Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Reka shqiptare e kostumeve kombëtare

| E merkure, 31.12.2014, 06:00 PM |


REKA SHQIPTARE E KOSTUMEVE TONA KOMBËTARE

Nga Baki Ymeri

Nga burimet elektronike kuptojmë se për shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë flitet pak. Të lënë mënjanë, nën presion të vazhdueshëm dhe përballë skemave përçarëse me shqiptarët myslimanë, shumica u asimiluan, duke krijuar një identitet artificial e të largët nga ai i vërtetë shqiptar. Fshatra të tërë, që dikur flisnin gjuhën e tyre, sot janë braktisur apo janë asimiluar. E megjithatë, gjurmët janë ende aty. Ne do të përpiqemi të ecim përmes tyre, për të sjellë të vërteta ende të pashuara të këtij komuniteti. Fshatra të tërë në Rekë të Epërme, që dikur flisnin gjuhën shqipe, sot janë braktisur apo janë asimiluar, e megjithatë gjurmët janë ende aty. Në Maqedoni vepron shoqata Josif Bageri, ndërsa ekipi i Top Channel-t, ka nxjerrë në pah kontribute të reja për ta rikthyer këtë komunitet në origjinën kombëtare. Grubi në Facebok ka ka theksuar se nuk mund të anashkalohet dhe të hudhet në errësirë kontributi i jashtëzakonshem i shoqatës Josif Bageri, i Institutit Josif Bageri në USHT, i Branko Manojllovskit, Mateja Matevskit ose Branko Sinadinovskit.

Për Rekën shqiptare kemi dëgjuar për herë të parë, jo vetëm nga Josif Bageri, por edhe nga një “maqedonas” i paasimiluar me origjinë nga Reka: Todor Popovski, pronar i shitores “Detska radost” (Gëzimi i fëmijëve) në Tetovë. Sipas tij, “Para se ta pushtojnë serbët Maqedoninë (1913), ne kishim mbiemrin Prifti, pastaj administrata serbe e shndërroi në Popoviç, kurse administrata pasnllaviste e Shkupit, më 1945 na bëri Popovski. E sheh Kishën “Sveta Bogorodica” në Çarshi të Epër? Mbaj mend gjyshen time që më thoshte se ajo kishë pagëzohej dikurë “Shumbria”, që don të thotë “Shën Maria”.

Shqipëria është El-Doradoja e folklorit botëror, ka theksuar etnologu rumun Mihai Pop, gjatë shekullit të kaluar. Një ambicje, një plan, një projekt dhe një fillim i mbarë. Ky është fati i znj. Edibe Osmani për realizimin e dëshirave të saja editoriale. Tjetra vjen nga vetëvetja: jeta personale, familiare, shoqërore, profesionale.  Autorja për herë të parë botoi veprën “Lirika popullore në trevat e Tetovës dhe të Gostivarit  I” (Shkup 1993). Në një hapsirë tipografike prej 319 faqesh, defilojnë  1.194 këngë lirike me një tufë të fjalëve të rralla, të  barbarizmave dhe disa provincializmave. Meqë folklori është i lidhur ngusht me ritet e besimet në popull, ishte e domosdoshme të botohet vepra e saj e dytë, “Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivar”, ku janë përfshirë 48 kremte fetare ndër shqipfolësit e krishterë të Rekës së Epërme. Pasojnë ceremoni rituale me një numër të konsideruar këngësh të kënduara në oborrin e kishës dhe të ceremonive tjera që  kryhen te kroi, gjatë festave të Pashkëve, Buzmit, Shën Mitrit, Kërshëndellave e tjerë. Në këtë kontekst përshkruhen llojet e bukës rituale, rite për të rënë shi (Reka e Epërme), një cikël i veçantë “Kulti i gurit dhe i shpellave”. Libri ka gjithësejt 132 faqe (Shkup 1997).

Zonja Edibe Osdmani vazhdoi me vjeljen e folklorit shqiptar dhe botoi veprën “Lirika popullore në trevat e Tetovës dhe të Gostivarit II”, me 1.315 (Shkup  2007), me këngë lirike të ndara në cikle si: Këngë për ditën e verës, Këngë për Shën Gjergjin, Vargje e këngë për reshjet atmosferike, Këngë dhe lojëra fëmijësh, Këngë shëlhuri, Vargje për qyqen, shpezët, breshkën, bretkosën, buklën, gjarpërin e të ndryshme, Këngë kënduar insekteve, Këngë për punë dhe prodhimin, Këngë bletësh, Këngë syneti, Këngë baritore, Këngë  dashurie, Këngë të dashurisë dhe erotike, Këngë e valle, Kallanxhojkëngë për msitin, Këngë për fejesën, Këngë dasme e tjerë. Libri ka gjithsejt 437 faqe, me një fjalor të fjalëve të rralla që do t’iu shërbejë bibliotekave dhe studiuesve të ardhshëm.

