Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Hipokrizia erdoganiste nuk ka kufi!

| E marte, 17.02.2015, 09:00 PM |


Hipokrizia erdoganiste nuk ka kufi!

Nga Elvi Sidheri

Pak ditë më parë, gjatë një vizite në Meksikë, presidenti autoritar i Turqisë, i njohur botërisht për kapriçot e tij të famshme megallomane, bizarre dhe fort surreale, pati deklaruar sfidueshëm para medias botërore, se presidenti amerikan Barak Obama, ish e udhës dhe duhej të dilte sheshit, e të fliste hapur lidhur me disa vrasje ordinere të ndodhura së fundi në SHBA.

Erdogani citohet të jetë shprehur kështu:

“Unë e pyes zotin Obama: ku ndodheni ju zoti president?”

Për më tepër, presidenti turk, qe shprehur edhe se administrata amerikane duhej të mbante qëndrim kundrejt vrasjeve të tre të rinjve me përkatësi fetare myslimane, sepse përndryshe heshtja e autoriteteve amerikane, sipas Erdoganit do të ishte mjaft “kuptimplotë”.

Është nevoja që të saktësohet ndërkohë, që krimi në fjalë, është kryer siç tregojnë hetimet përkatëse të deritanishme, nga një ateist i njohur për sjelljet e tij të dhunshme kundër gjithë fqinjëve të tij, pa përjashtim feje apo race e ngjyre lëkure.

Dyshimi kryesor i policisë lokale në Karolinën e Veriut, është se vrasjet në fjalë, mund të kenë ndodhur me shumë gjasa, si pasojë e një grindjeje të dhimbshme banale, lidhur me një vendparkim e asgjë më tepër.

Por, faktet që kurrë nuk kanë përbërë ndonjë aspekt themelor për t’u marrë në konsideratë seriozisht nga zoti Erdogan, pak rëndësi kishin edhe kësaj rradhe.

Presidenti turk, i njohur për deklaratat e tij fantomatike (si ajo që mbështeste versionin e pambështetur në asnjë të dhënë të vetme historike, dokument apo provë arkeologjike, se arabët paskëshin zbuluar Amerikën para Kristofor Kolombit, apo edhe përpara vikingëve të Islandës dhe Groenlandës, që patën zbarkuar në ishullin Njufaundlend pesë shekuj para eksploratorit italian), si dhe për kërcënimet e hapura ndaj fqinjëve, Izraelit, Sirisë, opozitës së brendshme laike në Turqi, për diskriminimin ndaj grave dhe përçmimin ndaj feve të tjera, e lirisë individuale në përgjithësi; pak problem i ka faktet e mirëqena.

Ashtu si gjatë vizitës së fundit të Papa Françeskut në Turqi, ku ndërsa ndizej përditë e më tepër, rrethimi xhihadist i Kobanes pranë kufirit turk në Siri, kur me mbështetjen e hapur apo të fshehtë turke, kalifatistët sulmonin edhe nga brenda territorit turk, mbrojtësit kurdë të këtij qyteti martir; dhe kur Erdogani i ankohej Papës për një “Fobi” që gjasme ish në përhapje e sipër në Europë dhe Perëndim, që supozueshmërisht kish të bënte me fenë e presidentit turk!?

Kjo ndërkohë që zoti Erdogan, është ende “formalisht”, në krye të një shteti thelbësisht “Laik”, ku atij i takon të flasë për gjithçka, përveçse për çështje të karakterit fetar.

Por, meqë Erdogani ka kohë që ndihet pakëz “Sulltan” (“Sulltan Pekmez”, më tepër se gjë tjetër në fakt), ai sidoqoftë ushqen prej kohësh edhe dëshirën jo aq të fshehtë, për t’u vetëtrajtuar si “Kalif” apo diçka e ngjashme, jo vetëm për popullin e vendit të tij, por edhe për të gjithë besimtarët myslimanë të botës së tërë.

Ëndërra me sy hapur këto, që njëkohësisht i thur edhe dikush tjetër, në hapësirën gjakatare midis Mosulit në Irak, dhe Raqqa-s në Siri...!!

Këto ditë gjithësesi, pas fjalëve kritikuese të zotit Erdogan, pasi presidenti i Turqisë si shpesh këto kohë, mëtoi të vetëshpallej si mbrojtësi i madh i besimtarëve të së njëjtës fe, praktikant i së cilës është ai vetë, ndodhën së paku tre ngjarje madhore, mbi të cilat zëri i këtij njeriu problematik, nuk është dëgjuar fare!

