Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çfarë përfiton Shqipëria nga NATO

| E premte, 11.07.2008, 08:30 PM |


Çfarë përfiton Shqipëria nga NATO. Dje u firmos protokolli i aderimit në aleancë     

Shkruar nga Altin Sinani
 
Shqipëria së bashku me Kroacinë kanë nënshkruar dje në Bruksel në selinë e NATO-s protokollet përkatëse të aderimit në Aleancë. Në këtë mënyrë Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në sprintin final të anëtarësimit me të drejta të plota, që mendohet të jetë efektiv për samitin e ardhshëm të organizatës në fillim të 2009-ës. Në fillim të ceremonisë së nënshkrimit protokolleve të aderimit, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hop Scheffer, e vlerësoi momentin si një arritje të rëndësishme, jo vetëm për të dy vendet, por për tërë komunitetin e Aleancës Atlantike.
 Por, veç lajmit, qytetarët shqiptarë duan të dinë në mënyrë konkrete se çfarë përfiton vendi ynë nga NATO-ja?

Përfitimet

Avantazhet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO shtrihen përtej fushës së sigurisë. Përfitimi primar është se anëtarësimi  në NATO pritet të ndikojë pozitivisht në politiken dhe ekonominë shqiptare. Kjo vjen pasi marrja e ftesës dhe aspiratat e Shqipërisë për t’u bërë së shpejti anëtare me të drejta të plota të NATO-s e forcojnë Shqipërinë si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik, duke hapur të gjitha rrugët e mundshme për një orientim të vendit në drejtim të tregut dhe politikave moderne evropiane. Gjithashtu me anëtarësimin në NATO, Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe me ekonomi të konsoliduar. Nisur nga kjo, investitorët e huaj do të kthejnë sytë nga vendi ynë për të investuar. Për të vërtetuar këtë ide, specialistët shqiptarë kanë marrë shpeshherë si rast shembullin e Çekisë, e cila, pasi u anëtarësua në NATO, pati një bum investimesh, të cilat kapën shifrën e 9 miliardë eurove. Me hyrjen në NATO forcohet edhe roli i vendit në arenën ndërkombëtare dhe Shqipëria fiton një peshë lobingu. Gjë kjo mjaft e domosdoshme tani kur Kosova kërkon një mbështetje të fortë nga në arenën ndërkombëtare nga vendi ynë. 

Detyrimet

Por veç përfitimeve anëtarësimi në NATO do të sjellë edhe disa detyrime për vendin tonë. Hyrja e Shqipërisë në NATO e detyron politikën tonë të ndërtojë një demokraci funksionale, të krijojë shtetin ligjor dhe të forcoje institucionet, tre elemente këto shumë të rëndësishëm, nga të cilat ka vuajtur politika shqiptare në këto 17 vjet të tranzicionit të vështirë. Një tjetër detyrim është se Shqipëria duhet të ndahet njëherë e përgjithmonë nga ushtria e kampit socialist, të cilën ka mbështetur dhe duhet të kthehet në një ushtri moderne, sipas të gjitha standardeve euroatlantike dhe e mirë pajisur me armatimet me moderne. Por gjithashtu me hyrjen në NATO, qeveria ka edhe detyrim të rrisë në mënyrë progresive të ardhurat për Forcat e Armatosura. Ndërkohë që Shqipëria do të ketë dhe një detyrim të përvitshëm për të derdhur në arkën e NATO-s një shumë të caktuar, në varësi të buxhetit të vendit dhe mesatares së vendeve anëtare.

Përfitimet nga NATO:

Shqipëria bëhet pjesë e aleancës më të suksesshme të kohëve moderne

Forcohet roli i vendit në arenën ndërkombëtare

Shqipëria fiton peshë lobingu

Vendi konsiderohet i sigurt

Jep garanci për investitorët e huaj

Rritje e investimeve të huaja në vend

Reformat për NATO-n të afrojnë më shumë me BE-në

BE të shikon si një partner serioz në negociata për anëtarësimin

Detyrimet nga NATO:

Krijimi i një demokracie të konsoliduar

Krijimi i shtetit ligjor

Forcimi i institucioneve

Zhvillim ekonomik

Reforma fiskale

Zhvillim i biznesit vendas

Detyrim për të rritur progresisht buxhetin për ushtrinë

Kemi dhe një detyrim të përvitshëm për të derdhur në arkën e NATO-s një shumë të caktuar, në varësi të buxhetit të vendit dhe mesatares së vendeve anëtare. 

Nje historik i shkurter i NATO-s

Aleanca e Atlantikut të Veriut, e krijuar në vitin 1949 nga 12 vende, sot numëron 26 anëtarë të tillë, ndërkohë që Shqipëria dhe Kroacia pritet të anëtarësohen plotësisht vitin e ardhshëm. Që pas krijimit të NATO-s në 1949, Aleanca është zgjeruar me vende të reja në pesë raste në 1952, 1955, 1982, 1999 dhe 2004. Rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e Paktit të Varshavës pas Luftës së Ftohtë  hapi mundësinë për një zgjerim të mëtejshëm të NATO-s. Demokracitë e reja të Evropës Qendrore dhe Lindore mezi prisnin të hynin në institucionet euroatlantike dhe të garantonin lirinë e tyre. Republika çeke, Hungaria dhe Polonia u ftuan të fillonin bisedimet e pranimit në Aleancë në samitin e Madridit në 1997 dhe më 12 mars 1999 ato u bënë anëtaret e para të Paktit të Varshavës që bashkoheshin me NATO-n. Bullgaria, Estonia, Lituania, Letonia, Rumania ,Sllovakia dhe Sllovenia u ftuan të fillonin bisedimet e pranimit në samitin e Pragës në 2002 dhe u futën në NATO në 29 mars 2004. 

TO