Dhe ja, që nga viti 2012, profesoresha Edibe Osmani vjen para opinionit edhe me veprën ”Veshja autoktone e femrave të Rekës së Epërme (Authentic clothing of women from Reka e Epërme (ArbëriaDesign, Tetovë,2012). Studiuesja e realizon përshkrimin përmes katër etapave për secilën veshje: historiku, struktura lëndore, struktura morfologjike dhe struktura moshatare. Gjithashtu, në disa  prej  veshjeve analizohet edhe destinimi dhe mënyra e veshjes. Përgjatë këtij procesi përshkrues, autorja jo vetëm liston pjesët e veshjes, por edhe mënyrën se si ajo  formësohet, duke filluar nga materiali, për të  vazhduar me procesin e realizimit,  zbukurimit dhe përdorimit. Kështu, duke nisur nga veshjet e brendshme, rreshtohen në vepër 38 aksesorë përbërës të veshjes së gruas së kësaj zone. Ajo që tërheq vëmendjen përgjatë leximit është syri vëzhgues dhe analizues i detajeve të veshjes.

Gjejmë shpesh të përshkruara motivet e qëndismave që zbukurojnë këto veshje, motive këto që ndërlidhen me origjinalitetin dhe imagjinatën e shprehur në ornamentikën dhe koloritin e veçantë  të tyre. Këto elemente, jo rrallë bëhen edhe dallues ndërmjet veshjeve të trevave të ndryshme, detajet  dhe informacionin për të cilat Edibja e sjell të plotë dhe të shoqëruar edhe me analizë,  ku theksohet lashtësia e tyre, si në rastin e tallzukeve me motive gjeometrike dhe me tre apo pesë ura të cila lidhen me kultin e diellit. Autorja sjell argumente në  lidhje me faktin se te këto veshje, gjurmët çojnë në qytetërimin ilir. Në vend të pasthënies, në vepër u përfshi edhe Kumtesa shkencore e prezentuar në Alb-Shkenca: “Takimi VI vjetor shkencor ndërkombëtar” (Prishtinë 1-4 shtator 2011), me titullin: Simbolizmi ilir dhe motivet zoomorfe në veshjen e Rekës së Epërme (Analogji me simbolet ilire të gjetura në nekropolet e qyteteve antike të Maqedonisë, si ai i Lihnidës, Trebenishtit, në nekropolin e Prilepit, Shtipit dhe qyteteve tjera).

Para nesh kemi një vepër të ilustruar me mjaft fotografi në kolor për çdo pjesë të veshjeve, si dhe foto të bëra në teren nga zonja Osmani. Po kështu ngjet edhe me librin e saj më të ri, “Veshja autoktone e meshkujve të Rekës së Epërme” (ArbëriaDesign, Tetovë 2014). Autorja vë në lëvizje një subjekt që ngjall kureshtjen tonë për identifikimin e trojeve dhe të identitetit shqiptar. Edibja hapëron me të djathtën në jetë, duke u ndërlidhur me një subjekt që ia siguron suksesin. I pajisur me një fotodokumentacion të pasur dhe i botuar në dy gjuhë (shqip-anglisht), libri i saj më i ri strukturohet në dy kapituj: “Simbolizmi Ilir dhe motivet antropomorfe në veshjen e Rekës së Epërme” dhe “Pjesët e veshjes”. Pasojnë Burime bibliografike, Fajlori i fjalëve të rralla, kurse në vepër u përfshi edhe Kumtesa shkencore e prezentuar në Alb-Shkenca “Takimi VII vjetor shkencor ndërkombëtar, Tiranë 27-30 Gusht 2012”.

Përndryshe, Edibe Osmani është profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e lindur në Gostivar më 26.12. 1952. U diplomua në Fakultetin Filologjik (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe) në Shkup (1984). Punon dhe krijon në Tetovë. Kultura popullore e popullit shqiptar ka qenë gjithmonë e preferuar për atë, me këngët folklorike, ritet dhe besimet ajo ka ushqyer dhe mbajtur shpirtin e saj. Si që dihet gjatë punës së saj /vjeljes së këngëve lirike – 2.570 këngë të botuara në dy vëllime kushtuar lirikës pullore në trevën e Tetovës dhe të Gostivarit, të lidhura ngusht edhe me ritet e besimet, si te ortodoksët shqipfolës të Rekës së Epërme, poashtu edhe të viseve tjera në fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit.