Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Baca Fahri!

| E premte, 12.12.2014, 09:30 PM |


Baca Fahri!

Nga Elvi Sidheri

E di që në të vërtetë, me aq sa di unë, Fahri Xharra, nuk është një malësor, por se ç’më vjen që ta quaj kështu, dhe nuk i ndahem dot këtij emërtimi, sipas meje tejet fisnik, dhe që atij, ndër të tjera, i rri shkëlqyeshëm, porsi një veshje e denjë për punën, veprën e tij madhështore, për impenjimin e vazhdueshëm krijues dhe hulumtues, në të mirë të së tashmes, së kaluarës, dhe të ardhmes së qenësisë dhe mirëqenies, kujtesës dhe vetë ekzistencës së popullit shqiptar.

Fahriu është në fakt një njeri i palodhur, që limfën jetësore të përditshmërisë së tij, ia fal tanimë prej vitesh të gjata, me një përkushtim të gjallë e tepër të sinqertë, ndërgjegjësimit të bashkëkombasve të vet, lidhur me një pafundësi të vërtetash, të panjohurash të harruara dhe sekretesh nga e tashmja, aq sa edhe nga e kaluara jonë e afërt ose e largët...!

Por, ajo që Fahriun e bën kaq të veçantë, duke e ngritur atë në një piedestal të vetin specifik të “shqiptarësisë” së pastër, dëlirë e të tejkulluar, është pikërisht përkushtimi i tij tërësor, i pakompromis, jashtë çdo ndikimi rajonalist përçarës, politik apo edhe rastësisht fetar (përkundër akuzave të shumta të cekta ndaj figurës e staturës së tij të pacënueshme), për të mirën e kësaj shqiptarësie, që ai vetë e ndjen aq të fortë në venat, gjakun dhe qënien e tij thelbësore.

Prandaj edhe unë sot, në të gjallë të tij, vendosa të shkruaj diçka sado modeste lidhur me këtë mik të timin të çmuar pikësëpari, këtë burrë të patundur, këtë shqiptar bashkëkohor që nuk i shet kurrësesi parimet e veta, kombësinë apo atdhedashurinë e tij, për asgjë në botë.

Vendosa ta quaj “BACË” pasiqë së pari dhe mbi të gjitha, ai e meriton katërcipërisht këtë titull, ashtu siç ndokush tjetër, do të ish quajtur “Dukë”, “Kont” apo “Princ”, në shenjë të njohjes së fisnikërisë së gjakut dhe veprave të dikujt.

E pra, Fahriu, për nga gjaku që i vlon “shqiptarisht” nëpër vena përgjatë gjithë trupit, është një shqiptar nga ata me “SH” të madhe, ndër të paktët që këtë origjinë të lashtë, që ky emër mbart në vetvete, di dhe ka ditur (e padyshim që do të dijë përherë), ta nderojë, ta lartësojë, ashtu si edhe të jetë i denjë plotësisht për shqiptarizmin që aq fort ndjen dhe predikon pareshtur ditë mbas dite.

Por unë dhe të gjithë neve që këtë burrë e vlerësojmë, çmojmë, lexojmë dhe që e mbështesim njëkohësisht, do të duhej pra, që këtë “Bacë” të letrave, studimit dhe zbardhjes së anës së errët dhe ende të panjohur të historisë, traditave e dokeve të lashta të shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, ta “kurorëzojmë” me këtë titull kaq fisnik, sa edhe 100 % shqiptar, tashmë që e kemi mes nesh, e jo të kujtohemi për të, kur largqoftë të jetë tepër vonë !

...Siç aq shumë herë për fat të keq ka ndodhur me shumë e shumë personalitete sipërore, që kanë dhënë gjithçka për Shqipërinë dhe shqiptarinë, pa marrë në këmbim, asgjë, përveç nëpërkëmbjes, armiqësisë, smirës e zilisë prapanike.

Unë Fahri Xharrën, dua ta quaj “Baca Fahri” tani, sot, në çastin kur po i shkruaj këtë fjalë...

Dua t’i them atij edhe diçka më shumë, t’i them “Baca Fahri... u KRY” !