Për t’i marrë me rradhë tani...

Në Libi, filiali përkatës i Kalifatit mesjetar të Siri-Irakut, theri shtazërisht si zakonisht, në mënyrë makabre, duke e xhiruar me një gjakftohtësi lemerisëse, 21 të krishterë koptë egjiptianë, duke i akuzuar ata për “krimin vdekjeprurës” të të përkiturit tek “Populli i Kryqit”.

Viktimat, punëtorë të thjeshtë nga provinca e varfër egjiptiane e Minias, në jug të Kairos, megjithëse të krishterë, sërish qenë detyruar që të largoheshin nga Egjipti për në Libi, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Është dëgjuar vallë këto ditë ndonjë deklaratë qoftë edhe sa për të larë gojën, nga zoti Erdogan, nga ky “pseudo-mbrojtës” i ethshëm i të drejtave njerëzore dhe i lirive fetare, mbi këtë krim të pështirë?

Jo, asgjë, asnjë koment, asnjë fjalë, asnjë deklaratë si nga zoti Erdogan, as nga ministria e jashtme turke, as nga kryeministri Davutogllu!

Po njëlloj nuk është ndjerë i s’i ka dalë fjalë nga goja Erdoganit dhe shpurës së tij autoritariste, edhe kur në Siri e Irak, njerëzit ngulen nëpër kangjella, theren, digjen të gjallë papushim, vetëm përse janë të krishterë, jazidë, ateistë, laikë, janë myslimanë pa qenë kalifatistë etj.

Për presidentin Erdogan, këto ngjarje ose nuk kanë ndodhur fare, ose janë pjesë e ndonjë “komploti të forcave të errta Perëndimore”, ose nuk janë sido që të jetë, akte të dënueshme pra.

Këto ditë gjithashtu, në kryeqytetin danez Kopenhagen, një i ri me origjinë arabe (Omar Abdel El-Hussein), sulmoi me dhjetëra të shtëna automatiku, një takim mbi “Lirinë e Shprehjes, në një qendër kulturore (në Krudtt?nden Café), që ish duke u zhvilluar në formë diskutimi dhe homazhi për revistën satirike franceze Charlie Hebdo.

Gjatë këtij sulmi humbi jetën një person (regjizori danez 55 vjeçar Finn Norgaard, që asnjë lidhje me ndonjë lloj “provokimi” ndaj fesë së vrasësit të rradhës, nuk kish pasur, meqënëse kish realizuar shumë dokumentarë mbi muzikën, jetën e të burgosurve në burgjet daneze, apo edhe historitë e emigrantëve në Danimarkë), dhe u plagosën katër të tjerë.

Objektivi i vërtetë i sulmit sidoqoftë, nën shembullin dhe shëmbëlltyrën e 7 janarit në Paris, pati qenë karikaturisti “heretik” (i cili, kuotën vdekjeprurëse të “provokimeve satirike të panevojshme”, e kish arritur e tejkaluar me kohë)... suedez Lars Vilks, që për fat pati shpëtuar gjallë, ashtu si edhe ambasadori francez në Kopenhagen, François Zimeray (që kish shkruar në ato çaste terrori në profilin e tij në Twitter “Still alive in the room”).

Më pas, sikur të ishte një film me regji dhe aktorë të njëjtë, ngjarja ish spostuar drejt sinagogës Krystalgade, ku atentatori kish qëlluar sërish (njëlloj si tek vrasjet dhe pengmarrja masive tek supermarketi Kosher në Paris), dhe ku qe vrarë edhe njëri nga rojet e këtij objekti kulti, hebreu Dan Uzan.

I njëjti skenar sërish, dhe të njëjtat objektiva.

Liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e fesë, liria e satirës, “Liria” si vetë gurthemeli i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm i demokracisë Perëndimore, dhe ata, Hebrenjtë.

Laiciteti dhe moskonsiderimi i “Blasfemisë”, si një vepër e dënueshme as me ligj, e aq më pak, me vdekje në kontinentin tonë të moçëm, ashtu si edhe më gjerë në qytetërimin Perëndimor.

Ndonjë koment nga zoti Erdogan për këtë ngjarje, për këto vrasje, për këtë atentat të mirfilltë ndaj thelbit të sistemit europian të vlerave, ku akoma “për sy e faqe”, Turqia erdoganiste (sepse “Kemalist”, pak ka mbetur tashmë ky vend), pretendon të bëjë pjesë?!

