Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Myftaraj: Pse socialistët nuk përdorin dy gishtat?

| E hene, 06.10.2014, 07:45 PM |


Pse Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e përdor simbolin e dy gishtave?

Nga Kastriot Myftaraj

Për shkak se simboli i dy gishtave, që është simboli i fitores në Perëndim, ishte ai me të cilin u bënë revolucionet antikomuniste në Europën Lindore në vitin 1989, ai në atë kohë u perceptua në Shqipëri si një simbol politik konfliktual. Dy gishtat qenë simboli i protestave kundër diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitet 1990-1991, që nisën së pari në Kavajë. Partia e Punës (partia komuniste) në pushtet në Shqipëri, si dhe mbështetësit e saj e panë që në fillim simbolin e dy gishtave si një simbol armiqësor të drejtuar kundër sundimit të saj gjysmëshekullor. Dhe kështu ishte në të vërtetë. Në të gjitha tubimet zgjedhore që PPSH mbajti me rastin e zgjedhjeve të para shumëpartiake në vend, ato të marsit 1991, simboli i kësaj partie ishte ai tradicional komunist, grushti i ngritur lart. Nga ana e saj, opozita, e cila në atë kohë ishte identifikuar me Partinë Demokratike, si e vetmja parti opozitare e cila arriti të fitonte vende në parlament, përdorte simbolin e dy gishtave.

Por, kur në qershor 1991, Partia e Punës ndryshoi emrin në Partia Socialiste, me ç’ rast tha se tashmë ishte shndërruar në një parti të re, të llojit të socialdemokracisë perëndimore, duhej pritur që kjo parti ta përdorte natyrshëm simbolin e dy gishtave, simbolin e fitores që përdorin të gjitha palët në Perëndim. Por nuk ndodhi kështu. Partia Socialiste vazhdoi ta shikonte simbolin e dy gishtave si armiqësor ndaj saj, si simbol që i përkiste ekskluzivisht kundërshtarit politik. Simboli i dy gishtave në Shqipëri u bë ekskluzivisht simbol i një partie, Partisë Demokratike dhe i liderit të saj, Sali Berisha, për shkak të refuzimit të Partisë Socialiste për ta përdorur këtë simbol. Dhe e vetmja arsye për mospërdorimin e këtij simboli nga ana e PS ishte se kjo parti e shihte veten në thelb të identifikuar me PPSH dhe humbjen e pushtetit absolut të kësaj të fundit, e shihte dhe e sheh ende si humbje të vetën.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë, së bashku me Serbinë, ku simboli i dy gishtave konsiderohet si simbol politik armiqësor. Në Serbi nga krejt shoqëria, ndërsa në Shqipëri nga një pjesë e saj, të majtët. Të huajt që erdhën në Shqipëri në vitin 1999 me rastin e Luftës së Kosovës, u habitën shumë kur panë se simboli i dy gishtave shihej si simbol politik ekskluziv, që perceptohej me armiqësi nga një pjesë e shoqërisë. Policët shqiptarë në 1999 nuk ua kthenin përshëndetjen me dy gishta shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, që kalonin postoblloqet policore nëpër rrugët e Shqipërisë, hipur në traktorët e tyre. Shqiptarët e Kosovës e adoptuan simbolin e dy gishtave, në protestat e tyre, në fund të viteve tetëdhjetë, për shkak se ai ishte shndërruar atëherë në një simbol të pëlqyer gjerësisht në Perëndim, dhe që e përdornin protestuesit antikomunistë në Europën Lindore. Simbolin e dy gishtave, shqiptarët e Kosovës ia kundërvunë simbolit serb të tre gishtave. Në Shqipëri, Partia Socialiste e adoptoi simbolin e tre gishtave, në protestat dhe tubimet e saj zgjedhore në 1997, duke e lënë këtë dëshmi të regjistruar nga të gjitha televizionet e mëdha të botës që pasqyruan ngjarjet e asaj kohe në Shqipëri.

