E enjte, 12.12.2024, 11:51 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Zbritni gomarit

E enjte, 19.02.2015, 08:26 PM


AMANI ZBRITNI PAK GOMARIT

T’I HIPË NASTRADINICA

NGA KALOSH ÇELIKU

Kohën e fundit, nuk merrem si “analistët” teknefesë me “Bombat” politike të Zaevit, e as  me “Puçin” dhe përmendoret e Gruevskit me thika dhe pushkë në duar, më këmbë e mbi kuaj gati për luftë. Pallatet disakatëshe, që na mbinë brenda natës në mes të parkut si këpurdha në vend të barit dhe luleve. Ndërtimet e “egra”, që na e kanë zënë frymën dhe diellin. Bërlloku, i cili na ka mbuluar këmbekokë në mes të Dimrit Madh, krah për krahu me analistët e arratisur të partive politike, që i shkruajnë letra të hapura “dashurie” Zaevit. Mendja i rren trusakatët se, Zaevi do t’i shpëtojë nga Përmbytja e madhe në Shkup, e jo Varka e Noit (Nuhit) në mes të Vardarit.

Reagimet e “heshtura” politike të Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit në mjetet e imformacionit. Përgjimet telefonike, që për mua janë lodra fëmijësh në pluhur përpara Shtëpisë. Aty shahen, aty pajtohen në Lëmë për një bonbone. I kanë përzi kukullat fustankuqe. Copën e kulaçit me pekmez. Shkaku se, e kam thënë moti në shkrimet e mia publicistike: Zaevit, “bomba” politike ende pa e hedhur i ka pëlcitur në dorë.

Fatkeqësia është se, populli ende u duartrokitë këtyre “arushave” politike në valle para kamerave televizive. Shaminë e pionierëve ta hedhin mbi kokë në Sheshin “Makedonija”, para këmbëve të kalit të Aleksandrit Madh. Edhe, atë: Hamdi Bajrami sa herë që i bie dajres. Zaevit, siç duket pritet publikisht t’ia ngopë me dorë na, para kamerave televizive mu si dikur Cërvenkovskit. Arsye: Grupi parlamentar i tyre jashtë Kuvendit, gati një vit marrin paga mujore pa asnjë ditë pune, kur populli i pafajshëm vdes edhe për bukën e gojës. Dhe, këngëtari popullor me plis të bardhë në kokë, përditë në mes të Bit - Pazarit ua këndon këngën popullore të Hafsa Zyberit me çifteli:

 

Çohi djema shaloni atin

Besa atin e kam shalu

Cili djal o po vjen o me mu?

 

Cili djal o po vjen o me mu

Po thot Mema po vij unë.

Ja pret Stafa ma i parë jam unë.

 

Ti bre Stafë o Staf o Delia

Sot po t'njifet o burrënia

Me qitë pushk o ke zotnia.

 

T’kishe pasë o nji djal o si Mema

Paç me i hy o vezirit mrena

Paç me ia le oxhakun me femna.

 

Paç me ia le oxhakun me femna…

 

Dhe, përkarshi kësaj kënge popullore, burrat e mejdanit merren me përgjime telefonike, gjoja se përpiqen të “bëjnë ndryshime politike”. Duartrokisin para kamerave televizive inçizimet e fshehta të kryetarëve të partive politike, ministrave, deputetëve të popullit, “armiqëve” të Shtetit “përbashkët” dhe aktivistëve partiak me “besë”. Skenare politike dhe luftë të madhe bëjnë për të ardhur në pushtet. E imitojnë partizanin e vogël Boshko Buha duke hedhur bomba italjani mbi “armikun” gjerman. Dalldisin Plenumin Studentor me pankarta në duar e parulla në “okupimin” e fakulteteve pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” duke i shpallur si “Zona Autonome”, në vend që t’u sulen me dije e libra profesorëve dhe arsimit të politizuar nëpër kabinete.