Shqiptaria dhe trojet ku shqiptarët anembanë frymojnë, është e lirë, demokratike, shqiptarët janë të denjë për shqiponjën dykrenare që fluturon e lirë mbi fushat e përgjakura të së kuqes së flamurit tonë kombëtar, ky popull e meriton dhe është i ndërgjegjshëm për trashëgiminë e artë Kastriotase, për shpatën dhe përkrenaren legjendare të Gjergjit, të Skënderbeut tonë, këta njerëz e mishërojnë me jetët dhe ekzistencën e tyre të përditshme, fjalën dhe mësimet e Nënë Terezës, mirësinë dhe dhembshurinë e saj të pakufijshme...!

Atëherë vërtetë do ta thosha me plot gojën, do të bërtisja pa frenuar, “U KRY” o miku im, Baca Fahri !

Sepse sinqerisht, do të doja pafundësisht, që shqiptaria e sotme, t’i kuptonte me të vërtetë dhe në thelb, mundimet, përpjekjet titanike, netët e pagjume dhe punën e sforcimet e këtij studiuesi, hulumtuesi, këtij shkruesi të pandalshëm, që sfidon moshën e jo rrallë edhe paragjykimet e shumta (të tepërta, të hidhura) të një shoqërie si kjo e jona, që akoma mund të mos jetë e gatshme tërësisht, për t’u ngritur në nivelin e madhështisë së trashëgimisë sonë historike shqiptare, që të parët tanë brez pas brezi na e kanë lënë si dhuratën më të vlefshme.

Një dhuratë që Baca Fahri e ka njohur e kuptuar drejt dhe thellësisht, e për këtë qëllim përçapet me çdo mënyrë (“me mish e me shpirt” ... “me penë dhe mendje”, siç do i thuhej veprës së tij, troç dhe shqip) që këtë trashëgimi, këtë mesazh që nga e kaluara jonë e përbashkët historike, na kanë dhënë paraardhësit tanë iliro-arbërorë, t’ua përcjellë brezave të tanishëm.

E bën ai këtë gjë, shoqëruar me punën e tij sqaruese, ndriçuese dhe këqyrëse, në shërbim të rizbulimit dhe çpluhurosjes së historisë sonë mijëravjeçare.

Botimet e tij të panumërta dhe librat e tij të formatit aktual elektronik, ku Baca Fahri vendos të përballet pa frikë apo komplekse, me personazhet sharlataneskë si pseudo-historiani zvicerian Schmitt, duke kontestuar një më një, të gjitha ngrehinat e tij mashtrimplota lidhur me antikitetin tonë të përbashkët kombëtar, ashtu si edhe thellimet e tij të përpikta, largpamëse dhe pararendëse, të rilindjes së paralajmëruar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë dhe specifikisht të rajonit të Rekës së Epërme në këtë vend, janë një dëshmi e mrekullueshme, e syçeltësisë së këtij personaliteti të pazëvendësueshëm në skenën mediatike shqiptare.

Fahri Xharra duhet pranuar dhe thënë publikisht, se ishte ndër të parët, që pati hulumtuar, kish studiuar dhe pati ardhur në përfundimin e pakundërshtueshëm, se jo vetëm në territorin e IRJ Maqedonisë ka jetuar dikur një popullsi e konsiderueshme shqiptare e përkatësisë fetare ortodokse e krishterë, por edhe mbi faktin me rëndësi kardinale, se kjo popullsi, kjo pjesë e humbur e trungut mbarëshqiptar, ish aty ende e pranishme, e shtypur nga politikat opresive dhe asimiluese të pushtetit sllav, por akoma shqiptare në gjuhën amtare, në shpirt e në zemër.

Për ta mbyllur, dua që Bacës Fahri, këtij miku të vyer, t’i bëj edhe një paralele tjetër, besoj fort, tepër të gjetur.

Është e lidhur me mbiemrin e tij të bukur familjar Xharra, që në gjuhën italiane, do të kishte kuptimin e një “vazoje antike prej terrakote (argjile të pjekur), të ngjashme me amforat e lashta” (“GIARA” Grosso recipiente di terracotta in cui si conservano olio, vino ecc).

Edhe vetë Fahriu i tillë është, një njeri i aftë që të përthithi dhe përmbajë në vetvete, pashtershmërinë e dijes dhe të trashëgimisë historike shqiptare në shekuj.

Njeri me një intelekt të mprehtë, që mençurisht arrin t’i pjekë dijet dhe informacionet e përftuara gjatë kërkimeve të tij të përhershme nëpër faqet ende të mugëta të historisë sonë antike, mesjetare e të vonë, dhe që më pas di gjithnjë që në mënyrë tepër elegante e të kuptueshme, t’ua përçojë ato lexuesve të vet të shumtë shqiptare anembanë botës.