Asnjë fare!

E pra, për ta thënë pikërisht ashtu siç zoti Erdogan pati deklaruar në Meksikë lidhur me disa vrasje të rastësishme në Shtetet e Bashkuara, duke u rrekur më kot që të vinte nën akuzë autoritetet amerikane, në këtë rast “Heshtja” e këtij personi me prirje të theksuar antidemokratike dhe autoritare, vlen sa një mijë fjalë.

Sepse siç thotë i urti dhe i dituri popull “Shpesh heshtja domethënë aprovim”!

Aprovim për këto krime, këto sulme, këto vrasje që po trondisin Europën qysh në fillim të këtij viti pra.

E për ta mbyllur në mënyrë sa më të denjë këtë thellim mbi kritikat dhe moskoherencën e pafytyrësinë e skajshme të presidentit turk, mjafton që të kujtojmë se këto ditë opinioni publik në Turqi, po zjen dhe valon, nga indinjata lidhur me një vrasje të tmerrshme të ndodhur këto ditë në atë vend.

Özgecan Aslan, një studente e re 20 vjeçare nga provinca e Mersinit në Turqi, ish zhdukur të mërkurën e kaluar, pasi kish hipur në një minibus për t’u kthyer në shtëpi.

Dy ditë më vonë, kufoma e saj e karbonizuar, qe gjetur buzë një lumi.

Nga hetimet dhe raporti mjekoligjor, ish zbuluar se vajza e re qe goditur me thikë dhe rrahur për vdekje, vrasje që pati ndodhur për shkak se e ndjera, i kish rezistuar një tentative përdhunimi.

Varrimi i viktimës në lokalitetin Tarsus, në Mersin, qe shndërruar në një manifestim prej 5000 vetësh, ku u kërkua vënia në vend e drejtësisë.

E ëma e të ndjerës citohet të ketë thënë:

Kush ishte faji i saj, përse e vranë? Sepse hipi në një minibus?”

Në Turqi shumë femra druajnë që të dalin rrugëve të vetme natën, që të udhëtojnë me mjetet e transportit publik në orë kur ato frekuentohen më shumë nga meshkujt, apo edhe që të veshin rroba elegante, ngaqë i tremben sulmeve me sfond seksual.

Yasemin Y?cel, zëvendëspresidentja e sindikatës “Egitim-Sen” të Mersinit, pohon se ky nuk është “Një incident i izoluar”, ajo për më tepër e akuzon ekzekutivin islamist (të ashtëquajtur “të moderuar”) të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), se po promovon “politika diskriminuese maskiliste”.

Ajo thotë se:

“Çdo ditë, gjashtë femra vriten në Turqi; disa në autobus, të tjera nëpër stacione autobusash dhe treni, e ndonjëra edhe në mes të rrugës, ditën për diell”!

Përgjatë 12 vjetëve të qeverisjes së AKP-së erdoganiste, numrat e vrasjeve me sfond maskilist, në Turqi janë shtuar në masën 1400%, sipas të dhënave nga vetë Ministria e Drejtësisë e këtij vendi.

Numri i krimeve të këtilla brenda një viti, ka kaluar nga 83 syresh në vitin 2003 (kur AKP-ja erdhi në pushtet), në mbi 1000 tani.

Protesta u zgjerua aq shumë, saqë edhe kryeministri Davutogllu, ashtu si edhe presidenti Erdogan, u patën detyruar, që të dënojnë formalisht në publik këtë vrasje.

Por megjithatë, shoqatat feministe në Turqi, e vënë fort në dyshim sinqeritetin e eksponentëve të një partie, që në programin e vet, nuk e konsideron të vlefshme “Barazinë midis meshkujve dhe femrave”, ashtu siç ka deklaruar edhe vetë Erdogani, kur femrave u pati kërkuar që të mos veshin funde të shkurtra, të mos përdorin parfume ndjellëse, e të mos qeshin në publik, se ndryshe, fajin po të dhunoheshin apo vriteshin e masakroheshin, vetë do e kishin fundja!!

Ka gojë, moral, fytyrë apo çfarëdoqoftë ky njeri, që të guxojë të kritikojë ndokënd, e jo më autoritetet amerikane, duke vënë në dyshim zbatimin e ligjit dhe të të drejtave qytetare, barazinë midis sekseve apo feve, në një shtet tejet demokratik si SHBA vallë?

Jo, kurrësesi, por ashtu si çdo “satrapi” tjetër, edhe këtij fajin ia kanë gjetkë!