Fat i tyre, që ky popull nuk është si populli i Kosovës: Shtetin e Ri t’ua lë në dorë si patate të nxehtë politikanëve, e veten me gjithë familje ta arratisin maleve, ikin nga sytë këmbët nëpër botë. Rrugëve ilegale të varrosen në borë mes Dimrit Madh. Nata e dita t’u pri matanë Atdheut, që kësaj radhe nuk ikin nga serbët, po nga shqiptarët.

Shqiptarët krah për krahu me “vëllezërit”, vërtetë edhe ato rebelohen si në kohën e Babadovletit, dalin në mes të Dimrit Madh në protesta për pushtet argati, e thirrin “pranverën arabe” me flamuaj të huaj e një haxhuxhe në mes të Shkupit, i “pushtojnë” dhe shpallin para kamerave televizive si “Zona Autonome” fakultetet, po megjithatë nuk e braktisin si shqiptarët IRJ të Maqedonisë.

Durim, o pilitikanë të dalldisur e arratisur me vite nëpër poste e kulltuqe politike. E keni gabim: Pushtet nuk u sjellin “bombat” politike të Zaevit të hedhura para kamerave televizive, po Lufta heroike dhe votat e popullit. Punë tjetër është ajo se ju, a jeni aq trima që ta nisni edhe një luftë “çlirimtare”, si ajo e 2001 –shit për të ardhur në pushtet, ose me metoda demokratike t’i fitoni votat e popullit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?! Komandantë pas lufte t’i shpallni familjarët, miqtë dhe shokët pa e shkrepur edhe një plumb për liri. Dëshmorëve duke u ngritur përmendore me flamurin kuqezi mbi kokë.

Rreziku: Në emër të popullit jeni ngjitur shumë lartë, mirë do të ishte të zbrisni pak më poshtë, në mesin e vegjëlisë. Këmbëkryq të uleni në sofër. Kulaçin ta ndani së bashku si “vëllezër”. Kokës t’i bini me të dyja duart me grushta. Pushteti në Ditën e sotshme nuk merret me dhunë, po me tru, punë dhe politikë madhore. Moti vdiq koha e armëve (kobureve), lufta sot bëhet me libra dhe penë. Punë tjetër është ajo se, ju penën e luftoni me armë nëpër përmendoret e Gruevskit dhe “bombat” e Zaevit. Thikat dhe pushkët e dudumëve. Shkopin e Car Dushanit. Fatkeqësisht, edhe me politikë të katundeve.

Zoti mos e dhashtë me barrën e vjetër politike, përsëri t’i hipni gomarit të Nastradinit në shpinë me të katra këmbët e rrasura në batak. Herë i hipë Nastradini, e herë Nastradinica me njëqind kg. peshë rrugës për në pazar. Mëkot, u thonë kalimtarët e rastit, që t’i zbrisni pak gomarit, t’i hipë Nastradinica. Edhe, ta shihni vetë me sy, bindeni se: gomarin nuk e cofë Nastradini me 50 kg. peshë mbi samarë, po Nstradinica me njëqind kg, barrë mbi shpinë. Veshë nuk keni ta dëgjoni edhe zërin e popullit, po me këngë e fyell vazhdoni të lumtur rrugën përmes fushës. Punemadhe, që bereqeti juaj vonohet me vite udhës për te Pazari drithit. Problem tjetër është ai se, a do të keni blerës për këtë mallë me afat të skaduar katundi?! Bota e përcakton çmimin e vlerave.

Shekulli i Ri, di të t’i mbylli edhe sytë në ballë, nëse nuk ke tru në kokë, duar dhe këmbë. Nuk më trembin “bombat” e hedhura partizane të Zaevit para kamerave televizive, po një plis i bardhë në Shkup dhe njëqind ferexhe. Zingjirët ende i kemi nëpër këmbë. Shaminë e zezë mbi kokë e fytyrë. Sytë e mbyllur në ballë. Ferexhenë e zezë hedhur krahëve si një xhadi qytetare.

Amani, zbritni pak gomarit t’i hipë në shpinë edhe Nastradinica!…



(Vota: 113 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora