Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaban Peraj: Në vend të urimit

| E hene, 29.12.2014, 04:54 PM |


Në vend të urimit

Nga Shaban Peraj

Është në traditën e çdo shoqërie që në fund të vitit të përmbyllen të arriturat e një pune njëvjeçare, qofshin ato pozitive apo negative. Por, a mund të flasim ne shqiptarët për arritjet tona, ku jemi dhe çfarë kemi lënë pa realizuar, në një kohë kur të gjithë tentojnë të japin mesazhe pozitive pa qenë koshient për mosrealizim të premtimeve të dhëna gjatë fushatave elektorale. Thërrasim veten tonë në zbatim të ligjeve, në fakt pretendojmë ligjet, por nuk i praktikojmë në jetën tonë e as që jetojmë me ligje! Ku është ligji në edukatën tonë, në kulturën tonë e sjelljet tona personale e shoqërore? Ku është ligji në traditat tona e organizatat tona në përgjithësi? Këtyre pyetjeve do duhej t’u përgjigjen ata që i miratojnë, dhe ata që duhet t’i zbatojnë. Kjo për faktin se ne po anashkalojmë ligjet, në vend që të jetojmë si popull me dinjitet e të vazhdojmë me begatitë që i kemi. Kjo në vitin që po e lëmë pas nuk ndodhi, përkundrazi me sjelljet dhe veprimet që tregoi elita politike shqiptare sikur bëhen se nuk shohin, nuk dëgjojnë duke ua hedhur fajin të tjerëve! I thërrasin të tjerët të zbatojnë ligjet, të udhëzojnë, çështje kjo e cila nuk është temë e bisedës sime tani. Biseda ime është rreth pyetjes: A kanë ndërgjegje, a kanë moral këta prijës të korruptuar, hajna e kriminelë politikë të ditëve të sotme? Shqiptarët jetojnë me shpresë se fillimshekulli i ri do t’i sjellë përparim, zhvillim ekonomik e kulturor, duket se për ta është humbur besimi që u dhanë këtyre kodoshëve për të udhëhequr vendin. Kush tjetër vjel e rrjep popullin  për ta sunduar sa më lehtë se këta të sotmit, këta të cilët do duhej të mos ishin në pushtet gjatë gjithë vitit që po e lëmë pas. Folën gjoja për reforma të reja, e reformat nuk duken kund, përkundrazi sollën përçarje, skamje e vuajtje për popullin e vetë. Ku është parë e dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të burgoset qytetari  vetëm se nuk ka me çka të paguaj dritat, ku ndodhë në ndonjë vend tjetër anëtar i NATO-s që qytetarët të organizuar të marrin rrugët e Evropës për të kërkuar jetë më të mirë, ku është parë që nga pasiguria të vritet qytetari në pikë të ditës dhe askush të mos dijë nga kush i erdhi e keqja, duke mos u skuqur fare për këto fatkeqësi kombëtare, këta na flasin për rezultatet e “arritura” në përmbyllje të këtij viti! Si nuk skuqen para këtij populli të vuajtur tash e disa dekada, si nuk reflektojnë pak, jo për diçka tjetër por së paku të mos lejojnë t’u dalin të palarat në sipërfaqe.

Orkestrim i njëjtë edhe në Kosovë, po edhe në trojet e tjera shqiptare, me të njëjtën formulë veprohet e punohet. Gjatë gjithë vitit dëshmuan se nuk kanë moral, se nuk dinë çfarë është etika njerëzore duke na e bërë akoma më shqetësuese jetën tonë të nesërme. Gojët e tyre të mbushura me fjalë e retorika boshe për gjashtë muaj të tërë, ndonjëherë thonë: Dëgjuam dhe respektuam, madje vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë çështje e cila shkon në interes të tyre, përndryshe e refuzojnë atë që u thuhet. Të njëjtit hedhin në tregun politik fjalë që nuk do duhej t’i thoshte një qytetar i zakonshëm e lëre më persona akademikë, vetëm e vetëm për të ikur nga realiteti i përditshëm! Cili popull është ky çështja e të cilit arriti deri në këtë gjendje, i kujt është, pse duhet të lëshojnë trojet e veta, e këta kriminelë politik bëhen sikur në Kosovën martire nuk ka diçka të re? E deformuan mendjen e shqiptarit në Kosovë, e bënë atë të vritet nga skamja që e ka kapluar, të humbë çdo shpresë se një ditë do bëhet më mirë, në vend që këta të vënë në veprim të gjitha mekanizmat institucionale, për të shpëtuar popullin e vetë harxhojnë kohë për të zënë kolltuqet shtetërore! Të njëjtit një kohë të gjatë në mendje kishin se kush do bëhet i pari i qeverisë, po çka se institucionet nuk funksionojnë aspak, ndaj edhe radhët e autobusëve  për të bartur ata “fatkeq” drejt vendeve të Evropës nuk ishin shqetësuese për këta hipokritë politikë, problem ishte fotelja që do zënë pa menduar se kanë hak ndaj këtyre skamnorëve. Të tillë janë këta injorantë që tash e sa vite mbajnë kupolën politike në Kosovë. Nga halli që sollën këta politikanë shqiptarët vazhdojnë të lypin , të gjurmojnë filozofinë e Perëndimit  duke bredhur këtu e atje, të hanë në tryezat e tjetërkujt vetëm për fajin e të tjerëve. Jeta e shqiptarëve të Kosovës u prish, atë e prishi injoranca, pa pasur kush t’i ndihmonte ata e t’i forcojë pas dobësisë, pa pasur kush t’ua mësojë rregullat në vend të kaosit, t’ua përmirësojë jetën në vend të varfërisë, ku të pasurit harrojnë se ua kanë borxh të varfërve. Çfarë të bëjmë kur as edhe për një moment nuk na hiqen maskarenjtë e dallaverxhinjtë që kanë zënë pozitat dhe tash na udhëheqin? Te shumica prej tyre sheh vetëm maska e pak fytyra. Sot është vështirë të jetohet shqip, populli sheh, populli dëgjon, populli duron dhe ai njeh secilin prej nesh, prandaj ai di se kush janë të pandershmit, të pamoralshmit e maskarenjtë e sotëm. Kështu siç është sot rënkojmë nga amoraliteti, dështimi ekonomik, shkatërrimi shoqëror, shpërbërja familjare, çrregullimi politik e përçarja falë kësaj elite politike që po udhëheq Shqipërinë, Kosovën  e trojet e tjera etnike. Për ne shqiptarët, viti që po kalon dhashtë Zoti të mos përsëritet më, “e mbramja me hajr” – thotë populli. Po me ke, me këta që nuk ia dinë fundin pasurisë  përmes korrupsionit, jo nuk kemi pse t’u besojmë. Të njëjtëve duhet thënë ikni sa më parë, ikni se keni shumë për të paguar për këtë popull që e keni mjeruar, e keni bërë të flasë me veti.