Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lama: Pse nuk e luftove ekstremizmin fetar, Hashim?

| E marte, 06.01.2015, 07:33 PM |


Alma Lama:

Ish-kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaci në një intervistë për Politiko.net më në fund paska vendosur ta hapë gojën kundër ekstremizmit fetar. “… ëndërrojnë të na prishin me aleatin historik dhe partnerin strategjik Amerikën,” thotë ndër të tjera ai.

-Mirëmëngjes, tani e morët vesh?!

-Ja dhe dicka nga unë: ekstremizmi fetar, përvec prishjes së miqësisë me Amerikën, është armiku më i madh i kombit shqiptar, është armiku më i madh i lirisë, armiku më i madh i sistemit demokratik, armiku më i madh i të drejtave të grave, është agjendë e Serbisë etj. etj.

Kaq shumë vite ju desh juve për të kuptuar këto gjëra për të cilën na doli goja mbrapa, disave prej nesh që nuk kalkulojmë në kurriz të interest kombëtar?

Apo tani që zgjedhjet kanë përfunduar, dhe je mprehur për postin e presidentit, post qe votohet nga deputetët dhe jo më nga elektorati, ndiheni komod për të bërë deklarata që tingëllojnë mirë në sytë e ndërkombëtarëve?

I nderruar ish-kryeministër,

përpara se të jepni deklarata të tilla prej oponionisti, duhet t’i jepni llogari popullit të Kosovës, se cfarë bëtë ju nga pozita më e lartë ekzekutive gjatë shtatë viteve të mandatit tuaj për ta luftuar ekstremizmin fetar.

-Pse ju dhe partia juaj heshtët ndaj këtij fenomeni deri tani?

-Cilat janë raportet tuaja dhe të partisë suaj me kreun e Bashkësisë Islame z. Naim Ternava, emri i të cilit përmendet negativisht edhe në raportin e Departamentit të Shtetit për liritë fetare, për shkak se ka lejuar që shume xhami të bien në duart e imamëve radikalë që predikojnë një ideologji të panjohur më parë ndër muslimanët e zakonshëm në Kosovë?

-Pse keni lejuar financimet e dyshimta të hyjnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe ata për të cilët ju me të drejtë shpreheni : “përfshi disa imamë, marrin shuma marramendëse nga kanale të ndryshme në një anë dhe jetojnë një jetë luksi amoral, por në anën tjetër po gënjejnë të varfrit me ekstremizëm fetar”?

-Pse nuk e bëtë ligjin për bashkësitë fetare deri tani? A ka pasur PDK-ja një marrëveshje me Bashkësinë Islame që të mos e bëjë këtë ligj, në mënyrë që ata të funksionojnë në kaos, jashtë kontrollit shtetëror dhe auditimeve financiare? Cështje milionash apo jo????

-Pse nuk e miratuat ligjin për personat që iu bashkohen luftërave të huaja, në mandatin e kaluar, edhe pse pat kaluar leximi i parë? Ju ishit ne pozitë, kishit përgjegjësi por edhe shumica e deputetëve të opozitës do ta përkrahnin këtë ligj.

-Pse në zgjedhjet e fundit bëtë koalicion me një subjet politik, anëtarët e të cilit publikisht promovojnë agjendën islamike në Kosovë, që përfshin deri edhe sheriatin?

-Pse qeveria që drejtonit ju, i mundësoi Turqisë e cila fatkeqësisht gjithashtu po rreshqet në agjendën islamike, që të marrë kompanitë kryesore si Aeroportin, (përfshirë edhe sigurinë e tij, që do të duhej të ishte kompetencë e shtetit), rrjetin transmetues te energjisë, falas, bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, tregtisë etj etj, ndërsa gojën e kishit gjithë kohën plot BE dhe vlera përendimore?

-Pse një nga ministrat tuaj, në Komision për hartimin e teksteve të përbashkëta të historisë me Shqipërinë, kur kanë diskutuar kohën e pushtimit të Perandorisë Osmane, është hedhur përpjetë dhe ka thënë: “Kosova nuk e sheh këtë si pushtim”?

Dhe përsetë e kësaj natyre mund të vazhdojnë shumë gjatë. Ndërsa deklarata e juaj është si koshi pas të vjelave.

Prandaj për mua dhe shumëkënd tjetrër jeni tërëisht i pabesueshëm, tani me deklaratat për ekstremizmin fetar. Meqë pataten e nxehtë, pra luftën ndaj tij ja keni lënë në dorë tjetërkujt, këtë tani e shoh vetëm si një strategji tuajën mediatike, dhe jo si një shqetësim të vërtetë të një burrështetasi që interesin e kombit e vë mbi atë personal apo partiak.

https://www.facebook.com/pages/Alma-Lama/661120087278534?fref=nf