| E enjte, 04.12.2014, 08:31 PM |
Poeti Mujë Buçpapaj shpërblehet me çmimin më të lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” në Tetovë
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
Është mbyllur Edicioni XVIII Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit", i cili u mbajt në Tetovë prej 16 – 19 tetor 2014. Poeti i mirënjohur Mujë Buçpapaj është vlerësuar nga juria e festivalit me Çmimin “Oeneumi”, “Për ciklin më të mirë poetik” (For the best poetry cycle). Ky çmim vjen pas disa vlerësimeve ndërkombëtare që poeti shqiptar ka marrë vitet e fundit. Pesë muaj më parë (në Qershor 2014), Organizata Ndërkombëtare Kulturore “Kafeja e ideve”, në Athinë dhe UNESKO i kanë dhënë poetit M.Buçpapaj çmimin “Aleksandri i Madh i Artë”, çmim i fituar tre vjet më parë edhe nga poeti i mirenjohur shqiptar Ali Podrimja. Arsyet e dhënjes së çmimit i referohen kontributit të Buçpapajt në poezi. “Shkrimtari krijon një shkollë të re poetike model në ndertimin e vargjeve dhe përshkrimit të përvojave të vështira, të cilat ndërthuren bashkë nëpërmjet vragjeve, që kërkojnë analizë të thellë në mënyrë që të bëhet e kuptueshme rëndësia e kuptimeve dhe vargjeve të cilat hapin rrugë të reja të shprehjes poetike.”
Në edicionin e sivjetëm të Festivalit të Tetovës ishin të ftuar 40 poetë të njohur nga vende të ndryshme të botës si: SHBA, Argjentinë, Kolumbi, Danimarkë, Islandë, Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Izrael, Greqi, Turqi, Iran, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poete shqiptare nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Ashtu si edhe në festivalet e tjera, në programin e këtij edicioni ishte parashikuar edhe botimi i një antologjie me cikle poetike nga të 40-të poetët pjesëmarrës, prej nga u shpall edhe cikli më i mirë “Oeneum”për poetin Mujë Buçpapaj. Sqarojmë për lexuesit se “Oeneumi” është emri Ilir i Tetovës dhe ka simbolikën e vet të fuqishme jo vetëm poetike. Mujë Buçpapaj, aktualisht drejtor i gazetës letrare kulturore “Nacional”, është një figurë mjaft e njohur dhe e spikatur në fushën e artit dhe letërsisë. Ai është autor i shumë librave, por edhe i qindra shkrimeve publicistike, kritikave, esseve, studimeve , si dhe përkthimeve kryesisht nga poezia bashkëkohore amerikane. Është autor i disa përmbledhjeve poetike, esseve dhe studimeve, një pjesë e të cilave të botuara në disa gjuhë të huaja. Si një nga poetët më të mirë bashkëkohorë ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më 2009 Shoqata e perkthyesve të SHBA-ve, dhe shoqata e bibliotekave publike te SHBA-ve, i jep Çmimin e parë për libin “THE INVISIBLE VICTORY”, si libri më i mire i botuar në anglisht nga gjuhet e huaja. Libri ju rekomodua studenteve të universiteteve per t’u lexuar. Më 2010 Revista prestigjioze amerikane “ Translation Revieë” e cila botohet prej 30 vjetesh nga Universiteti i Teksasit në një numër të saj shkruan një studim të gjatë për poezinë e M.Bucpapajt. Revista më e madhe në botë për perkthimin nga gjuhet e huaja, vlerëson “The Invisible Victory”, si libri më i mirë i botuar gjatë atij viti në anglisht. Në nëntor 2012 libri i fundit i poetit Mujë Buçpapaj “The invisible victory” fitoi çmimin e librit më të mirë i cili qarkullon ndërkombëtarisht nga Organizata Ndërkombëtare Kulturore “Kafeja e ideve” në Selaminë të Athinës.
Për shkollën poetikë të Mujë Bucpapajt kanë shkruar edhe disa nga kritikët më të njohur të letërsisë në SHBA, Greqi, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Mal të Zi, Rumani etj, ku edhe është përkthyer dhe botuar poezia e tij. Në kudër të Festivalit Ndërkombëtar u mbajten disa orë letrare, u hap një ekspozite pikturash, u promovuan libra, si dhe u vizituan lokalitete kulturore dhe historike të qytetit, nën organizimin e shkelqyer të Drejtorit të këtij Festivali, poetit të mirenjohur Shaip Emerllahu. Poeti shqiptar Mujë Buçpapaj, i cili mori pjesë në Festival dhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve falenderoi organizatorët dhe jurinë për çmimin si dhe mbajtjen e veprimtarisë në një nivel të lartë. Ai tha se “vlerësimi ishte një nderim edhe për poezinë bashkëkohore shqipe dhe letërsinë shqiptare në tërësi.