zhgënjyer pa votuar. Vetë stafi menaxhues në shumë raste është paragjykues, duke u kërkuar atyre që të shfrytëzojnë të drejtën e votës me asistencë. Mirëpo, personat me aftësi të kufizuar duan të votojnë si të gjithë të tjerët! Të jenë të barabartë në trajtim dhe pjesëmarrje.
***
Fuqizimi i këtij komuniteti me normat e Bashkimit Evropian nga vitet e ‘70-a në vazhdimësi ka ndryshuar edhe përkufizimin e “Aftësive të kufizuara” për pjesëmarrje të barabartë.
Ka kaluar nga qasja e “Keqardhjes” dhe “Modelit Social” deri tek e drejta e tyre e Plotë në Pjesëmarrje si Qytetar. Organizatat ndërkombëtare kanë hartuar dokumente shumë dekada më parë, mbi rëndësinë e përfshirjes në politikëbërje të personave me aftësi të kufizuara. Derisa në vitin 2003 ministrat e Evropës dolën me Deklaratën e Malagës, pas konferencës së dytë të mbajtur në Spanjë, për përmirësimin e cilësisë së jetës të personave me aftësi të kufizuara: rritjen e një politike koherente me pjesëmarrjen e tyre të plotë. Kjo deklaratë e quajtur “Pjesëmarrje e plotë si qytetar”, kishte për qëllim përfshirjen e kësaj kategorie në hartimin e politikave dhe legjislacionit gjithëpërfshirës. Pjesëmarrja e plotë si e drejtë u fuqizua edhe më shumë me miratimin e Konventës të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2007.
Banka Botërore dhe OSHP-ja paralajmërojnë për rritje të vazhdueshme të numrit të personave me aftësi të kufizuara. Sipas organizatave ndërkombëtare, mbi 1 miliard njerëz në botë kanë aftësi të kufizuara.
Derisa në BE punohet në vazhdimësi për ndryshimin e politikave më qëllim integrimin si të barabartë të këtij komuniteti, e instaluar njëkohësisht ndjeshmëria e shoqërisë në raport me këta persona, në Kosovë me pak përjashtim, institucionet dhe bartësit e përgjegjësive kanë ende shumë për të bërë për këtë grup të margjinalizuar.
Fillimisht duhen thyer barrierat dhe ndryshuar mentaliteti i shumicës karshi këtij grupi të izoluar në vazhdimësi, me angazhimin dhe vëmendjen e shtuar të pushtetit, ligjvënësve dhe aktivitetet e shoqërisë civile.
Nuk duhet të mbetet vetëm premtim parazgjedhor e drejta e tyre për t’u arsimuar, punësuar, lehtësira financiare dhe me pjesëmarrje të plotë në aktivitete në interes shoqëror të personave me aftësi të kufizuara.
Në fund të ditës një pyetje i duhet bërë pushtetit: Sa persona me aftësi të kufizuara janë të punësuar në sektorin publik?
(Ky vështrim është shkruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale, 20 shkurt)