Pikërisht fakti që PS nuk e përdor simbolin e dy gishtave, bën që shembja e monumentit me simbolin e dy gishtave në Kavajë, të duket në një dritë krejt tjetër. Vetë mënyra se si u bë kjo gjë ishte provokuese në kulm. Monumenti nuk u hoq, ai u shemb në mënyrë demonstrative. Monumenti u hoq nga INUK, i cili është një ent shtetëror për prishjen e ndërtimeve pa leje, dhe që tashmë ka kaluar në vartësi të Policisë së Shtetit. Kjo do të thotë se monumenti u hoq sikur të ishte një ndërtim i çfardoshëm pa leje dhe për më tepër u hoq nga Policia. “Unë ua pres ato gy gishtat që ngrini lart”, iu tha në dhjetor 1990 studentëve Ministri i Punëve të Brendshme, i diktaturës komuniste, Hekuran Isai. Dhe dy gishtat i theu demonstrativisht pasardhësi i Hekuran Isait, Saimir Tahiri, në 2014. Nëse Kryeministri Rama nuk kishte qëllim që të provokonte, ai mund të kishte ngarkuar Ministrinë e Kulturës që ta hiqte monumentin duke pajtuar për këtë qëllim një kompani private, siç ndodh kudo në botë kur hiqen monumente. Por nuk duket i besueshëm as shpjegimi që jep Kryeministri Rama se monumenti u hoq për t’ u zëvendësuar me një tjetër, në… 2015. Monumenti ekzistues mund të ishte hequr kur të ishte gati për t’ u vendosur monumenti tjetër.

Këto shpjegime të Kryeministrit Rama nuk janë aspak bindëse dhe nuk janë gjë tjetër veçse “gjethe fiku” retorike që nuk mbulojnë dot lakuriqësinë e gjestit kryeministror të shembjes së monumentit të dy gishtave në Kavajë. Me shembjen e monumentit Kryeministri Rama donte t’ i tregonte partisë së tij dhe mbështetësve të saj, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, se me ardhjen e tij në pushtet në qershor 2013, ishte zhbërë dhjetori 1990, pra ishte zhbërë humbja e pushtetit absolut nga PPSH. Qershori 1990 është nëntori 1944, kërkon të thotë Edi Rama me këtë gjest. Kur Enver Hoxha erdhi në pushtet në 1944, këshilltarët e tij komunistë serbë i thanë se, për t’ ju treguar shqiptarëve që kishte ardhur një pushtet që do të qëndronte shumë gjatë, ai duhej të shembte në mënyrë spektakolare një monument të regjimit të vjetër. Dhe Enver Hoxha shkatërroi me dinamit mauzoleumin e Nënës Mbretëreshë, në kodrat në periferi të Tiranës. Së njëjtës logjikë i përket edhe shembja nga Edi Rama i monumentit të dy gishtave në Kavajë.

Për këtë arsye, me shembjen e këtij monumenti Edi Rama nuk ka sfiduar vetëm Partinë Demokratike dhe Sali Berishën e Lulzim Bashën, por të gjithë ata që nuk duan që Shqipëria të shndërrohet në një diktaturë të re, të përshtatur me kohën, të llojit të Putinit në Rusi, i cili e ka përshtatur diktaturën sovjetike të shekullit XX me realitetet e shekullit XXI, me një oligarki në vend të Politbyrosë. Shembja e monumentit të dy gishtave është një gjest në vazhdën e shumë gjesteve me të cilët Edi Rama kërkon të tregojë se ai është duke instaluar një regjim putinian në Shqipëri.

Edi Rama dhe rrethi i tij i ngushtë janë duke zbatuar një agjendë sundimi e cila në thelb ka një plan të quajtur “Grushti”. Qëllimi i këtij plani është që të arrihet në Shqipëri sundimi afatgjatë i një partie, Partisë Socialiste, duke u zhbërë ajo që ndodhi në Shqipëri duke nisur që nga viti 1991, kur arriti që të krijohet një parti e madhe, si PD, e cila, me simbolin e dy gishtave, arriti të marrë 40% të votave në zgjedhjet e para pluraliste në vend, në 1991, si dhe të marrë dy herë pushtetin duke qenë në opozitë, në 1992 dhe 2005. Atë që nuk arriti ta bënte Ramiz Alia në 1991 dhe 1992, si dhe Fatos Nano në 2005, pra t’ i thyenin politikisht dy gishtat, e bëri simbolikisht Edi Rama në 2014, duke paralajmëruar se do ta bëjë politikisht këtej e tutje sa kohë të jetë gjallë. Koha e dy gishtave mori fund një herë e përgjithmonë, tani u rikthye përsëri koha e dy grushtit. Ky ishte kumti i Edi Ramës.

