Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhavit Çitaku: Komiteti i Nobelit “goditi” të drejtën

| E hene, 13.10.2014, 07:13 PM |


Komiteti i Nobelit norvegjez vërtetë “goditi” të drejtën

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Çmimi Nobel për paqë ka pasur nganjëherë tendencë për të reflektuar antagonizma të ndryshëm që zor se në rrethana “ aktuale” për kohën kur janë ndarë do të mund të “kapërdiheshin”. Janë dy shembuj të “ tmershëm” të pranimit të këtij çmimi kur Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Henri Kisingjer, ndau këtë çmim me Le Duc Tho, anëtar i Byrosë Politike të Vietnamit si dhe izraelitët Yitzhah Rabin dhe Shimon Perez që ndanë çmimin me udhëheqësin e PLO-s, Jaser Arafat.

Ndërkaq, këtë vit Komiteti Nobel Norvegjez vërtetë e “ goditi” të drejtën, duke ua ndarë Çmimin për Paqë Malala Yousafzi dhe Kailash Satyarthi. Ky vendim ishte unanim nga juria profesionale me arsyetimin se këta dy të shpërblyer tashmë janë bërë të njohur për përpjekjet e tyre kundër shtypjes së fëmijëve, të rinjve si dhe për të drejtën e fëmijëve për shkollim.

Çmimi Nobel për Paqë tërheq vëmendjen për të luftuar të këqijat

Nuk ka çështje më të rëndësishme se sa të udhëhiqet një aktivitet sa fisnik aq edhe i guximshëm në fushën e të drejtave të fëmijëve, sidomos në Indi dhe Pakistan ku ato të drejta shkilen sistematikisht. Fëmijët e sidomos vajzat ende trajtohen si qytetarë të rendit të dytë apo të tretë jo vetëm në këto dy vende por edhe në shumë shtete të botës. Të rinjtë e arsimuar e kanë të vështirë të mbajnë “ pezull” prapambeturin e pakuptueshme në vendet e tyre, ndërsa vajzat e edukuara po e kanë vështirë të bëjnë më shumë në emancipimin e kësaj gjinie për shkak të shtypjes që iu bëhen në çdo tentim të tyre për të ndryshuar këtë gjendje alarmante.

Çmimi Nobel për Paqë siguron botën dhe jep një shans të mirë për të vënë në qendër të vëmendjes se në Indi duhet të luftohen shumë të këqija që po ndodhin sidomos në dëm të gjinisë femërore. Vajzat në këtë shtet u janë ekspozuar përdhunimeve, rrahjeve si dhe vrasjeve të panumërta nga anëtarët e familjeve. Pavarësisht se është miratuar një ligj ku parasheh shkollimin e fëmijëve nga mosha 6- 14 vjeç, kjo gjë nuk ndodh për gjysmën e tyre. Një gjendje e tillë absurde është prezente edhe për shkak të diskriminimit që iu bëhet atyre. Veçanërisht të “ paprekshëm” dhe të rrezikuar janë Dalit-et, myslimanet dhe vajzat, të dhëna këto të dala nga një raport i Human Rigehts Watch. Ndaj ishte Kailash Satyarthi që ishte përfshi në një aktivitet të pandërprerë për të përmirësuar këtë gjendje që po ua nxinë jetën femrave të këtij shteti e sidomos vjazave.

Malala Yousaftzai trimëreshë nën sundimin ekstrem islamit

Kjo nxënëse pakistaneze në vitin 2012 u qëllua në kokë nga telebanet sepse ajo kishte bërë emër në angazhimin e saj kundër rregullave dhe sundimit ekstrem islamit. Ajo është një figurë e ndritshme e historisë më të re jo vetëm të Pakistanit por edhe gjithë rajonit se si duhet të luftohet pavarësisht kërcënimeve për të drejtën e fëmijëve e sidomos të vajzave për shkollim. Edhe atdheu i Malala-s, Pakistani, rendit në një ndër vendet më të këqija për shkeljen flagrante të të drejtave të gruas. Përkundër kësaj shtypjeje Malala nuk deshi të ndërprejë shkollimin.

Ndarja e Çmimit Nobel për Paqë për këta të dy ta përkujton një moshë të relativizmit kulturor dhe kjo nuk është një gabim, përkundrazi kjo ta kujton dallimet e sistemit ndërmjet modernes, demokracisë laike dhe komunitetet në të cilat errësiara ende mbron një patriarkalizëm që sistematikisht mohojnë të drejtat e grave. India dhe Pakistani mund të jenë krenar për këto dy personalitete të ndritura. Dhe mbetet të shihet se sa qeveritë e këtyre dy vendeve do ta shohin Çmimin Nobel për Paqë si një nxitje për të reflektuar pozitivisht në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në drejtim të përmirësimit të të drejtave të grave.