Mendime
Elida Buçpapaj: Protesta e PD dhe premtimi i Ramës
E diele, 23.11.2014, 04:53 PM
PROTESTA E PD - DEKLARIMI I EDI RAMËS PËR HAPJEN E DOSJEVE DHE PREMTIMI QË AI I KA BËRË ANGELA MERKELIT
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Ndërsa përballë kryeministrisë dje konsumohej protesta e rradhës këtë çerek shekulli, nga periferia e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë konsumonte edhe ai një deklaratë të rradhës, siç ishte hapja e Dosjeve.
Lulzim Basha ulërinte në shesh për plagët e shoqërisë shqiptare, kur partia që sot drejton ai ka qeverisur vendin për 8 vjet rradhazi prej 2005-20013, duke i lënë të pamjekuara ato plagë. Në atë kohë Edi Rama si lider i opozitës organizonte protesta dhe bojkote.
Duke ricikluar njëri-tjetrin.
Sot Lulzim Basha shqetësohet për papunësinë, pensionet e ulta, bile shqetësohet edhe për fatin e të përndjekurve, kur ne e kemi parasysh se si u vetëdogjën të persekutuarit politikë mu në zemër të Tiranës dhe Lulzim Basha, nuk mori as mundimin që t’i takonte ata njerëz të mjerë, dhe i la në mëshirën e fatit.
Ndërsa vetë kur bëjnë greva – i keni parë se si i ngrejnë çadrat e bardha – me salltanet sulltanësh!
Në protestën e Lulzim Bashës morën pjesë ata që janë pushuar nga puna me ardhjen në pushtet të PS. Nga ana e saj PS punësoi ata që kishte pushuar nga puna PD kur kjo forcë politike kishte dalë në opozitë. Pra protestojnë punëmarrës që kanë humbur vendin e punës nga punëdhënësi i ri, dhe prandaj duan punëdhënësin e vjetër.
Ky është trafikim i pastër dhe turpi i kësaj klase politike mizerabël! I barabartë me trafikimin e qenieve njerëzore. Sepse ua ble votën në shkëmbim të një vendi pune!
Këtu konsiston thelbi i pseudoqeverisjes, që sa here vijnë në pushtet iu bëjnë shërbim klientelist votuesve, që marrin trajtën e klaneve tribale!
Edi Rama ka premtuar 300 mijë vende pune, premtim që nuk e paska mbajtur, sipas Lulzim Bashës. Domethënë që Edi Rama ka gjetur një papunësi drastike prej qeverisjes tetëvjeçare të PD. Natyrisht që po.
Prandaj që të rifitojë kredibilitetin e humbur, Lulzim Basha duhet të shajë veten dhe partinë e tij, të paktën të bëjë autokritikë.
Edi Rama ka gjetur papunësi drastike dhe 10 miliardë Euro në vit sipas Guardia di Finanza të Italisë, prodhim hashashi nga tregu mafioz.
Prodhim, të cilin kërkon që ta kthejë nga një produkt të mafies, në një produkt të shtetit mafioz deputeti i PS Koço Kokëdhima, sepse, sipas tij, për marihuanën e prodhuar në Shqipëri ka kërkesa të mëdha në Europë, pasi është e cilësisë më të mirë!
Cilësia e hashashit po, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës është përtokë.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet t’i tregojnë elektoratit se vendet e punës nuk i krijon partia ku ata votojnë, por shteti ligjor i cili siguron lirinë e tregut për investitorët e huaj.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!
Shqipëria, një perlë e Mesdheut, duhej të ishte tregu i parë për turizmin europian. Aty do të duhej të zbarkonin me miliona turistë gjermanë, suedezë, finlandezë, zviceranë, polakë, hungarezë. Nuk vjen asnjë prej tyre. Preferojnë të shkojnë në plazhet e Turqisë.
Sepse në Shqipëri nuk kanë siguri, nuk ndjehen të sigurt.
Kjo është
e vërteta. Prej këtu
Edi Rama nuk ka se përse të shqetësohet me protestat. Janë një riciklim. Ai e di mirë se si organizohen. Se si sillen njerëzit me autobusë nga rrethet, se si autobusët i paguan partia, ua paguan edhe drekën për orët e humbura.
Edi Rama, nëse i hap Dosjet, do të mbetet në histori, por do të bëjë vetëm detyrën.
Por atij i duhet së pari të mbajë premtimet që i ka dhënë kancelares Angela Merkel, për të çuar përpara drejtësisë peshkaqenët e politikës shqiptare atje ku e kanë vendin.
Këtyre ditëve në TV e Tiranës u intervistua zonja Monica Luisa Macovei, sot anëtare e Parlamentit Europian, e cila ishte Ministre e Drejtësisë e Rumanisë nga 2004-2007. Ajo tha për audiencën shqiptare se rruga e vetme e Shqipërisë për të hyrë në BE është përmes reformave në drejtësi. Pastaj ajo tregoi se si, kur kishte qenë Ministre e Drejtësisë, kishte drejtuar reformën anti-korrupsion. Me këtë rast ajo kishte krijuar Direktoratin Kombëtar të Antikorrupsionit dhe kishte filluar të hetonte dhe të fuste brenda si kolegë të saj, deputetë e ministra nga krahu politik që përfaqësonte, ashtu edhe nga krahu tjetër.
Gjë që Edi Rama nuk e ka bërë dot prej 15 muajsh që ka marrë në dorë frenat e shtetit.
Për këtë gjë duhet të shqetësohet!