
Koalicioni antiosman i Papa
Kalistit të III dhe Skënderbeu (1455-1458)
Nga Dorian Koçi
Në shekullin XV pellgu i Mesdheut
vazhdonte të reflektonte ndarjen e vjetër që nga shekulli VII mes dy botësh, asaj të krishterë dhe
asaj islamike, që me të drejtë siç thekson Anri Piren kishte formuar jo vetëm
etnitete të ndryshme politike e shtetërore por edhe dy botë të kundërta
kulturore. Shfaqja e arabëve në brigjet e Mesdheut në shekullin VII e theu unitetin e botës së krishterë
dhe krijoi premisat për shfaqjen e një kulture dhe identiteti të ri fetar, që
përpiqej të afirmohej fort mbi mbeturinat e botës antike dhe në lulëzimin e një
kulture kristiane, që kishte karekterizuar deri më atëherë rajonin. Ky konflikt
do ravijëzohej fuqishëm në mentalitetin e Mesjetës së Hershme dhe do të sillnin
në pah jo vetëm e Luftërat e Shenjta islamike për të pushtuar gjithë Mesdheun,
por edhe një frymëzim kristian për t’i zbrapsur dhe akoma më tej dhe për të
pushtuar Vendet e Shenjta, të njohura në historiografi me emrin Kryqëzata.
Kryqëzatat u quajtën fushatat luftarake të kristianëve të Evropës
Perëndimore drejt Lindjes për çlirimin dhe mbrojtjen e Vendeve të Shenjta dhe
veçanërisht të Varrit të Tërëshenjtë. Me bekimin e Papës së Romës kryqëzatat
morën karakterin e një lufte të shenjtë kundër armiqve të krishtërimit.
Pushtimi i Jeruzalemit nga muslimanët pati jehonë të madhe në Evropën
Perëndimore pasi pelegrinët nuk mund të vizitonin pa rreziqe Vendet e
Shenjta.
Për
territoret e Arbërit apo më mirë “Dheun e Arbërit” si kishin filluar të
quheshin territoret në të cilat etnia e dikurshme ilire kishte përfituar këtë
onomastikë të re, Kryqëzatat ishin një mundësi më tepër për të kontaktuar me
etni dhe etnitete të tjera feudale pasi vendi i tyre shtrihej në një nga rrugët
kryesore që lidhte Perëndimin me Lindjen. Ky pozicion gjeografik, i cili sa
ishte si një bekim për të shërbyer si një urë mes dy botëve por po aq i madh
ishte dhe tributi shpirtëror, që duhet të paguante për realizuar kohezionin e
duhur psiko etnik, që varionte mes dy qendrave të mëdha të qytetërimit, Romës
dhe Konstandinopojës, kish krijuar premisa të vështira për të pasur një bazë
teritoriale dhe dhe një njësi të përbashkët kulturore. E megjiatë përcaktimi i
mësipërm nuk mund të jetë shterrues, pasi duke studiuar shfaqjen e parë të një
libri në gjuhën shqipe siç është “Meshari” i Gjon Buzukut me
të drejtë Çabej konstaton se edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka
munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, ka pasur treva me një besim të vetëm, një
besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në lëmin
gjuhësor. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre
shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në
Shkumbin. Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh
të tërë, duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin
dhe zhvillimin e një gjuhe letrare me karakter kishtar.[1] Përplasjeve
fatale të dy qendrave të qytetërimit Romës dhe Konstandinipojës do t’i shfaqej
dhe kërcënimi i ri osman në fillimet e shekullit XV ku “Dheu i Arbërit” sërish do
të bëhej një teatër luftimesh. Ky kërcënim do të ishte njëlloj si ai shekullit VII, por shumë më agresiv dhe asimilues se
pushtimet e para arabe të pellgut të Mesdheut. Kërcënimi kësaj radhe ishte më
