Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çun Mula, prijsi i Hotit e Malësisë së Madhe

| E diele, 06.07.2008, 03:42 PM |


Familja e Çun Mulës,
prijsit të Hotit e Malësisë së Madhe

Shkruar nga Dashnor Kaloçi

Një nga ato familje të mëdha që ka nxjerrë burra të shquar dhe ka bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë, është dhe familja e Çun Mulës apo siç njihet ndryshe Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe. Që nga shekulli i XV-të kjo familje ka qenë e përmëndër gjithmonë në Veriun e Shqipërisë, përkrah familjeve Zogolli të Matit, Gjonmarkajve të Mirditës, Kaloshëve të Dibrës dhe Mulosmanëve të Krasniqes. Sipas disa gojdhënave dhe dëshmive të ndryshme, historia e kësaj familje apo më saktë e fisit të Bajraktarëve të Hotit dhe Malësisë së Madhe njihet që prej dymbëdhjetë brezash dhe një nga të parët e trungut të saj ka qenë Luc Gjori. Po kështu thuhet se ky person ishte ai që fitoi dhe mori parinë e Bajrakut të Hotit të cilën e trashëgoi më pas dhe fisi i tij brez pas brezi deri në mesin e shekullit të kaluar. Luc Gjori e fitoi të drejtën të mbante Bajrakun e Hotit dhe Malësisë së Madhe pasi u shqua për guxim dhe trimëri të rrallë në Luftën e Tivarit në Malin e Zi.
Po kështu nga pozita e Bajraktarit që u fitua prej Luc Gjorit, ajo familje kishte të drejtë të përfaqësohej në krye të vëndit në kuvendet e ndryshme që mbaheshin në Shqipërinë e Veriut dhe bashkë me fisin të ishin si udhëheqës (flamurtarë) në krye të luftrave që zhvilloheshin në atë krahinë dhe zonat përreth. Nisur nga të drejtat e detyrimet që i jepte posti i Bajraktarit shtëpisë së tij, Luc Gjori krijoi Beslidhjen e Malësisë së Madhe për të bërë të mundur mbrojtjen e krahinës dhe bajrakut të tij nga situatat e vështira që krijoheshin herë pas here. Një nga kushtet e para që u vu dhe u pranua në atë Beslidhje të krijuar prej Luc Gjorit, ishte dhënia e besës për ndalimin e çdo vrasje, grabitje apo gjakmarrje brenda krahinës, gjë e cila u mbajt nga të gjitha fiset e Bajrakut të Hotit dhe e gjithë Malësisë së Madhe. Pas Luc Gjorit, një nga figurat më të njohura dhe më të famshëm të asaj familje i cili ka bërë emër të madh jo vetëm në krahinën e tij por në të gjithë Veriun e Shqipërisë, ka qenë dhe Çun Mula i cili u lind në vitin 1818-të. Sipas të drejtës zakonore të sanksionuar në Kanunin e Maleve, Çun Mula trashëgoi parinë e Bajrakut që kishte pasur familja e tij dhe u vu në krye të malsorëve duke i udhëhequr ata me trimëri e besnikëri në luftrat e shumta që u zhvilluan në atë krahinë kundra forcave serbo-malazeze dhe atyre turke. Po kështu nga dëshmi të ndryshme rezulton se Çun Mula të ketë marrë pjesë si ushtar i Perandorisë Osmane në luftrat e Krimëse dhe Moresë. Nisur nga emri i madh që krijoi Çun Mula në atë krahinë, në vitin 1878 paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe e zgjodhi atë si përfaqësues të saj në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që u mbajt më dhjetë qershor të atij viti nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut). Në këtë kuvend, Çun Mulës iu caktua edhe funksioni i Komandantit të forcave vullnetare ushtarake për gjithë Malësinë e Madhe. Nje nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula ku dhe u shqua për guxim e trimëri të rrallë, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malsorët vullnetarë që komandonte i theu keqasi forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi. Po kështu disa vjet më pas Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë. Një nga betejat më të njohura që zhvilloi Çun Mula kundra forcave turke, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qëndër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Thuhet se komandanti i forcave turke Bedri Pasha, duke e parë të pamundur përplasjen me malsorët e udhëhequr prej Bajraktarit të Hotit të cilët ishin të vendosur të luftonin me çdo kush për të mbrojtur tokat e tyre, iu shmang përpjekjes së armatosur dhe i hapi rrugën Çun Mulës. Kjo ngjarje asokohe bëri bujë të madhe aq sa u përjetësua edhe në këngët e folklorin popullor duke u kënduar me lahutë nga disa breza. Në një nga ato këngë ndër të tjera thuhet:
"Ku po shkon more Çun Mula / Prej Kelmendi sot u ula / Kam marrë vesht se m'ashtë zanë rruga / M' ashtë zanë rruga me shumicë / Prej Kastrati deri në Kamicë".
