| E hene, 19.01.2015, 07:07 PM |
Hetimet e antiterrorizmit në Itali kanë zbuluar ekzistencën edhe të një celule të xhihadistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për një grup shtetasish shqiptarë dhe kosovarë që jetojnë në vendin fqinj, me lidhje në vendet e origjinës, e që sigurojnë vullnetarë, luftëtare për shtetin islamik në Siri.
Sipas mediave italiane, grupi ka katër baza në kryeqytetin Romë, Siena, Luca dhe Milano, dhe pjesëtarët e tij konsiderohen shumë të rrezikshëm.
Detyra e tyre është të rekrutojnë persona të përshtatshëm për indoktrinim dhe më pas dërgimin e tyre në territoret e ashtuquajtura të xhihadit për të luftuar dhe mbrojtur shtetin islamik, ose thënë ndryshe për të krijuar një ushtri në mbrojtje të tij, raporton Vizion Plus.
Kjo organizatë ka sipas hetuesve edhe detyrën e menaxhimit të pjesës logjistike, sigurimin e pasaportave, dokumenteve false apo të vjedhur përmes vendeve të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.
Sipas medieve italiane, ky fenomen është prezent prej disa kohesh edhe në Shqipëri dhe Kosovë, ku kane nisur hetimet për të zbuluar zinxhirin e rekrutimit dhe financimit.
Sipas një analize të vitit të shkuar të faqes informative Cosmonitor.com, janë rreth 150 shtetas kosovarë të lidhur me rrjetin xhihadist të ISIS-it në Ballkan dhe nga hetimet u zbulua se dy imamët e vetëshpallur Genci Balla e Bujar Hysa ishin personazhet kyç të aktivitetit të rekrutimit dhe kishin kontakte me financuesit në Shqipëri dhe jashtë saj, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoni.
Në veçanti shfaqet figura e Ebu Usejd nga Elbasani, që i kishte financuar dy imamët për të dërguar në Siri, islamistë shqiptarë.
Në një nga lagjet periferike të kryeqytetit Romë është zbuluar baza mbështetëse e grupit, por vështirësia, sipas burimeve të antiterrorizmit mbetet zbulimi i individëve që i afrohen grupit dhe vendeve ku ata mblidhen, pasi xhamitë dhe qendrat islamike konsiderohen tashmë vende në rrezik për grumbullime të tilla.
Përgjithësisht, në vend të xhamive përzgjidhen lokale publike, që menaxhohen nga shtetas kinezë, të cilët nuk kanë dijeni për to.
Duket se falë rekrutimit dhe mbështetjes logjistike të zinxhirit ballkanik, nga Italia janë nisur drejt Sirisë 59 luftëtarë të huaj për të luftuar.