tepër tokësor, pasi osmanët nuk zotëronin flotë të mjaftueshme për të sunduar
në dete. Pas betejave të Maricës 1371, Fushë-Kosovës 1389 dhe Varnës 1444
rrugët ishin hapur për një depërtim konsekuent të osmanëve në Europën Lindore,
pothuajse periodik në fushatat pushtuese që organizonin çdo fillim pranvere. Ledhi
i parë mbrojtës i Europës ishte Hungaria e Janosh Huniadit, rruga kryesore prej
nga osmanët depërtonin në Europë, ndërsa prej vitit 1444 një prapavijë e
rrezikshme për ta ishin dhe territoret që zotëronte Skënderbeu në Arbëri. Duhet
përmendur se në fillim aksioni i Skënderbeut dhe roli i qendresës shqiptare,
pavarësisht mbështetjes morale pas fitores së betejës së Torviollit u
panë me dyshim në Itali, duke demonstruar një farë pasigurie në pritje sesa
Kastrioti, me numrin e vogël të njerëzve të tij, do të mund të bënte kundër
atij që gjithmonë dukej si kolosi turk.[2] Ky
dyshim përforcohej edhe nga fakti që Skënderbeu në dallim nga fisnikët dhe
princat e tjerë shqiptarë të kohës nuk njihej gjerësisht në Itali, prandaj
mbështetja dhe përkrahja morale që dhanë Papët e Romës Eugjeni IV, Nikola V,
Kalisti III, Piu II dhe Paolo II aksionit të tij
shërbyen si kredenciale të besueshme për rolin dhe vendin e tij kryesor në të
gjitha koalicionet antiosmane, që u ndërmorrën në kuadër të unitetit të një
Europe të krishterë. Kjo mbështetje sigurisht që nuk i vlejti vetëm
Skënderbeut, por luajti dhe një rol të rëndësishëm në faktorizimin e elementit
arbër si partner i barabartë së bashku me fuqi të tjera europiane antiosmane si
Republika e Raguzës, Venediku, Mbretëria e Siçilisë, Mbretëria e
Hungarisë, Dukati i Burgonjës etj. Përpjekjet e Papëve të Romës për të
ringjallur zellin e dikurshëm fetar dhe për të mobilizuar botën perëndimore në
një kryqëzatë kundër osmanëve, duke marrë shkas nga rezistenca e Skënderbeut,
fillojnë që me Papën Eugjen IV, që ëndërroi të organizonte një të tillë nën
udhëheqjen e nipit të tij ku padyshim fatosi shqiptar do të kishte rolin e vet,
por në formë më të organizuar ato dalin gjatë kohës kur u zgjodh si papë i
Romës, Kalisti III. Papa
Kalisti III u shpall si i tillë në datën 8 prill 1455 dhe u shugurua në datën 20
prill. Kardinal Alfonso de Borja (i italjanizuar në Borxhia) ishte 80 vjeç kur
erdhi në krye të Selisë së Shenjtë dhe kishte lindur në Jativa, Valencia, ish
kanonizuar nën Benedetin XIII dhe qe njohur më pas nga Martini V, që e emëroi
ipeshkëv të Valencias. Kishte kaluar një periudhë kohe në Itali, në Napoli në
oborrin e Alfonsit V, por duke qenë se ky i fundit ishte shumë antiklerik, u
largua e u zgjodh kardinal prej Papa Eugjenio IV. Papa Kalisti III në dallim nga paraardhësit e vet
Eugjenio IV dhe Nikola V nuk shfaqte kurrfarë interesi për librat, për
politikën kulturore e as nuk e interesonin artistët, por pavarësisht këtij
mosinteresimi përeth shkencave humane edhe pse ishte 80 vjeç, ai ishte një
njeri i veprimit që i interesonte rregulli publik dhe mbi të gjitha si spanjoll
që ishte ushqente një zemëratë të pashoq ndaj arabëve që kishin sunduar prej
kaq kohe në Spanjë dhe ndaj osmanëve që po kërcënonin Europën.[3] Ai
shoshiste me vete një plan madhështor: sulmimin e turqve nga toka dhe deti;
komandën e lartë të mësymjes tokësore donte t’ia besonte Pricit Filipo të
Burgonjës, kurse në krye të flotës mendonte mikun e tij Alfonsi V nga Napoli.
