Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Iku edhe ky vit

| E enjte, 11.12.2014, 08:55 PM |


Sabile Keçmezi-Basha

 

IKU EDHE KY VIT

 

I  brishtë si  LIRIA

Iku edhe një ëndërr

Dhe

Kurrë më mos e qorto kafkën

Pse ngeli pa bar

Në mes shekull

 

Iku edhe ky vit

Pa kërkuar leje

Nga gjiri i atdheut

Që të marrë pasaportën biometrike

Për fushën e blertë

 

Iku...

Të thashë se na iku...

Për theqafje

Me pikëpyetje sa globi

E rrudhat palë-palë

E  kanë shtruar atdheun

Të zverdhura –verem

 

Iku...Iku...

Edhe ky vit

Në qepallet tona

Ende vallëzon stuhia

Me ritme të çmendura

 

 

TESTAMENT

 

Në mungesë të letrës

Shkruan në lëkurën tënde

Testamentin

Për Gertin...

Për Darsin...

Më fal...At-dhe

E di

Se të kanë lënduar

 

Në mungesë ngjyre

Përdora gjakun e përgjakur

Nga damarët që pulsonin

Lumenj dhembjeje

 

Tërë mllefi u tjerr

Një ditë tjetër

Në samar kohe

Që u nxor- kërpnajë

Nga ecejaket

Për shëlbimin

E tokës –Nënë

 

 

LUTU

 

Në faltoren e parë

Lutu mikja ime

 

Kudo që je

Lutu

Për ne, për vete

Për tokën e kuqe

Dhe për gjynahet

E pa gjynahëta

Që kurrë si bëmë

 

Lutu

Edhe sot

Edhe nesër

Dhe një ditë tjetër

Se, pasandaj

Do të jetë vonë

Për falje

 

 

NESËR

 

Nesër,

Në Tyrben e katundit

Qirinjtë do të ndezën

Për një ymër të ri

 

E pas një dite

Ëndrrat do të ëndërrohen

Të skutëluar në të blertë

Për kthimin

Në vatan

Itakë

 

 

KUR JEMI LARG

 

Kur jemi larg

Të thurim vargje-gërshet

Të shpallim hero

Të ngritëm-lapidar

 

Kur na rrënohen kulmet

Yllin polar e pikturojmë

Shkëmbin e bluajmë me shuplaka

E cep më cep

E ndrisim

AT-DHEUN

Që atashon fate...

 

 

NË UDHËKRYQ

 

Në udhëkryqin e parë

Qeshte pa turp

Pritja e thinjur

Nga moti

 

Kipci im

I lodhur

Sorollatej me shiun

I rëzbitur

Nga vjeshta e vjeshtuar

 

 

DIKU...

 

Diku,

Në një qosh të Stambollit

Një stërshitës-arnaut

Shet kujtimet

E nënës plakë

 

Diku,

Në një anije

Të stër-ngarkuar

Hamajtë pa dashje

Në det rrokullisin

Kutinë e Pandorës

 

Diku...atje larg

Dikush qesh

Diku...këtu afër

Dikush qanë

E hëna pa djallëzi

I përqesh

Fytyrat e stër-lodhura

 

 

NGA KËTU

 

Nga këtu

Thonë

Kosova është shumë larg

Sozi im hesht

Nuk bëzan

 

Nga këtu

Thonë

Evropa është vetëm

Një pëllëmbë më tej

 

Unë qeshi

Me bezdi

Sabile_basha@hotmail.com