Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Sami Sherifi

| E merkure, 08.10.2014, 06:11 PM |


Sami Sherifi

 

DRURI SKALITET SI VARG NË ÇARSHI

 

Kur gjatë kohë je ndarë nga vendlindja

Rikthimi të duket si ringjallje

Çdo rrugicë e ngushtë e kalldermës

Të duket si Ale e stolisur me yje

E përjetimi të rrikthehet në varg

Ti s'kërkon frymëzim

Vetëm qetësinë e rrugicave të Çarshisë së Vjetër

Përjeton

Shkupin e Nenës Tereze

E ndanë me lypsarë

Dhe do çmallesh kur takon një mik

E nën hijen e Rrapit plak

Flet me shekujt

Për poezinë

Artin

E kulturën e përbuzur

Duke pirë kafe me poetin

Skulptori frymëzimin tënd e merr

E skalit me hiroglife në dru

Dhe ja poezia është gati

Të thotë

Mund t'ua falish kalimtarëve

Zejtarëve

Të papunëve

Dhe ndonjë miku të pensionuar

Kush tjetër s'ka kohë të merret me ty

Po nguten

S'kanë lekë të paguajnë kafenë nën Rrap...

 

(Çarshi e Vjetër, Shkup, 17/18. 09. 2014)

 

VARDARI

 

Lum Vardari

Më thuaj

Sa shekuj na duhen

Urën e Shenjtë të ngremë

Mes epikës

E lirikës

Që me rrjedhën tënde

Brigjet e Ilirisë të lidhen

E kurrë mos të shemben!

 

(Duke kaluar Vardarin mbi "Urën Nenë Tereza",

Shkup, 01.10.2014)

 

MOLLË E KUQE MOLLË E NDARË

 

A mund të më thoni pse Molla e Kuqe

E mbjellë me duart e babait

Në kopshtin tim të fëmijërisë

Gëzohet

Kur hijen e gjethet ia ledhatoj

Frutat ia vjeli nga degët

Që me vite i mbeten të thara

Të ngrira

Të pambledhura

Dhe kur i rëndoheshin degët

Lotonte

Mu si syri i përmalluar mërgimtar

Që pikonte e digjte

Qepallet e përlotura të nënës sime

Që priste e përcisllte stinët

Duke ëndërruar kthimin e djalit

Nga mërgimi.

E ngrata nënë vdiq nga malli

Duke pritur nën hije molle

Pa u çmallë me të birin.

Mbi varrin e Saj po çmallem

Sot

Pas tridhjetë e tre vitesh mërgimi

Pa lëshuar asnjë lote mbi varr

Qetësisht të prehet nëna...

 

(Shkup,30.09.2014)

 

MALLAKASTRA NË SHKUP

 

Nga Mallakastra u ngritën shqiponjat

E çerdhen e urtësisë e gjetën në Shkup

Aty te këmbët e Lekës së Madh

Gjetën themelet e mbuluara me një pllakë

Përkujtimi

Këtu lindi Nëna e Madhe

Ikonë e zemërgjerësisë shqiptare

Mos haroni urtësinë e saj

Ju them

Këtu dremit shpirti i pëllumbave

Me gjethe mbuluar

Merreni me vehte për në Mallakastër

Këtë uratë Nëne Shkupjane

Dhe e mbjellni n'ato fusha Shqipërie...

Mirë se erdhët në Shkup!

 

(Shkup, 28.09.2014)

 

DY HERË I VARUR NË LITAR

(Poezi kushtuar Nexhat Agollit)

 

Kur ti linde perandoritë rrënkonin

Si kulla kartoni rrënoheshin

Në rininë tënde

Dibra pështjellej me të zezë

E vëllau vëllanë e mbante në nishan

Njëri vëlla zdirgjej nga Korabi

Me plis të bardhë në kokë

Tjetri me yllin pesërembësh .

Nga Karpatet në gjuhë të huaj

Shqiponjës i thurrnin strofullën e vdekjes

Me gjuhën e urrejtjes

Një mashtrim të ri kurdisnin

Për jetën e përbashkët

Vëllazërim-bashkimin e kuq

Dhe vrasjen pas shpine

Në prag të shtëpisë.

Me dorën e përgjakur të muzgut

Mbi plisin e bardhë ta ngjiten

Yllin e tradhëtisë sllave

Dhe të varën

Mu në qendër të Shkupit

Ku sot të ngrenë bustin

E të varin për të dytën herë

I ndjeri Nexhat Agolli.

