Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ahmet Selmani: E keqja për shqiptarët, e mirë për serbët

| E merkure, 19.11.2014, 09:59 PM |


Në shënjestër

E KEQJA PËR SHQIPTARËT SI E MIRË PËR SERBËT

Shkruan Ahmet Selmani

Sa herë që bie fjala për shqiptarët, duket se në mendësinë serbe aktivizohet vetvetiu një slogan i vjetër që nuk po i lë të lirohen as sot e kësaj dite. Sipas logjikës së tyre paranojake del se e keqja për shqiptarët është e mira për serbët dhe, anasjelltas, e keqja për serbët, është e mira për shqiptarët. Pa dyshim, kjo u vërejt edhe ditëve të fundit, kur shkrimtari çetnik serb, Vuk Drashkoviq, i cili tani po na shtiret edhe si njeri i moderuar, paqesor e i arsyeshëm, madje edhe duke përsëritur shpesh se ua do të mirën të dy popujve, në një intervistë dhënë për radion Deutsche Welle sërish deklaroi: “Kurdo që shkoj te varrezat serbe në Paris, unë i marr me vete dy buqeta lulesh: një për ushtarët serbë që kanë rënë atje dhe tjetrën, për Esad Pashën, i cili ka vdekur në spitalin ushtarak në Paris dhe me dëshirën e tij është varrosur në mesin e ushtarëve serbë”. Dhe, sipas tij, ky është një rast i ndritshëm që duhet marrë si shembull për t’i bashkuar këta popuj të armiqësuar ndërmjet tyre.

Menjëherë pas kësaj deklarate retorike të stërnjohur, edhe ministri i çështjeve sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, shpejt e shpejt vajti në Paris dhe e bëri të njëjtën gjë, pra u përul dhe vendosi lule mbi varrezat e ushtarëve serbë dhe mbi atë të Esad Pashë Toptanit. Me këtë rast, ai sqaroi me krekosje se Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe se nuk do ta harrojë kurrë as Esad Pashën, i cili në momentet më të vështira ishte gjendur përkrah serbëve. Mandej, nëpërmjet deklaratës së tij ai shkoi aq larg, sa shtoi gojaplotas se Esad Pasha është shembull se si shqiptarët dhe serbët do të duhej të bashkëpunonin midis tyre.

Mbase këtu nuk ka asgjë për t’u habitur; kjo sjellje ataviste dhe fantazmagorike dëshmoi edhe njëherë se cila është formula kryesore e serbëve për të bashkëpunuar me shqiptarët. Ata vazhdojnë të rikujtojnë se janë tepër mirënjohës ndaj bëmave “humane” që na paska bërë dikur Esad Pashë Toptani. Por, ndryshe nga kjo bindje e ngulitur thellë në kokat e tyre, nga ana tjetër nuk duan t’ia dinë fare se çfarë bëmash la ai njeri mbi shqiptarët, pikërisht gjatë asaj periudhe kur i mbrojti ushtarët serbë teksa kalonin nëpër viset shqiptare.

Me këtë qëndrim të njëanshëm e të pacipë, serbët rishtazi po bëhen komiko-tragjik. Ashtu sikurse edhe në secilin rast tjetër, edhe kësaj radhe ëndërrojnë që shqiptarët t’i bëjnë figurat e tyre sipas recetave serbe, domethënë kryekëput në bazë të shijes dhe perceptimit të tyre. Megjithatë, kjo paraqet vetëm njërën anë, ose atë që u pëlqen atyre, ndërsa, ana tjetër, ajo që bie gjëmshëm mbi shqiptarët, mbase është diametralisht e kundërt.  Dhe si rezultat i kësaj del në shesh e keqja dhe e mira; e para përplaset mbi shqiptarët, ndërsa e dyta mbi serbët.