Për fat të keq, pritshmëritë qenë zhgënjyese. Dukej se predikonte në
shkretëtirë.[4]Papa nuk u
shoqërua në ndërmarrjen e vet nga askush. Venediku nuk donte të thyente paqen e
përfunduar dy vjet mëparë me Sulltanin, Francesko Sforca i dukatit të Milanos
përkudesej më tepër të përforconte zotërimet e veta në Lombardi, Firence nuk
lëvizte ndoshta jo kaq e pakënaqur nga përparimi i turqve kërcënues për fuqinë
veneciane.[5] Për fat të
keq, Europa kishte hyrë në epokën ku nuk po funksiononte më si një trup
i krishterë universal, por si një kundërvënie etnitetesh politike kombëtare për
rivalitet e hegjemoni.[6] Ky faktor së
bashku me faktorin tjetër të organizmit të ushtrisë mbi baza mercenare ishin
disavantazhe, që shkaktonin pasoja të mëdha në krahasim me osmanët ku Lufta e
Shenjtë mobilizonte hordhi të panumërta nën flamurin e Sulltanit. Megjiatë Papa
Kalisti III nuk u ligështua, por iu vu vetë me të
gjitha fuqitë e veta për të organizuar Kryqëzatën. Papa Kalisti III (1455-1458) ishte ideatori i
ndërrmarjes së një kryqëzate, e cila u quajt "Liber Brevium Callisti
III".[7] Predikuesit
iu drejtuan turmave popullore duke u bërë thirrje "të rrokin kryqin"
për të luftuar armiqtë e besimit. Kontigjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh
në Gjermani, Bohemi dhe Hungari në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da
Kapistrano[8]. Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje
ishte pjesëmarrja e këtij kontigjenti forcash në marrjen e Kështjellës së
Beogradit nga ana e forcave hungareze me në krye Janosh Huniadin më 6 gusht
1456. Më 6 gusht 1456 në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit,
mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast papa
organizoi festime falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte
etapa e parë, tashmë lipsej të marshonte drejt Konstandinopojës dhe Jeruzalemit.[9] Mirëpo
pavarësisht kësaj ndërmarrje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për
Kryqëzatën duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin e vet
pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht ndaj
shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në betejën
e Beogradit ku kryqëtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre
asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë[10]. Në përgjithësi
shoqëria feudale e Europës pasqyronte në atë kohë nganjëllimin e një sistemi
interesash të ngushta individuale dhe dukej qartë që Universalizmi i Kishës po
humbte terren. Kjo gjë dukej edhe në qendrimet morale ndaj Kryqëzatës të
njerëzve që i ishin përgjigjur apelit papnor. Kishte mes tyre edhe
njerëz që rroknin kryqin veç për të gëzuar avantazhe, duke iu përvjedhur
detyrimeve: për shembull kishte kryqëtarë që nuk u nisën kurrë për në luftë,
duke gëzuar ndërkohë privilegjin kanonik të të mos qenit të detyruar të
paguanin borxhet e tyre. Të tjerë bëheshin kryqëtarë falë një ethshmërie të
shkujdesur fetare, apo ndoshta për të zgjidhur situatat e përveçme të vështira të
dëshpëruara, duke qenë veçse krejt të pazotë nga ana ushtarake, aq sa vetë
Papës iu desh të urdhëronte lirimin e tyre përfundimtar[11].
