Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Luigj Gurakuqi: Bashkpunimi ndërmjet Shqiptarëve

| E merkure, 18.02.2015, 08:58 PM |


Nga Fritz RADOVANI:

LUIGJ  GURAKUQI

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

90 VJET PA TY !

Bazat e bashkpunimit ndërmjet Shqiptarëve

Muhamedanë e të Krishtenë.

Arësyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”

Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuan as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryenaltë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet. E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.

Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.

E, me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjën e Shqipnisë nga Turqia. Edhe të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi konseguencave të saja.

Vazhduen, pra, së bashku, si vëllazën që ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e me guxim herëpërherë ma të madh, vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.

Në kohët e para të Pavarësisë sonë ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë se po u epëshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombësisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.

Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimëve.

Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë, ka mundë ta mblidhte vetën e, sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!

Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi me krye nalt se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën. Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.

Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’Irlandës me ate të Shqipnisë, e po të masim shkallën kulturore të Popullit të sajë me ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sësa në vëndin tonë të mjerë.

Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rallë se gjindët tjetërkund!

Përpara se të përfundojmë, po ju, pyes: Si do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?

Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.

Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj, se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes  besimëve largojmë konfliktët, mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm, tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në punët e tyne.

Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e, duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.

Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së qytetnimit dhe të përparimit.

1923.

Luigj Gurakuqi.

Dikur... ishte edhe kjo... Shtëpia e Luigj Gurakuqit..!

Tashti a e kuptoni pse as kjo shtëpi nuk asht ma!

Melbourne, 18 Shkurt 2015.