Në takimin e Ramiz Alisë me studentët në dhjetor 1990 ka një moment interesant, kur përfaqësia e studentëve dhe pedagogëve që u takua me të, i jep fjalën diktatorit komunist se në tubimet studentore nuk do të përdorej simboli i dy gishtave, dhe se ata i kishin qortuar ata që e përdornin atë. Simboli i dy gishtave ishte përdorur në mënyrë spontane nga studentët demonstrues, të cilët e kishin parë atë në televizor të përdorej nga turmat në revolucionet antikomuniste në Europën Lindore. Ramiz Alia u shpreh veçanërisht me mllef për simbolin e dy gishtave duke u thënë se ata që e përdorin këtë simbol kanë qëllime të tjera, dhe se studentët duhet t’ i refuzojnë ata. Askush, as Azem Hajdari nuk e mbrojti simbolin e dy gishtave në takim, që ishte simboli i lëvizjeve antikomuniste në krejt Europën Lindore. Qëllimi i Ramiz Alisë ishte që ta pengonte PD-në që të bëhej parti e madhe. Kur Ramiz Alia shkoi në SHBA, në shtator 1990, ai u tha bashkëbiseduesve të vet amerikanë, se ai mund të bënte pluralizmin politik në Shqipëri, por nuk bënte dot një parti opozitare të madhe, se kjo gjë varej nga zgjedhësit. Në të vërtetë Ramiz Alia nuk e donte ekzistencën e një partie të madhe opozitare.

Pa simbolin e dy gishtave, PD nuk mund të bëhej një parti e madhe opozitare, duke nisur që nga dhjetori 1990, se shqiptarët nuk do t’ i besonin asaj. Shqiptarët që merrnin pjesë në tubimet e PD-së i ngrinin në mënyrë të natyrshme dy gishtat se ata e kishin parë atë simbol në televizor, në revolucionet antikomuniste të Europës Lindore dhe nëse ata do të shikonin se liderët e PD-së në tubimet e kësaj partie nuk e përdornin atë simbol dhe madje iu bënin thirrje pjesëmarrësve që të mos e përdornin, këta të fundit do t’ i largoheshin kësaj partie. Duke dashur që ta privojë PD-në nga simboli i dy gishtave, Ramiz Alia donte ta pengonte atë që të bëhej një parti e madhe.

Nëse ka ndonjë meritë politike Sali Berisha, kjo është që ai, që në fillim u bë një mbrojtës fanatik i simbolit të dy gishtave, u personifikua me të, dhe bëri më shumë se kushdo që ky simbol të bëhej simboli i kësaj partie. Kjo meritë nuk mund t’ i mohoet atij. Pastaj mund t’ i rreshtohen njëqind faje politike. Është e vërtetë se kur Sali Berisha shkoi në fillim te studentët ai mbajti një fjalim ku përshëndeti Ramiz Alinë. Logjikisht kjo duhet të kishte qenë katastrofale për të si politikan opozitar. Por megjithatë ai nuk e humbi simpatinë e turmave se ai që nga ai moment përdori parreshtur simbolin e dy gishtave që ishte sfidues ndaj Ramiz Alisë dhe regjimit të tij. Me këtë Sali Berisha, nga njëra anë përshëndeti Ramiz Alinë, nga ana tjetër theu premtimin që i kishte dhënë diktatorit përfaqësia e studentëve dhe pedagogëve se nuk do të përdorej simboli i dy gishtave. Por pikërisht te dy gishtat e demonstruar publikisht në tubimet në sheshe qëndron sekreti i rritjes elektorale pikërisht të PD dhe jo të partive të tjera politike të krijuara në Shqipëri me lejimin e pluralizmit politik. Nga të gjithë këto parti, vetëm PD iu duk e besueshme njerëzve që kërkonin ndryshim, se vetëm ajo përdorte simbolin e erës së ndryshimeve politike në Europën Lindore, atë të dy gishtave. Simbolet kanë rëndësinë e tyre. Kur drejtuesit e tjerë të PD-së panë se me sa entusiazëm e prisnin pjesëmarrësit në tubime simbolin e dy gishtave, ata u detyruan që ta përdornin atë. Nëse PPSH kur ndryshoi emrin në qershor 1991 do t’ ua kishte ndaluar mbështetësve të saj simbolin e grushtit të ngritur lart, kjo parti me siguri që do të ishte shkrirë dhe do të kishte humbur mbështetjen se atë do ta kishte braktisur edhe bërthama që e mbështeti në zgjedhjet e marsit 1992.