Gjithësesi
pavarësisht kësaj situate që pasqyrohej në grumbullimin e forcave tokësore,
Papa Kalisti III duke ndjerë avantazhin dhe epërsinë që
kishin fuqitë kryesore europiane në det, kish filluar punën për ndërtimin e flotës
në ujërat e Teverit. Për ndërtimin e flotës ai shpenzoi shumë, madje
kur iu mbaruan paratë shiti edhe thesaret papnore, deri dhe enët e kuzhinës së
vet duke deklaruar se më mjaftojnë pjatat prej balte. Më një qershor 1456 u
punua fort dhe anijet zbritën mbi Tevere dhe nën udhëheqjen e patrikut të
Akuiles, Ludoviko Skarampi Mecorotta mbërritën në ishullin e Rodit për tu
ardhur në ndihmë kavalierëve të ishullit ë Rodit.[12]
Në këtë
kontekst Europian të përpjekjeve të Papa Kalistit III për organizmin e një Kryqëzate të
sukseshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për t’i
pasur pjesë të rëndësishme të kësaj kryqëzate. Edhe pse Skënderbeu kishte
pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe luhatjeve të pushtetit të tij
pas tradhëtive të nipërve të vet Gjergj Stres Balshës, që kish dorëzuar
kështjellën e Modricës në 1456 dhe Hamzait në 1457, pas fitores mbi ushtrinë e
udhëhequr Isak Bej Evrenozi, gjenerali më me përvojë osman përsa u përket
betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti, e njohur
si Beteja e Albulenës, ai përfitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa
Kalistit III dhe mbi të gjitha vlerësimet pozitive
të shpërndara në të gjithë oborret e Europës përmes korrespondencës të Papës me
këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Pika më e
fortë e kryqëzatës ishte flota, e cila përbëhej nga 40 anije luftarake.Duke i
marrë parasysh këto anije dhe manovratorët e tyre ose njerëzit të armatosur që
i shoqëronin, e të cilëve ne nuk mund t;ua njohim numrin, duke llogaritur 200
vetat e ekuipazhit dhe 300 luftëtarë për çdo anije luftimi, mund të arrihet në
përfundimin e një force të përgjithshme prej 20 mijë vetash, nga të cilët
12 mijë ishin luftëtarë.[13]Në vitin
1457 Papa Kalisti III
në pamundësi për të mbështetur në një front total Skënderbeun, dërgoi një anije
të vetme e cila në fakt mund të merrej më shumë si një demonstrim mbështetjeje
sesa force. Në planin teorik të Kryqëzatës Skënderbeu zinte një rol kryesor në
rrshtimin e forcave ku Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për
Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, Ipeshkëvi i Krajës Pal
Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetën në
Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi besojmë , ndoshta për të mbledhur në
të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën për të mbështetur pozicionin e
saj ë lëkundur, e kësisoj drejt për së drejt të rrezikshëm për Shqipërinë[14]. Skënderbeu arriti
ta mposhte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu shembulli i tij nga motiv
ndihmash, u shndërrua në motiv inkurajimi për princat e krishterë në luftën
kundër turkut. Ky fakt duket qartë në letrën që i dërgonte mbretit të
Hungarisë, Matia Korvinit: Falë fitoreve të tjera të arritura nga biri
ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut
duhet të jenë ligështuar në maksimum[15]. Në
vijim Papa Kalisti III
flet me superlativa për Skënderbeun duke e quajtur atë kavaljer trim dhe atlet
i Zotit: Në Shqipëri, kavaljeri dhe atleti i Zotit, Skënderbe forca dhe
qëndresa jote shpirtërore, që ti vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e
vazhdueshme që ti duhet të përballosh...I falemi Zotit për vendin tënd, që të
ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm, mbi të cilin turren
duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me
të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah, sikur të kishim edhe të
tjerë me vlerën tënde, mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të
ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë![16] Kjo
korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në Kryqëzatë
