| E marte, 20.01.2015, 08:12 PM |
SEJDI BERISHA
PËR T’I MOS HARRUAR KUJTIMET...
(Kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës)
Sot
Nëse ktheni në Gjimnazin e Pejës
Disa tinguj kitareje
Si në thellësi shpirti
Do t’i dëgjoni
Edhe këngën
Atëherë të çuditshme rinore
Nëse hyni
Në secilën dhomë mësimi
Aty do të hasni frymën djaloshare
Që na bashkonte
Që na rebelonte
E me Kanjushën e Verdhë
Jusuf Gërvalla
Na treste ëndrrat dhe etjet e atdheut
Sot
Kjo tingëllon edhe më shumë
Pikërisht sot
Edhe për ato krismat e liga
Nëse nuk besoni
Shkoni tek shtatorja
Atje në Pejë
Tek teatri i këtij qyteti
Edhe aty këndon me kitarë
Për historinë
Ka pasur edhe shumë për të thënë
Mos hezitoni
Shtatoren e tij pyeteni
Nëse nuk merrni përgjigje
Atëherë
Së paku putheni atë
Për t’i mos harruar kujtimet
As rrugët e kombit