Kur ndodhemi përballë Esad Pashë Toptanit, e vërteta është se kemi të bëjmë me një figurë shumë negative; ai nuk i zgjodhi mjetet për të përfituar çdo gjë vetëm për interesa të ngushta personale, kryesisht përmes intrigave, përçarjeve, tradhtive, pabesive, grabitjeve, vrasjeve, shantazheve etj. Megjithatë, akti më i shëmtuar është kur ua dorëzoi Shkodrën forcave malazeze, si dhe ai kur i mundësoi ushtarët serbë të kalonin nëpër Shqipëri, madje edhe duke i ndihmuar ata me të gjitha mënyrat e mundshme. Në fakt ai s’bëri asnjë tjetër, përveçse i shpëtoi ata serbë që më parë kishin shkretuar e vrarë shqiptarët e pafajshëm. Këtë gjë e dëshmon edhe kapiteni A. Thomas në librin e tij “Lufta detare në Adriatik”, të botuar në Paris më 1927. Duke e përshkruar këtë periudhë të zymtë, në mes të tjerash, ai thotë se shumë ushtarë serbë vdiqën nga uria dhe lodhja. Siç pohon ai, këta ishin po ata serbë që kishin bërë krime të rënda ndaj shqiptarëve. Megjithatë, e keqja është se Esad Pasha nuk u shqetësua fare për këtë plojë të paparë, por thjesht vendosi t’i ndihmonte ata me të gjitha gjërat që i kishte, duke ju ofruar atyre ushqim e veshmbathje, duke i strehuar, madje shpesh edhe duke luftuar me grupet kryengritëse shqiptare të cilat donin të hakmerreshin për atë që kishin bërë serbët ndaj tyre. Për të gjitha këto na njofton edhe M. Lasheri në librin e tij “Lufta e madhe në Ballkan”, të botuar në Paris më 1929. Pikërisht për shkak të këtyre veprimeve, Esad Pashë Toptani është bërë njeriu më i urryer në mesin e shqiptarëve. Siç e dimë, jetën e tij e mbylli në Paris nga plumbat e Avni Rustemit, ku edhe u varros pranë ushtarëve serbë.

Shikuar nga ky kënd historik, veprimtaria kaq negative dhe kaq e shëmtuar e Esad Pashës e cila po i lëndon shqiptarët tash e njëqind vjet, assesi nuk mund të shërbejë si një shembull pozitiv i bashkëpunimit me serbët siç mëtojnë. Të keqen që ua kishte shkaktuar ai bashkëkombasve të vet, nuk mund ta harrojnë ata që e ndiejnë veten si shqiptarë, e aq më pak që ta falin apo ta madhërojnë, siç dëshirojnë serbët.

Në të vërtetë, si shembuj bashkëpunimi mund të shërbejnë vetëm rastet që i kanë ndihmuar të dy popujt pa e dëmtuar njëri-tjetrin. Ndërkaq, sa për Esad Pashën, që s’ka lënë gjë pa bërë kundër popullit të tij, duke ua hapur dyert serbëve nga të gjitha anët për të vrarë shqiptarë, ndoshta mund të jetë i mirë vetëm për kokat e sëmura të serbëve, por kurrën e kurrës edhe për mendjet e kthjellëta të shqiptarëve.

Me këtë model të mbrapshtë e çnjerëzor që parapëlqejnë për ta zbatuar gjatë marrëdhënieve me shqiptarët, serbët vetëm mund të armiqësohen edhe më tepër, t’i kruajnë e përskeqin plagët e rënda, por jo edhe të afrohen e të lirohen nga barra e urrejtjes.

Duke vendosur lule mbi varrin e Esad Pashës, ata thjesht hedhin plumba mbi shqiptarët. Ky lojalitet i njohur që po e kultivon me zell Serbia, nuk mund të jetë i pranueshëm në asnjë mënyrë për ta. Tanimë heroi i tyre Esad Pasha, të cilin e pat shpallur edhe Nikolla Pashiqi në kohën e tij, te shqiptarët ka marrë vulën e tradhtarit dhe nuk mund ta shlyejë askush. Por, mbase qëllimi është diku tjetër; Serbia edhe sot ende ëndërron që të ketë sa më shumë shqiptarë të cilët punojnë kundër popullit të tyre. Prandaj, gjërat do të mbeten të pandryshuara për sa kohë që ajo të keqen shqiptare e konsideron si të mirë për vete.