pasi menjëherë pas fitores së Beogradit nga kufomat e shumta si dhe nga
mungesa e ushqimeve shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur
dhe Janosh Huniadi më 11 gusht 1456 ç’ka e kishte komplikuar shumë
fatin e Kryqëzatës së porsafilluar. Në këto rrethana i vetmi udhëheqës i
sprovuar, që do të mund t’i bëntë ballë osmanëve mbetej prijësi shqiptar,
Skënderbeu. Kjo ishte arsyeja që Papa Kalisti III në subvencionet e mbledhura në Dalmaci
urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë,
mbretit të Bosnjës si dhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Ndërsa Legatit
Karvajal i shkruante: Duke mësuar se është mbledhur një shumë e madhe
parash në Dalmaci, e që në të ardhmen mendohet të mblidhen akoma dhe më shumë,
kemi vendosur t’i ndajmë në një mënyrë të caktuar midis bijve tanë të
shtrenjtë, mbretërve të shquar të Hungarisë dhe Bosnjës dhe pjesën e tretë
birit të zgjedhur Gjergj Skënderbeut, zotërisë së Shqipërisë.[17] Navarr
do të shkonte fillimisht në Venecia për të diskutuar të drejtën e përdorimit të
parave të mbledhura, në vijim duhej të shkonte tek Karvajali, i cili kishte në
ngarkim frontin e luftës dhe në fund duhet të shkonte tek Skënderbeu: Po
të dërgojmë Navarrin...që të mbërrijë te Fisnikëria juaj e të qëndrojë derisa
të jetë më e mira.Navarri...të shkojë personalisht te i lartpërmenduri
Skënderbej e të autorizojë mbështetjen me shpirt dhe afshin tonë për luftën,
duke i referuar gjithashtu edhe disa detaje për të cilat është i autorizuar
edhe nga ana jonë. Ndërsa Skënderbeut i shkruante: Do ta gjesh
Papën, edhe përtej forcave të tij, të gatshëm për të të ndihmuar ashtu siç do
të dëgjosh të të referojë fortësisht edhe vetë Giovanni Navarr, komisioneri
ynë.[18]
Ndërkohë
është interesant fakti i përfshirjes së Kalorësit anglez John of Newport, për
të cilin në historigrafinë shqiptare shkruhet se në këto beteja kundër
turqve, në verë dhe në vjeshtë të motit 1457, një kalorës anglez Xhon of
Njuport (John of Newport) mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh. Në
shoqëri të një ambasadori të Skënderbeut, duke u kthyer nga Napoli, erdhi në
Romë për të kërkuar ndihmë për prijsin shqiptar, që ende është në rrezik prej
turqve Xhon of Njuport si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i
bëri asaj një vlerësim shumë të lartë duke u shprehur kështu: Invazioni i
Evropës është i sigurtë, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund t’i bëjë këtë
rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare.[19]Kalorësi
John of Newport përmendet për herë të parë në historiografinë shqiptare para
këtij shënimi të Skënder Luarasit në artikullin e tij të gjatë “Skënderbeu në
letërsinë angleze”, në “Historinë e Shqipërisë’ që vitin 1967, por në të
dyja rastet nuk përmendet roli i tij si i dërguar special i Papa Kalistit III në këto territore.[20] Sipas
dokumentacionit të publikuar në arkivat angleze pwr bulat papnore kalorësi John
of Newport ishte i dërguari i Papa Kalistit III në Bosnjë, Slavonia dhe Shqipëri dhe
oborrtar e këshilltar i Alfonsit të Aragonës nga dioqeza e Winchester i cili
ishte dërguar në këto vende me 15 veta të familjes së vet[21] dhe më pas
pas një qëndrimi prej disa muajsh në Arbëri ai kryen edhe detyrën si ambasador
i Skënderbeut në Perëndim. Për më tepër në dokument shkruhet se
Kalorësi John of Newport është i pajisur me këtë dokument për
vetëm tetë vjet dhe u kërkohet të gjithë autoriteteve ti garantojnë një udhëtim
të sigurtë.[22]Ai shoqëronte
Paolo Kazulo, ambasadorin tjetër të Skënderbeut, të cilët siç del nga një bulë
e Kalistit III për Kastriotin më 6 shkurt 1458 se janë personat që kanë çuar këtij të
fundit lajmin e fitores së Albulenës.[23] Ndërkohë Papa
Kalisti III hodhi idenë për të mbajtur një kongres
në Romë, i cili do të ripërtërinte përpjekjet e princëve kristianë. Kongresi
u mbajt në gusht të vitit 1458. Qëllimi i kongresit ishte të mblidhte
"Oratorët", të cilët do t’i bënin thirrje popullit për tu hedhur në kryqëzatë.
