| E merkure, 31.12.2014, 05:12 PM |
Sejdi BERISHA:
NË VEND TË URIMIT
PËR VITIN
SONTE SOFËR FESTE...!
1.
Sonte
Të gjithë do festojnë
Fëmijët në gjirin e nënave
Të rinjtë duke u përqafuar
Pleqtë me peshën e rrugëtimit
2.
Sonte do kremtojnë edhe kalamajtë
Me tullumba të Lulit Vocërr
Edhe familjet nën çati të rrënuar
Me mace e minj përreth sofre
3.
Sonte do festojnë
Lypësit me kotheret e bukës
Edhe ata
Që gazmendin e vëzhgojnë
Nga brenda dyerve të hekurta
4.
Do kremtojnë
Ata që kurrë nuk kanë festuar
Ata në azil-burgjet
Në dhomat me parmakë
Me shikim të ngujuar
Do festojnë edhe rrugët
Që bartin e tretin të rinj
5.
Sonte
Të gjithë do festojnë
Edhe qentë endacakë
Që kafshojnë e vrasin fëmijë
Edhe lypësit nëpër kontejnerë
6.
Sonte edhe ujqërit do festojnë
Dhelprat dhe urithët që tokën lëkundin
Do festojnë edhe zogjtë në kafaze
Shqiponjat dhe drerët
Do festojë edhe buka e mykur
Në gojën e të uriturve
Edhe ata
Të nën urave-shtëpi
7.
Sonte
Edhe unë do festoj
Me eshtrat e të pagjeturve
Me ndrydhjen e fëmijëve jetimë
Në sofrën e shtruar për të gjithë
Do festojnë edhe lapidarët
Me shikim kah qielli
Me flamuj të shlyer nga dielli
E me lule të vyshkura mbi supe
8.
Sonte do provoj
Të gjithë t’i bashkoj
Ata që festojnë
Edhe ata që nuk kremtojnë
Heronjtë dhe dëshmorët
Me sharki e çifteli
Le të na argëtojnë
9.
Sonte mos qani
Por vetëm këndoni
Unë do festoj së bashku me ju
Sepse erdhi edhe një Vit i Ri
G ë z u a r...!