| E marte, 10.02.2015, 07:55 PM |
Përballimi me dashuri i kufizimit…
Nga Entela Binjaku
Aftësia e kufizuar në Shqipëri përbën një burim problemesh shoqërore për aq kohë sa me të identifikohen qytetarë të margjinalizuar, njerëz që hasin vështirësitë e integrimit dhe të punësimit në një shoqëri që ofron pak empati dhe lehtësira për ta. Kur mendon se pas një individi me aftësi të kufizuar qëndron një familje e tërë, pra qytetarë të cilët jetojnë vështirësitë që sjell bashkëjetesa më aftësinë e kufizuar, problemet shumëfishohen dhe bashkë me të rritet edhe nevoja për trajtim. Qendrat komunitare në vendin tonë, ku personat me aftësi të kufizuar të kalojnë një pjesë të kohës duke marrë shërbim të specializuar, të asistuar nga njerëz me formim në fushën e shërbimit social janë te pakta edhe pse ato do të ndihmonin mjaft në lehtësimin e jetës jo vetëm të këtyre të personave por edhe të familjarëve që kujdesen në mënyrë të përditshme me ta. Siç ndodh zakonisht një pjesëtar me aftësi të kufizuar në familje redukton mundësinë e punësimit të atij që kujdeset për të, që në shumicën e rasteve është gruaja, nëna apo motra, dhe më tej akoma e çon këtë familje drejt vështirësive të reja, ekonomike, sociale e kulturore. Një shumicë e këtyre familjeve janë pjesë e kontigjentit të familjeve më të varfra që ka vendi. Kur në zyrën e Fondacionit u paraqit një zonjë e cila kujdeset për djalin e saj 26 vjeç që vuan çrregullimet e spektrit autik, ajo tregoi se gjithë jeta për familjen e saj ka qenë e vështirë, por më shqetësim akoma për të dhe bashkëshortin është çfarë do të ndodhë me djalin e tyre kur ata të mos jenë më në jetë. Sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet ky shqetësim i këtyre dy prindërve, të cilët tashmë mjaft të moshuar, kanë tejkaluar të tashmen, dhe mendojnë mbi të gjitha për atë që i pret. Çfarë e bën edhe më shqetësues reagimin tonë është se vetëm në rrugicën ku banon kjo familje janë edhe tre familje të tjera që vuajnë aftësinë e kufizuar e një familjari.
Nëse në komunitet, kudo nëpër Shqipëri, do të kishte qendra ku qoftë edhe për një pjesë dite këta “fëmijë të rritur”, të kalojnë një pjesë të kohës, nëse do të kishin mundësinë të frekuentonin edhe ndonjë kurs sipas aftësive që kanë, shoqëria do t’u kishte dhënë jetës së tyre tjetër kuptim, dhe familjarëve të tyre një tjetër frymëmarrje. Ajo do të tregonte shenja të ndjeshmërisë ndaj më të margjinalizuarve dhe do të nxiste edukimin në vazhdim me vlerat e solidaritetit në shoqëri. Edhe pse të pakta në numër, në vend mund të gjesh edhe ndonjë formë të organizuar të mbështetjes dhe kujdesit ndaj tyre që mund të shërbejë si model për çeljen e të tjerave. Një ndër to është qendra ditore e zhvillimit “Atelia” në Korçë e cila ka rreth 13 vjet që funksionon. Në këtë qendër marrin shërbim ditor rreth 20 persona me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike, të moshës nga 18-35 vjeç. Qendra e ndodhur në Korçë ka nisur aktivitetin e saj në vitin 2002 me nismën e fondacionit “A.S.E.D” - Zvicrës dhe me vendimin e K.M. datë 04.07.2002. Qëllimi i çeljes së saj ka qenë të integrojë personat me aftësi të kufizuar edhe nëpërmjet punës, në mënyrë që ata nga njëra anë të ndihen të vlerësuar dhe nga ana tjetër të lehtësojë sadopak gjendjen e familjeve nga vijnë. Në këtë qendër kryhen këto aktivitete: piktura, punime druri, furça, shkrime ne gravura,punime me shtiza, punime me grep, punime me rruaza, punime me bazë leshi, tezga, imitacion, punime në tezgja, prodhim qirinj. Disa nga motot që e kanë drejtuar në vite punën e kësaj qendre janë: “Pavarësisht se mundësia në jetë s’mu dha, dikush mendoi për mua”. “Nuk jam piktor, por frymëzimi nuk më mungon”. Kjo qendër ka treguar kujdes edhe ndaj organizimit të aktiviteteve të mësimit, argëtimit dhe sportive të tilla si : festime ditëlindjesh, veprimtari aritmetike të thjeshta, lojëra të ndryshme me top, ekskursione. Përmes programeve të hartuara, përmes punës së realizuar nga punonjësit socialë me fonde nga qeveria dhe nga donatorë të ndryshëm, djemtë dhe vajzat që që e frekuentojnë “Atelien” marrin pjesë në aktivitete gatimi, pastrimi, të mirëmbajtjes së shtëpisë si : mirëmbajtje mjedisi, gatime në kuzhinë, servirje dhe larje enësh. Mëngjesi dhe dreka në këtë qendër ofrohen falas, transporti nga shtëpia në qendër dhe anasjelljas është gjithashtu falas. Qytetarët që përftojnë nga shërbimet e kësaj qendre në vite janë rreth 100, që nënkupton rreth 100 familje kanë përftuar shërbim e po ashtu me qindra familjarë që kanë ndjerë ndihmën e shoqërisë në përballimin e vështirësive që krijon aftësia e kufizuar. Për drejtoreshën e kësaj qendre znj. Nada Bandilli “prodhimet e punuara prej tyre me aq dashuri, janë në shitje, por mungon dëshira dhe humanizmi i njerëzve për t’i blerë”. Në mënyrë që shoqëria t’i ndihmojë qytetarët e saj, që ata të ndjehen të përfshirë dhe të vlerësuar, në mënyrë që mesazhi i një Shqipërie sociale të jetë i prekshëm dhe të edukohet në të gjithë brezat, ka nevojë për ndërgjegjësim dhe më shumë përgjegjshmëri ndaj problemeve dhe nevojave me të cilat ata jetojnë. Paralelisht me vlerësimin dhe respektimin e këtyre nevojave, zbatimi i ligjit ekzistues ku "në 25 të punësuar duhet një i punësuar PAK", ligj që as nuk zbatohet nga punëdhënësit, si edhe shembulli i qendrave që kanë përvojë të mirë në këtë drejtim do të ndihmonte mjaft në trajtimin me efiçiencë të aftësisë së kufizuar. Shembulli i Korçës mund të shërbejë mjaft në këtë drejtim. Nën shembullin e saj, hapja e qendrave simotra do të bënte që qytetari shqiptar që jeton aftësinë e kufizuar të ndjehej edhe më i ndihmuar nga shteti dhe shoqëria, ndërsa familjet shqiptare nuk do të ndjeheshin kaq të vetmuara në përpjekjet e përditshme që kërkon përballimi edhe me dashuri, i kufizimit.