Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Pavetëdija dhe arti

| E diele, 23.11.2014, 08:58 PM |


Pavetëdija dhe arti

Nga Dr. Ilir Muharremi

“Njih vetveten” brohoritë Sokrati me vlerën e padukshme ndaj të vërtetës, por rrëfyesit tanë e konstatojnë me virtytin e vetes si nostalgji e padijes duke përdorë lojëra të zverdhura , kurse në esencë e përligjura ndjek masën e përafërt. Pasqyra e njohjes është thyer në lindje dhe kërkimi për identitet gjithnjë do të ngritë pyetje me forcën e refuzimit dhe dërgimin në kahe të asgjësë. Po i kthehemi ndjenjave të thella që gjithnjë kanë domethënie më të madhe se sa shprehjen. Rishfaqja e tyre bëhet në mendime dhe veprime momentale me pasurimin shpirtëror që as ai nuk mund t’i njeh. Shprehja momentale e tyre përshtatet me klimën, apo gjejnë përshtatjen e ngjashmërisë së vazhdueshmërisë. Mund të them se i njohë artistët apo njerëzit në fillim nga sjelljet, pastaj nga veprimet e tyre, paraprakisht, i vlerësoj, i përkufizoj dhe rrok arsyet e tyre, por e vërteta del nga komedia që shpërfaq sinqeritetin e shpërthimeve të ndjenjave, kështu reflekton më poshtë me ndjenjat, të tradhtuara nga veprimet. Ndjenja është e pakapshme, nëse përpiqet të konkretizohet, mjafton si shenjë ndjesie e pavetëdijshme në drejtim të pamundur të kapjes dhe çdo njohje e vërtetë ndjesore është e pamundur. Konflikti për ta kuptuar dhe për ta kapur, humb në tërësi identitetin ndjesor dhe më e vërtetë duket në pamundësi. Vetëm gjestet, veprimet, imazhet dhe mjedisi mund të ndihen. Këtë ndjenjë të pakapshme mund ta rroknim në botën identike, inteligjente dhe artistike. Vetëm arti kap deri në një masë klimën e brendësisë.

Piktori nëse vendos ngjyrën në telajo, ka një fillim të thjeshtë pa paramendim dhe çdo vijëzim, detaj, ngjyrë, njëpasnjëshëm shtyn momentin zinxhiror të situatës dhe para se të rifilloj ajo ndoshta buron nga konflikti i pakënaqësisë së brendshme dhe monotonisë së thellë ndjesore, e cila zbehët gjatë shpërfaqjes. Kujtimi i fillimit mjegullohet sepse jetën dhe prehjen absolute e gjen vetëm në thellësinë e saj dhe pjesa objektive e cila jep dhe ndjenja pranon, mundëson njohjen përmes shpirti dhe identikes. Identikja shpërfaq vetëkuptimin. Mjafton thënia e Charles Baudelairet: “Shpesh, më bëhet sikur dëgjoj verën të flasë me shpirtin e saj, me zërin e shpirtit që vetëm shpirti e kupton”. Burgu i qelqtë, në të cilin vetë shpirti e vë tapën, përcjellë gëzim, dritë, kënaqësi dhe shpresë. Këtu Baudelaire sikur shpirtit  ia ka borxh jetën dhe i detyrohet shpërblimit. Momenti gjatë luftimit për kapjen e gjuhës së shpirtit kërkon qetësinë e nxënies, dehjen e Dionisit, ekstazën për të ndjerë cicërimën e klithjes së shpirtit. Pavetëdija ndihmon konkretizimin më të përafërt të ndjenjës më të thellë, vetëm se pavetëdija i referohet kënaqësisë. Ai flet me veten, derdh shpirtin në ajrin e ftohtë të natës. Kur konsumojmë këtë e bëjmë pa dashje dhe vargu bëhet i papërballueshëm. Nocioni i kohës mishërohet me shpirtin dhe dehja vazhdon të ringjajë sepse çdo thellësi posedon ndjesi të njëjtë, nëse arrijmë në rrafshin e njëjtë, atëherë arsyeja bëhet një mbeturinë anijeje e mbytur në mëshirën e të gjitha rrymave, rrjedha e mendimeve, është pafundësisht më e shpejtë. Nga kjo gjimnastikë, shkatërrohet edhe forca e moralit dhe beteja e pavetëdijshme bëhet e natyrshme. Aq sa më shumë i afrohemi shpirtit, aq më të pakuptuar bëhemi. Para se ta ndjemë këtë, objektivja krijon aksidentalen, forcën e pushimit të vërtetë të ngjasimit dhe në momentin e shfaqjes ndjehet fryma e errësirës për të rekrutuar dhe nënshtruar njerëzimin nga mishërimet e përsosura.

Piktori Jackson Pollock do të mërzitej nëse do të mendonte ngjyrën dhe penelin të koordinuar mbi telajo. Ai ka gjetur rahatinë me bojën direkt mbi kanavacë me liri të shfrenuar, plot pasion. Në kërkim të perspektivës, por jo të sheshtë, Pollock ngritë pavetëdijen dhe krijon skenën e paqartë. Fabrikon pavetëdijen si akt ritual, duke hedh bojën krijon pauzën për t’u tërhequr nga kënaqësia e cila nuk pranohet tërësisht nga shpirti. Kuptimësia jep dy imazhe: një subjektive të paqartë, dhe një të errët reale të qartë deri në një masë të ngjashme me vështruesin. “Kjo botë në vetvete nuk është e arsyeshme, kjo është e gjitha që mund të thuhet”, pohon Camus. Përse atëherë ai ka dëshirën e paepur për qartësi? Kjo thirrje tingëllon në thellësinë e njeriut. Mjafton të ndjehet qartësia dhe aventura do të ndjek rrugën e saj, pastaj hija e shpirtit ngjitet në shkallët e pavetëdijshme, ku rrugës humb kthjelltësinë.