Nga ato këngë të kënduara prej malsorëve të asaj krahine është frymëzuar dhe Padër Gjergj Fishta i cili në veprën e tij madhore "Lahuta e Malcisë", ndër të tjera shkruan: "Vjen Çun Mula, e vjen Mark Lula / Njeni i Hot e tjetri i Shalë / Të rrebtë për pushkë e të urtë për fjalë".
Përveç aktivitetit të tij si prijës ushtarak në krye të malsorëve, Bajraktari i Hotit Çun Mula njihej dhe respektohej edhe si burrë i urtë në pajtimin e gjaqeve apo ndarjen e gjyqësive të ndryshme jo vetëm në krahinën e tij por edhe më gjërë. Po kështu Çun Mula është i njohur edhe për kontributin e dhënë në pajtimin në mes parisë së Lezhës dhe bajraktarëve të Mirditës në grindjet e tyre të vazhdueshme për caktimin e kufijve në mes dy krahinave. Në atë kohë që ato grindje në mes dy krahinave ishin acaruar jashtë mase dhe kishin arritur kulmin, kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, me pëlqimin edhe të bajraktarëve të Lezhës, e thërriti Çun Mulën i cili i ndau kufijtë duke i lënë të kënaqur të dy palët.
Thuhet se ato kufij ku i nguli gurët Çun Mula, vazhdojnë të jenë edhe sot kufijtë që ndajnë dy krahinat e Lezhës dhe Mirditës që asokohe kishin probleme të vazhdueshme me njëra-tjetrën. Çun Mula vdiq në vitin 1896 në moshën shtatëdhjetegjashtë vjeçare dhe u varros me nderime të mëdha aty në trojet e të parëve të tij në krahinën e Hotit. Pas vdekjes së Çun Mulës një nga burrat e shquar që nxorri ajo familje ishte nipi i tij Deli Meta i cili u lind në vitin 1857. Ashtu si të parët e familjes së tij edhe Deli Meta pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në luftra kundra forcave serbo-malazeze. Nga dëshmi gojore të shumta thuhet se Deli Meta u bë tmerri i serbo-malazezëve nga trimëritë që ai tregoi në Luftën e Qytezës, Nën-Helmësit e Grabanicit. Po kështu një nga betejat e famshme ku u shqua Deli Meta ka qenë edhe ajo Koplikut në vitin 1912 kundër forcave serbo-malazeze të cilat kërkonin që t'ia aneksonin Shkodrën Malit të Zi.
Në këto luftime përkrah Deli Metës luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi që ishte prej fisit të Dedë Gjon Lulit. Pas asaj beteje në shënjë hakmarrje forcat malazeze ia dogjën tri herë shtëpinë Deli Metës në Hot dhe tri herë Krajl Nikolla i Malit të Zi bashkë me Mbretin Aleksandër i kërkuan atij që t'ju hapte rrugë në këmbim të florijve dhe gradave, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike nga Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe. Mbasi Serbija dhe Mali i Zi aneksuan gjysmën e krahinës së Hotit, Grudës dhe Tuzin, Krajl Nikolla i Malit të Zi dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm që ta bindëte Deli Metën dhe parinë e Hotit që të firmosnin një deklaratë ku pjesa e mbetur e Hotit të bashkohej me Malin e Zi.
Për këtë gjë Ministri i Krajl Nikollës u propozoj Deli Metës një shumë të madhe me florij si dhe grada të larta, por Deli Meta bashkë me parinë e Hotit e refuzuan me neveri propozimin e ministrit malazez. Thuhet se gjatë një gostije të zhvilluar në Pallatin e Krajl Nikollës ku ishin ftuar oficerët më të shquar të Malit të Zi, Krajli i pyeste ata se kush ishin prijsit shqiptarë më të rrezikshëm që u paraqisnin atyre probleme serioze. Pas shumë përgjigjieve të ndryshme të oficerëve malazezë që jipnin mendimet e tyre, Krajl Nikolla u drejtua të pranishëmëve duke u thënë: "Unë dy vetave ua kam frikën: Bajraktarit të Hotit Deli Meta që është myslyman dhe qeveris një krahinë katolike dhe Bajraktarit të Grudës që është katolik dhe qeveris një krahinë myslymane. Sepse në rast të një konflikti ata të dy e kanë të gjithë popullin me vete".
Me ardhjen e trupave austro-hungarze në vitin 1916, Deli Meta së bashku me të birin e tij Mul Bajraktarin dhe 150-të burra të tjerë nga Hoti dhe Malësia e Madhe u internuan në Ashah Dynave (afër Vjenës) ku u mbajtën deri në vitin 1918-të kur mbaroi Lufta e Parë Botërore. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, konsulli italian Meloni i propozoi dy herë Deli Metës që t'ia ndërtonte kullat e djegura në Hot dhe t'i jepte një shume të madhe me para, në këmbim të ndjekjes së politikës së tij proitaliane në atë krahinë. Por Deli Meta ia refuzoi në mënyrë kategorike atë propozim dhe pas kësaj autoritetet italiane e internuan atë në fshatrat e Beratit, edhe pse ai në atë kohë ishte në moshën 92-vjeçare. Deli Meta vdiq në vitin 1945 dhe trashëgiminë e Bajrakut të Hotit prej vitesh ia kishte lënë të birit të tij Mul Bajraktarit, i cili ishte shkolluar në Austri dhe gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë mbante gradën e nënkolonelit

Gazeta Shqiptare - Gusht 26, 2002