 

(Shkup, 29.09.2014, para bustit që përjeton varjen e dytë,

të ish Nënkryetarit të Qeverisë së RSFM ,Nexhat Agolli

(1914-1949 ), e të cilit edhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri.

 

DASMA DARDANE DHE NUSJA ME DUVAK

 

Gjithë ato stinë lotësh ato vite të kaluara në robëri

Na i lidhën me zinxhirë të ndryshkur për fyti

Një shekull, dy shekuj apo pesë shekuj, apo,

Thuani sa të doni, sa shekuj robërie duruam

Duke ëndërruar lirinë

Gjithë këto stinë nuk pamë diell Ilirie

Atdheun na e ndanë

Na e prenë me gërsherë dhe horizontin

Mbi tokën Dardane e mbanin për gushë

As këto fusha e male e as këto shkrepa

Asnjëherë nuk thithën ajër të freskët

Vetëm lot e gjak u mbollën në këto ara e grunaje.

Erdhi dita e Dasmës së Madhe

E pushkët u nxorrën nga hambarët e drithit

Loti u step dhe u shndërrua në gurë xixëllues

Nga pragu i derës s'lëvizet dot, thanë

S'ke ku shkon më tej derës së dinjitetit

Dhe morri flakë Dardania...

Ata kolonë që na robëruan me shekuj

Pandërpre na flisnin për lirinë

E të drejtat që duhet t’i gëzojë i robëruari

E me thundërr barbarie na thyenin djepin te dera

Duke na folur për tolerancë e vëllazërim-bashkim sllav

E për çdo ditë na e vrisnin nga një pëllumb mbi kokë

Në mbrëmje kërkonin nga ne distancim nga iridenta .

Mjaft më

Durimi morri fund

Dallëndyshet morrën krah’e Dasma nisi

Pëllumbat e Lirisë erdhën me nga një karajfil të kuq në dorë

Kishin marrë me vete gjithë atë bagazh atdhedashurie

Me flamurin Kuq e Zi na erdhi edhe nusja me duvak

E hypur në kalë të bardhë

Ia solli lirinë e krenarinë Atdheut tim të përgjakur...

 

NËNAT LEDHATOJNË DIELLIN

 

Syri i nënave kaherë digjet

Mes ëndrrës dhe dashurisë

Nga ndjenjat e tyre merr flakë qielli

E rrjedhin lumenjtë

E urtësisë

Dhe kur nëna në duart e saj mbanë

Foshnjën e posalindur

Loti i kristaltë i buzëqeshe mbi faqe

Syri i loton

E zemra i ndahet në dysh

Nga përjetimi.

Kur nëna ledhaton fëmijën

E posalindur

Diellin dashuron

E fëmija

Posa prekë tokë e qiell

Jetën me trishtim e fillon

E me vaj nis të marrë frymë

Buzëqeshjen do ta mësojë më vonë

Nga gëzimi i nënës

Dhe vetë do të flas me yjet.

 

(Shkup, 22.09.2014)

 

MIRËSERDHËT NË SHQIPËRI

 

Është ditë e rëndomtë vjeshte

Ditë e mikpritjes

Ditë e shenjtë kur nga qielli

Rrezet hyjnore

Me shpirtin human të Nënës

Puthin

Tokën e shenjtë

Hyjezojnë

Atdheun

E popullin tim

Që jetën e ndanë mes tre besimeve

Por Shqipërisë i thotë Nënë.

 

Mirësevini në Shqipëri!

 

(21.09. 2014)

 

SYRI I BLERTË I VENDLINDJES

 

Kur pas shumë vitesh kthehesh nga mërgimi

Në fshatin e fëmijërisë

Syri i përmalluar të ngujohet në një gur

Të shtëpisë së rënuar

E ti tretesh mes viteve të kujtesës

Duke thithur ajrin e lagur nga loti

Që kullon

Nga syri i blertë i vendlindjes.

 

Pas pak kohe

Do ju rikthehesh pa dashje viteve të lëna

Diku largë

Në tokën e përlotur mërgimtare

Dhe do çfryhesh nga malli

Kur lulja në bahçe do shpërthejë në vaj

E gjethi i mollës si dorë nëne të perkëdhel

Në mes të vjeshtës

Pranvera të rikthehet në buzëqeshje.

 

Edhe loti është i ëmbël

Kur i gjithë fshati të pret me gëzim

E vërtetohesh se vendlindja të mirëpret

Të don e të adhuron

Mirësenaerdhe të thot!

 

(Sillare e Poshtme,Shkup, 20.09. 2014)