| E shtune, 22.11.2014, 07:23 PM |
Fitorja e Johannis në Rumani, shërben si një dëshmi
e fortë e rezistencës së qytetarëve përballë korrupsionit dhe arrogancës së
elitës politike.
Ka disa
çaste magjike në zhvillimet e politikës demokratike, kur statistikat dhe
përllogaritjet strategjike, rezultojnë totalisht të gabuara. Ka momente kur
spontaniteti që gjenerohet nga mobilizimi qytetar, i tejkalon tërë
pritshmëritë. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale rumune, me fitoren e Klaus
Johannis, eksponentit të Aleancës Kristian-Liberale, është prova më e gjallë,
që ilustron rezistencën e suksesshme qytetare, përballë korrupsionit dhe
arrogancës së elitës politike. Elitë që përfaqësohej në këtë rast, nga Viktor
Ponta, kryeministër aktual, dhe njëkohësisht lider i Partisë Socialdemokrate të
Rumanisë. I mbështetur fuqishëm nga votat e diasporës rumune, Johannis u zgjodh
president në këto zgjedhje ku u vërejt një pjesëmarrje e padëgjuar (63.95 %) e
votuesve. Gjithashtu demokracia rumune theu disa tabú themelore: Johannis është
presidenti i parë i Rumanisë, që vjen nga jashtë kryeqytetit dhe që bën pjesë
në pakicën rumuno-gjermane. Për më tepër, kjo është e para herë që një kandidat
me fe jo-ortodokse, ia
Ç’ka ndodhur pra?
Johannis është ndër të tjera një orator i dobët që nuk pati realizuar ndonjë fushatë të jashtëzakonshme elektorale. Por ndërkohë, Viktor Ponta është, në realitet, shkaktari i humbjes së vet. Siç thotë një personazh i Shekspirit, “njeriu me krenari të sëmurë, ia ha kokën vetes”. Vetëbesimi i tepërt dhe bindja për fitore, ashtu si edhe disa gjeste korruptive përgjatë fushatës zgjedhore, të bërë ditën për diell, pa asnjë drojë nga reagimi qytetar – ndërtesat e falura për Kishën Ortodokse; bonusi fiskal i momentit të fundit për profesorët; përçmimi për votuesit nga jashtë – iu kthyen Pontës kundër si një bumerang. Vota negative për Pontën, në një vend nën lupën e BE-së, për luftën kundër korrupsionit, ndëshkon kështu haptazi, përçmimin e elitës rumune kundrejt vlerave demokratike, duke zgjedhur një “outsider” i cili, megjithëse qe mbështetur nga një parti që ka problemet e veta korruptive, gjithësesi personalisht është treguar tejet i suksesshëm si kryeabashkiak i Sibiut.
Por për ta kuptuar politikën rumune pas Revolucionit të 1989-ës, duhen patur parasysh rrethanat historike dhe etiketat ideologjike. Në Rumani nuk ekziston një e majtë e vërtetë, që të mbështetet në parimet themelore të solidaritetit, barazisë shoqërore dhe autonomisë. Pas revolucionit, partia e Pontës – në rradhët e së cilës ende militojnë ish funksionarë të lartë të epokës së Çausheskut, si ish presidenti Ion Iliesku – ka monopolizuar krejtësisht frontin e majtë. Rënia e komunizmit në Rumani, nuk solli si rrjedhojë, ndonjë ndryshim të vërtetë të elitave drejtuese. Elitat komuniste e shfrytëzuan revolucionin për ta përforcuar kapitalin e tyre politik, dhe bashkuar atë me kapitalin e madh ekonomik, në mënyrë që të fitonin sërish hegjemoninë, dominimin politik.
Padyshim që sidoqoftë fitorja e Johannis, nuk do idealizuar. Sistemi rumun është gjysëm-presidencial, kështu që Ponta do të mbetet sërish kryeministër, dhe zgjedhjet e rradhës parlamentare, do të zhvillohen në 2016-ën. Është gjithashtu problematik fakti që poli i qendrës së djathtë në Rumani, është i përçarë. Për më tepër, partitë liberale rumune, megjithëse në masë më modeste, mbështeten nga rrjete oligarkësh të fuqishëm. Presidenti i ri do të përballet me pengesa strukturore në synimin e tij për të bërë reforma themelore, si për shembull pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe reforma e Parlamentit rumun (që është aq i madh, sa edhe vetë Parlamenti Europian). Por nëqoftëse presidenti i ri do të dijë t’i përdori me mençuri, mundësitë që i ofrohen nga ky zgjim politik që po ndodh në Rumani, më në fund, ka arsye për të ushqyer shpresa në punën e tij.
Analiza vjen nga Camil Ungureanu, profesor i Filozofisë Politike, në Universitetin Pompeu Fabra.
Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali, Elvi Sidheri