Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Elektorat mbaje kokën lart

| E merkure, 10.12.2014, 07:25 PM |


Elektorat mbaje kokën lartë, LDK-ja ka plot Vjosa dhe Anton Quna

Shkruan: Florim Zeqa

Dy ditët e fundit që lamë pas, të zhvillimeve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës ishin më të rëndat, më tmerrueset dhe më shokueset për elektoratin e LDK-së që nga shkuarja në amshim e presidentit Rugova.

Heshtja trishtuese e lidershipit dhe deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përballë akuzave të partive politike shqiptare, ishte dëshmia më e keqe e katandisjes dhe mjerimit politik.

Situatë e rënd dhe e papërballueshme ishte për gjithë simpatizantët dhe elektoratin e LDK-së që nuk ishin mësuar të shifnin skena torturuese të të zgjedhurëve të tyre përballë opozitës shqiptare në kuvend.

Në këtë situatë mjeruese dhe turpëruese, partinë e shpresës dhe besës së shqiptarëve të Kosovës e sollën një grusht i vogël njerëzish të pabesë, vetëm e vetëm për të kënaqur egon e tyre për pushtet,...sakrifikuan vullnetin e elektoratit të tyre, shuan ëndrrat dhe dëshirat e gjithë qytetarëve të ndershëm, rrezikuan ardhmërinë e gjeneratave të reja të këtij vendi.

Thyerja e zemrave, trazimi i shpirtërave dhe fyerja e ndjenjave të elektoratit rugovian nga njerëz shpirtëlig, qyqarë dhe të pamoralshëm erdhi si rezultat i mashtrimit në premtim,..premtimi u kthye në zhgënjim, zhgënjimi në mallkim !

Kjo u bë nga lidershipi i LDK-së bashk me shumicën e deputetëve, që me aq lehtësi dhe pa fije turpi kapërdinën të bëmat dhe të thënat e veta,...thënë më mirë i hëngrën "qershijat e lagura" me muaj dhe vite !

Thirrjet e panumërta të elektoratit rugovian për mosvotim të bashkqeverisjes së turpit, depërtuan në veshët dhe ndërgjegjën e vetëm 8-të deputetëve (Anton Quni, Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Arben Gashi, Doruntina Maloku, Fatmir Rexhepi,  Adem Salihaj dhe  Alma Lamës).

Edhe pse në numër pak, janë me vlerë shumë për të ardhmën e ndritshme të frymës rugoviane të LDK-së.

Nuk janë këta vetëm 8-të deputet që votuan kundër, nuk janë as zëra të vetmuar siq u trajtuan nga  lideri i katandisur i partisë, (nuk pat fuqinë morale të pranimit të vullnetit demokratik të tyre), por janë zë i fuqishëm i mbi 120 mijë votuesve besnik të LDK-së.

Janë këta deputet që në seancat e 8 dhe 9 dhjetorit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bënë historinë e lavdishme të LDK-së, duke u distancauar nga e keqja, nga krimi dhe korrupsioni, nga turpi dhe imoraliteti i liderit dhe disa bashkpartiakëve të tyre.

Një fjalë e urtë popullore thotë; " e keqja e ka të mirën e madhe mbrapa". Rrokullisjës dhe katandisjës politike të lideshipit të partisë i erdhi fundi.

Kjo "SALTO MORTALE" e liderit aktual të partisë, shënon ndarjën e "shapit nga shqeri", ndarjën e të mirës nga e keqja, e të bardhës nga e zeza,...filloj lindja e një fryme të re në LDK. Kjo bërthamë e shëndoshë, ky gjak i ri që nuk pranoj nënshtrimin dhe poshtërimin, paraqet shpresë për një fillim i ri në LDK.

Andaj elektorati i LDK-së ka arsye të ndihet krenar në qëllimin dhe vizionin rugovian. Unifikimi dhe bashkrenditja e veprimeve të elektoratit rugovian në ripërtëritjen e partisë me kuadro të reja do të përshpejtojë rënjën e kësaj qeverie të kriminalizuar, shantazhuar dhe servilizuar nga pushtuesit verior serb dhe qarqeve tjera diplomatike.

Të gjithë ata që mendojnë, se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar LDK-në do të mashtrohen keq !

Përkundrazi e kanë ndihmuar shumë, thyeqafja politike e lidershipit të saj vetëm sa do t'i përshpejtojë ndryshimet rrënjësore dhe përmbajtësore në LDK.

Në zgjedhjet e ardhshme partiake, elektorati i LDK-së nuk guxon të jetë vetëm votues dhe vëzhgues i zgjedhjeve, por duhet të bëhet pjesë përbërse e ndryshimeve nga niveli i aktivëve, nëndegëve dhe degëve për të detërminuar kështu ndryshimin strukturor të kryesisë qendrore dhe Këshillit të Përgjithshëm të saj.

Tani e tutje në LDK nuk do të ketë vend për zhgënjim dhe as për mallkim, ngase mallkimi nuk do të jenë më pjesë e jona, nga dje ju bashkangjiten publikisht struktuarve të SHIK-ut.

Ata që shkelën mbi vullnetin tuaj, nga dje u shëndrruan nga drejtues në uzurpator  të timonit drejtues të LDK-së dhe shtetit të Kosovës.

Nga dita e djeshme, e ardhmja e LDK-së nuk do të jetë më në dorën e uzurpatorëve.

Ata që tradhëtuan vullnetin e tyre, nga dita e djeshme elektorati nuk i njehë më si drejtues dhe as  përfaqësues legjitim, ngase përveq afatit të skaduar, nga dje u mungon edhe e drejta morale për të udhëheq me LDK-në.

Elektorat mbaje kokën lartë, LDK-ja ka plot Vjosa dhe Anton Quna,...ka rininë e mrekullueshme, plot kuadro të reja dhe të fuqishme, aktivist dhe veprimtar të  devotshëm, besnik të frymës rugoviane të viteve të '90-ta gjithandej Kosovës dhe në Diasporë,  të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në procesin e ndryshimeve pozitive në shtëpinë e madhe rugoviane, shtëpi e përbashkët e të gjithë shqiptarëve të Kosovës.

Andaj, aktivist dhe veprimtar, elektorat dhe qytetar të mos humbasim kohë duke u marrë me pushtetarët, por të kthehemi kah e ardhmja, të bëhemi bashkë edhe një herë në LDK si në vitet e 90-ta, t'ja kthejmë nderin dhe dinjitetin LDK-së rugoviane, të vetmës shpresë për ardhmëri në vendin tonë.

LDK-ja, ishte dje, është sot, do të jetë nesër dhe përgjithmonë lokomotivë e fuqishme dhe avangardë e proceseve demokratike në vendin tone.