| E enjte, 20.11.2014, 07:13 PM |
VEZULLI
QAZIM D. SHEHU
E ngutëm fjalën e na u desh,
Ta përsërisnim kuptimin e saj të humbur,
Në një vezullim afruar drejt nesh,
Në buzë që kërkonin një të puthur.
Sakaq vezulli qe shkrirë,
Buzët puthitur ,bërë një,
Puthja duke vetëtirë,
U hepua pa zë.
U shtangëm të ngrirë e t`ia nisnim,
Nga fillimi e kotë ish,
E cytëm fjalën si një gjemb,
Që e harrojmë në mish…
YLL I VETMUAR
Malli pat pikuar, yll i harruar,
Që nuk e pa kush,
Më gjatë se të tjerët rrinte kreshpëruar,
Kur qielli ndizej prush.
Duke pritur gjithë një vështrim,
Të tjerët u ngopën me të,
Dhe shkrihet në falenderim,
Kur sytë malli drejt tij i ço…
IKJET
Hidhërimet e ikjeve janë si vera,
Përfundojnë në një sokëllimë,
Gjithnjë u flas çasteve për çaste të tjera,
Që priten të vijnë.
Pa folur për ikjen e tyre,
Për ç`gjurmë lanë e habi,
Ndërsa ndjej si u shpëton prej syve,
Lot i hutuar në tradhti…
RRËMOJ LOTIN
Rrëmoj lotin e gjej në thellësi të tij,
Degët e bleruara të një kajsie,
Gjej aromën e një pllaje në gushë malesh,
Dhe muzgjet e ngjyrta me dashuri livadhesh.
S`di pse përherë loti më afron një peizazh,
Ca pemë përmbys në kujtesë,
Rrënjën e thellë të shkrirë në afsh,
Për gjethet që mbi kokë pemësh farfurijnë…
FUTA E NATËS
Futa e natës dridhet në përparësen e gjyshes,
Në udhën e gjatë për tek nëna,
Më e artë se fole e dallëndyshes,
Me shuajt e fjalëve të ngrëna.
I ndez lëkurët e daulleve që do bien,
Në emër të mallit tim,
Kjo futë ku zjarre malli gjithnjë ziejn,
Të zezën pa ndalur e ndrin…
NË RRUDHA
Në rrudha shoh një ikje moshe,
Kurrë një mendim,
Si brazdat e kthyera të një toke,
Me shekuj djerrinë…
DRU I PRERË…
Ashklat e drurit janë shpirti i tij,
Ndërsa qeshin dhëmbët e sëpatës,
Gurët e drurit këto ashkla,
Hedhur drejt nesh.
Një curril në shkëmbin e murmë,
Pasi e njomi rrënjën e tij,
Shpërtheu si lot i drurit,
Stalagmite u ngri…
HAPËSIRË E MBRËMJES
Hapësira e mbrëmjes na mpak dhe na çon,
Pranë vatrës të ndjehemi të plotë,
Ndonjë të vonuar e qorton,
Ia sit mendimet në kokë.
Skelete drurësh në muzg,
Dhe dritat e ndezura pa dashje,
I hedh ajo me ngut,
Edhe më të vonuarin,
Ta çojë pranë vatre…
ULËRIMA UJQËRISH
Ulërima ujqërish shpesh dëgjoj
Në valë telefonash,
Një valë jehone të afërt,
Që kur u qerosën pyjet tona,
Si faqet e një plake.
Thirrma histerike, bërtitje, ofshe,
Ngërdheshje, kërcënime, sharje,
Pranë njerëzve si pyje të fjetura,
Moderne pamje...