Njohë një piktor i cili i vihet punës pa vonesë duke detyruar të heshtë zërin kërcënues: “Ti nuk je piktor”, në fakt ai është piktor, i pavetëdijes për të qenë piktor i shpirtit. Në momentin e krijimit ai sjell dritën e shpirtit duke lëviz përpara pavetëdijen të shoqëruar me vetëdijen, vetëm se vetëdija filtron tepricën e panjohurish së shfaqur. Në momentin kur mbulon telajon, gjatë rrugës vazhdon zinxhirin e urdhëresës vetanake, por asnjëherë nuk i dihet filli. Kritiku në këtë rast emëron ndjesinë e përbashkët me pikturon duke zgjedhë vetëm pjesën e njohur, kjo atëherë është sipërfaqësore. Por, as piktori nuk arrin ta kuptoj thelbin e ndjeshmërisë dhe ndodhisë momentale. Kënaqësia e shtyn të vazhdoj nën ikjen e reales ngjashmërishtë duke u ngacmuar.

Nëse poeti derdh vargun e mendimit, atëherë kjo bisedë e përditshme është thënë dhe stërthënë. Nuk ka nevojë të rishpikim, dhe ato që më interesojnë nuk janë zbulimet e qena, por rrjedhojat e tyre. Bluarja me vite në vetvete kërkon momentin identik të kryengritjes, shpejtësia për t’u plasuar eliminon kohën, por prapë nuk krijon kohën e re, vetëm se një rrjedhojë më pranë të ardhmes. Nëse dielli brenda teje /nuk po të shkrumbon/mos e bëj/Kur të jetë vërtet koha/e nëse je i zgjedhur/do të bëhet vetë. Ulërin Bukowski kufirin e skajshëm mendor si fuqizues të vargut. Koha e vërtetë e frymëzimit ilustrohet vetëm ndërmjet kënaqësisë dhe ngjashmërisë objektive dhe të kujtimit. Të kujtimit sepse ndjenja kërkon prapë identiken, për ta besuar shpirtin, dhe aksidentalja e plotësisë vazhdon zinxhirin. Atë të cilën Bukowski e vë në absolute duke e kthyer te vetja, nuk mund të jetë e efektshme pa u aksidentuar. Përse njeriu ndjen dëshirë për lumturi dhe arsye? Përvojat e lindura burojnë nga shkretëtira të cilën nuk duhet t’i braktisim. Të paktën nëse mundemi të dimë deri ku kanë ikur. Në këtë pikë, njeriu dhe artisti gjenden përballë iracionalitetit.  “Vetë libri juaj pesimist a nuk është një copë antihelenizmi, diçka romantike, që të deh e të trallis mendjen”. Vetë qëllimi i Nietzsches është të arrihet forca e ekstazës, dehjes e cila lexuesin e shpie në pavetëdije duke bashkuar forcat e ngjashme shpirtërore nga pranimi dhe dorëzimi. Në aktin krijues shpirti kupton vetveten, por në shpërfaqje, veçanti në art pakuptimësia bëhet edhe për vetë artistin. Kthimi i pa përsëritur i kësaj gjendje mund ta kujtoj ndjenjën duke u përgjigjur: “Mbaj mend që ishte tejet mirë”, por nëse rrëshqasim vetëdijshëm, lehtësia, lumturia, e përmbushura, do vazhdojnë së ndërtuari vargun, ngjyrën... Ndoshta që sekreti shpirtëror vdes në këtë botë pa u ç’veshur, kjo ndodhë duke e shtypur pavetëdijen me vetëdijen. “Nëse realiteti është i pakuptueshëm”, klithte Hegeli, atëherë duhet të sajojmë edhe koncepte të pakuptueshme. T’i pranojmë si të vërteta  duhet t’i sajojmë. Përshembull, në rastin kur  poeti kërkon arsyen e yjeve, lexon për informimin shkencor, skena e natës tërheq frymëmarrjen dhe ndjenjën, ai rivendos konceptin e kësaj rrjedhoje. Pavetëdija posedon njohurin e mjegullt për vetëdijen, aksidentalisht forca e saj kapërdin ekzistencën. Atëherë, shpjegimi është i kotë, ndjesia mbetet absolute, thirrjet e pareshtura për tërheqje në sasi shtyjnë momentin deri në përjetësi, kështu kuptojmë vendin e veprës së artit. Kjo lojë e pavetëdijes me vetëdijen e udhëhequr nga ligji duke u llogaritur krijon dridhjet të cilat takohen vetëm në të parën. Të jesh i vetëdijshëm, do të thotë të kufizosh botën tënde, të jesh artist qoftë ky Da Vinçi, je krijues i personazheve, simboleve, veprimeve të fshehta, por prapë nuk ke zgjidhjet e sakta.