Kongresi u zhvillua nga dhjetori deri në muajin shkurt, me qëllim që të bëhej
përgatitja e forcave ushtarake përpara verës[24]. Plani mësymës i
kryqëzatës ishte për t’i dhënë përparësi frontit shqiptar. Skënderbeut iu
dërguan pesë mijë dukatë dhe iu premtuan pesë mijë të tjera brenda një kohe të
shkurtër: Po të japim ndihmë urgjente, 5 mijë florinat e Dhomës së
financës, e shuma të tjera do të japim, akoma dhe më të mëdha, siç shpresojmë
në të ardhmen.[25] Gjithashtu
në një letër tjetër që Papa Kalisti III u dërgonte tre depozituesve të parave
të kryqëzatës në Gjermani më datën 8.VI. 1458 shkruhej: Ne i vijmë në
ndihmë Skënderbeut dhe tokave e vendeve të tjera, që ata të mos shkatërrohen
nga turqit e pabesë.[26]Me këto
para Gjergj Kastrioti duhej të forconte pjesën e frontit. Gjatë muajve
maj-qershor Papa Kalisti III
vazhdonte të kërkonte para për të mbështetur kryqëzatën. Për fat të keq Papa
Kalisti i III i paepur do të vdiste në 6 gusht 1458
dhe në vendin e tij u zgjodh Papa Piu II. Njësoj si paraardhësi i tij edhe Papa
Piu II ushqente idenë e një kryqëzate. Ndërkohë synonte të mblidhte një kongres
që të binte në marrëveshje me gjithë sovranët e krishterë, për t’i hedhur në
luftë kundra turqve.
Skënderbeu
dhe qëndresa e tij ishin kthyer tashmë në referenca të rëndësishme për fatin e
Europës dhe kjo gjë jo vetëm që rriste rolin e tij në elitën princërore
europiane, por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve
në fatet politike dhe kulturore të kontinentit. Ndërmarrja e kryqëzatës
antiosmane nga ana e Kalistit III dhe përfshirja e Skënderbeut në të,
hodhi bazat e politikës konsekuente të Heroit shqiptar, i cili deri në fund të
jetës nuk ndërmorri paqe me Europën dhe mbeti ashtu si e kishte cilësuar Papa
Kalisti III në 23 dhjetor 1457, “fortis athleta et
verus propugnator fidei Cristianae” - Atlet i fortë dhe mbrojtës i
Krishtërimit.
Bibliografi:
1- At
Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458).
Plejad:Tiranë, 2009
2- At
Giuseppe (Zef) Valentini. Skënderbeu dhe Papati. Plejad:Tiranë 2009
3- Petrit
Nathanaili. Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga origjina deri më sot. Filara: Tiranë
4- Skënder
Luarasi. Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967
Internet: http://www.british-history.ac.uk/report.aspx?compid=103678

[1] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458).
Plejad:Tiranë, 2009 faqe 15-16
[2] At Giuseppe
(Zef) Valentini. Skënderbeu dhe Papati. Plejad:Tiranë 2009 faqe, 11
[3] At Giuseppe
(Zef) Valentini. Skënderbeu dhe Papati. Plejad:Tiranë, faqe 149-150
[4] Po aty, faqe
151
[5] Po aty, faqe
151
[6] Petrit
Nathanaili. Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga origjina deri më sot. Filara:
Tiranë, faqe 78
[7] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 163-164.
[8] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 169
[9] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 153-154.
[10] Po aty faqe
169
[11] Po aty faqe
170
[12] Po aty,
faqe 152-153
[13] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 171
[14] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 185-186
[15] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458)
faqe, 208
[16] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 233-234.
[17] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 231.
[18] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458)
faqe 233.
[19] Skënder
Luarasi. Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967,
f.122
[20] Shpëtim Mema.
Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:8 nëntori, 1988,
faqe 16
[21]1456(rectius1457).16Kal.July.(16June.)St.Peter's,Rome.(f.
331d.)To all and singular to whom the present letters shall come.
Requesting a safe conduct, to be valid during eight years only, for John
Newport, knight, of England, the pope's commissary to Bosnia, Slavonia and
Albania, and chamberlain (camerlengus) and counsellor of Alfonso king of
Aragon, of the diocese of Winchester, who is going on business of the pope to
divers parts of the world, and for fifteen companions, members of his
household. Cum dilectus filius. (M. Ferrarii.
| A. Lumpe.) [½ p. In the margin at the end
is ‘Sine taxa.’ See above, p. 113. http://www.british-history.ac.uk/report.aspx?compid=103678
[22] Po aty
[23] At Giuseppe
(Zef) Valentini. Skënderbeu dhe Papati. Plejad:Tiranë 2009 faqe, 29
[24] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 198-199
[25] At Giuseppe
(Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458),
faqe 235.
[26] Po aty, faqe
235.