Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ireshtansi: "Rrjedh nga një familje e varfër''

| E diele, 21.12.2014, 06:05 PM |


"Rrjedh nga një familje e varfër, bujare dhe patriotike"

Shkruan: Ireshtansi

Këtë fjali të dëgjuar e lexuar kushedi sa herë e dëgjova edhe sot në një emision në RTK kushtuar një dëshmori të luftës. Është një fjali ku fjalët përbërëse nuk mund të qëndrojnë  bashkë, megjithatë janë zgjedhur për t'i ngushëlluar e për t'i ushqyer një ndjenjë krenarie të rrejshme personit apo personave që njërën nga fjalët mund ta kenë mbiemer te tyre. Ketu në shënjestër është personi i varfër, por do t'i kthehem kësaj pak më poshtë pasi te jem përpjekur të zberthej këtë fjali që nis përshkrimin e personit tonë të shquar.

Njeriu mund të rrjedh nga një familje e varfër dhe deri këtu çdo gjë është në rregull, por kur i shtohet kësaj fjalie edhe fjala"bujare" atëherë ketu ka dicka që nuk shkon. Familja e varfër mezi mbahet për vete dhe këtu gjendja materiale por edhe emocionale si rrjedhoj e të parës,janë të paqëndrueshme dhe kjo i pamundëson kësaj familje të shpalos anët e mira të saj siq është bujaria. Në anën tjeter njerëzit bashkëveprojnë sepse janë të ndërvarur dhe në këtë ndërvarësi njeriu dhe familja bëjnë dhe pranojnë disa të mira që nuk janë të mjaftushme për një cilësim të tillë sepse interesi i ndërsjlltë nuk mund të përkthehet si bujari.

Edhe fjala "patriotike" nuk shkon me fjalën "i varfër". ajo shkon më shumë me fjalën "i pasur" sepse i pasuri, duke u nisur nga vetja ka çka të mbrojë, dhe meqë ka plotësuar nevojat elementare, ka kohën dhe rehatinë e duhur që të merret me diçka më të madhe siq është patriotizmi. Njeriu i varfër që mendim kryesor dhe të pakapërcyeshëm e ka mbijetesën, mund të jetë edhe patriot, megjithatë patriotizmi i tij është me arsye i lëkundshëm sepse kujdesi për veten e për familjen e tij në kushte të mbijetesës, është logjikshëm i dorës së parë.

Populli ynë ka thënë "Nevoja të çon në derë të hasmit" .Pra është fjala për nevojat që sjellë varfëria se jo çdo nevojë të çon në derë të hasmit.

Këtu në këtë fjali hyrëse, në fjalimin me lavdata, është shënjestruar qëllimisht njeriu i varfër dhe atij i janë veshur të mira, që pa fajin e tij nuk i ka, për ta ngushëlluar e më shumë për ta mburrur që ai të kënaqet me gjendjen e tij të mjerë e t'i topitet ndjenja për të kundërshtuar padrejtësitë ku pasurimi i disave është i lidhur me varfërimin e shumë të tjerëve. Këtu mendoj vetëm për pasurimin e paligjshëm. Dhe janë pikërisht të pasurit e paligjshëm ata që proklamojnë varfërinë si diçka e mirë dhe e stolisin këtë fjalë që ta bëjnë më të pranueshme për ata që e vuajnë.

Megjithatë kjo nuk është shpikje e jona. Këtë e ka përdorur edhe feja. Udhëheqësit fetar i kanë premtuar parajsën të varfërve por për vete kanë zgjedhur të jetojnë në kamje. Kush e ka kuptuar, me këtë veprim ata kanë thënë që edhe parajsa edhe ferri janë këtu.

Tek ne, fjalia "Rrjedh nga një familje e varfër, bujare dhe patriotike" është bërë fjali e parë në paraqitjen e njerëzve të shquar ose të atyre që politika ditore i paraqet si të shquar. Politikanët tanë që kryesisht përbëjnë shtresën e të pasurve të paligjshëm janë më të interesuarit që varfërinë ta paraqesin si diçka joshqetësuese, të mirë dhe si diçka që bartë në vete edhe vlera të tjera siq janë bujaria dhe patriotizmi. Pra varfëria paraqitet si hyrje në bujari dhe patriotizëm. Ata nuk e kanë bërë asnjëherë matjen e varfërisë, por bëjnë matjen e patriotizmit. Disa politikanë e pushtetarë që kanë në dorë peshoren e patriotizmit, kanë përfituar shumë nga kjo. Janë bërë të pasur, por në shpirt e në mendje janë shumë të varfër, e bujaria e tyre barazohet me bujarinë e një krimineli të rëndomtë, ndersa patriotizmin s'e kanë mësuar ende. Mbase e mësojnë fëmijët e tyre dhe kjo pasuri e krijuar paligjshëm rikthehet në çfardo forme aty ku është marrë.