Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Impresionizmi në veprat e Vlora Sadikut

| E diele, 07.12.2014, 07:57 PM |


IMPRESIONIZMI FIGURATIV NË VEPRAT E VLORA SADIKUT

Duke e vështruar çasjen artistike të artistes sonë, bëhemi të vetëdijshëm dhe të sigurt për të ardhmën e saj dhe rezultatet që do të pasojnë në të ardhmën e krijimtarisë figurative, të një fryme të re në botën artistike.

Nga Remzi Limani

Në shfletimet e para figurative të artistes së re, Vlora Sadiku, këndshëm kapërceva nëpër peizazhet poetike, ku impresionizmi figurativ bëhet motivi kryesor në veprat e saj. Pra, në tablotë figurative të artistes sonë dominon peizazhi dhe motivi, si shprehje kreative për ta zënë syrin e bukur të mrekullive natyrore.

Piktorja, Vlora Sadiku dhe vepra e saj, padyshim na dhurojnë diçka të bukur, të shtjelluar artistikisht dhe të dalë nga ndjenja e artistes për thurime pikturale – poetike, të cilat na japin një pasqyrim të ndjeshëm piktural, ku shtjellohet edhe narracioni figurativ i momenteve, rasteve nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme.

Koloriti i pasur dhe paleta e përpunuar në veprën e zonjës Sadiku, reflektojnë fuqishëm në ndërtimin piktural, që në fakt, bëjnë baraspeshën estetike të së bukurës në trajtën artistike.

Krijimtaria artistike e Vlora Sadikut, dhe angazhimi i saj në fushën e pikturës na paralajmëron fuqishëm ardhjen e një frymë të re në botën e artit. Artistja në fjalë, na dëshmon, se puna e saj kreative është një letërnjoftim i ri, e një gjenerate të re, e cila frymon shëndetshëm në fushën e arteve pamore. Në këtë kontekst, piktorja jonë, është duke bërë rrugëtimin e saj me hapa të sigurt, drejt të arriturave të pranueshme në fushën e krijimtarisë figurative, e cila, me veprën e saj të sotme, pa dyshim do zë vend të merituar edhe për të nesërmën e saj në rrafshin artistik. Ndaj, duke e vështruar çasjen artistike të artistes sonë, bëhemi të vetëdijshëm dhe të sigurt për të ardhmën e saj dhe rezultatet që do të pasojnë në të ardhmën krijimtarisë figurative.