Edi Rama sot kërkon të arrijë sukses atje ku dështoi Ramiz Alia në 1990-1992, pra t’ ju thotë të huajve, se partia e tij fiton gjithmonë në zgjedhje se në Shqipëri, jo për faj të tij, nuk ka një parti të madhe opozitare me partinë në pushtet. Nga ana tjetër, Edi Rama do të bëjë gjithçka me anë të shtetit policor, që në Shqipëri të mos krijohet një parti e tillë në opozitë, madje as alternative ndaj PD-së.

Grupi përreth Edi Ramës që po zbaton Planin “Grushti” e sheh veten si aristokracinë e re të Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje ky grup e teston shoqërinë shqiptare me veprime të tilla aristokratike, deri edhe mbretërore, si dasma e Erion Veliajt në kështjellën e Gjirokastrës. Vetë Kryeministri Rama është duke ndërtuar shtëpinë e tij në trajtën e një kështjellë të stilizuar në lartësitë përreth Tiranës. Sarajet personale, në stilin e diktatorëve ish-komunistë të ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore, që Edi Rama është duke ndërtuar në një kodër në periferi të kryeqytetit janë një simbol me të cilin Edi Rama kërkon të tregojë se ai do të rrijë shumë gjatë në pushtet. Për këtë qëllim ai është duke krijuar në vend një oligarki putiniane, e cila do të kontrollojë ekonominë, median, dhe për rrjedhim edhe politikën, duke pasur si kult atë, Edi Ramën.

Kjo do të thotë se Edi Rama është duke i bërë një sfidë të tillë shoqërisë shqiptare të cilën deri më sot nuk ia ka bërë askush që nga koha e Enver Hoxhës. Një nga aspektet më të këqija të kësaj sfide është se Policia e Shtetit është vënë me shumë zell në shërbim të kësaj aspirate të çmendur të Edi Ramës. Edi Rama e di se ai mund të sundojë shumë gjatë në Shqipëri vetëm duke ndërtuar një shtet policor, dhe pikërisht këtë gjë është duke bërë ai, me justifikimin e dhënies fund të kaosit të moszbatimit të ligjeve në vend. Por zbatimi selektiv i ligjeve nga shteti policor është po aq i keq sa kaosi. Zbatimi selektiv i ligjit është racizëm në llojin e vet, se e ndan shoqërinë në dy raca, të paprekshmit, dhe ata që mund të preken madje të shkelen me këmbë. Që ka një zbatim selektiv të ligjit nga shteti policor i sotëm, për këtë ka dhe një monument domethënës, që është fakti se këto ditë, kur thuhet zyrtarisht se INUK po prish në Tiranë 600 ndërtime pa leje, te ish-Blloku i Udhëheqjes Komuniste në Tiranë, ku vetëm atje ka me siguri 600 ndërtime të tilla, nuk është prekur asgjë.”Zero shembje te ish-Blloku nga INUK!

Sfida që Kryeministri Rama po i bën shoqërisë shqiptare çon në mënyrë të pashmangshme në luftë civile. Është vetëm çështje kohe se kur do të ndodhë kjo gjë. Është e pashmangshme që në një shoqëri si ajo shqiptare që sa vjen dhe polarizohet ekonomikisht, të shpërthejë herët a vonë, por më e sigurt herët se vonë, lufta civile. Edi Rama e di mirë këtë gjë prandaj po ndërton shtetin policor. Por shteti policor nuk është në gjendje që ta ndalojë luftën civile në Shqipëri. Kur Policia e Shtetit bëhet bashkëpunëtore në ndërtimin e shtetit policor, ajo bëhet armike e shoqërisë, së cilës duhet t’ i shërbejë si garante e rendit publik. Shoqëria e identifikon Policinë e Shtetit me Shtetin Policor dhe nga ana e saj, Policia e Shtetit e identifikon shoqërinë me armikun e shtetit, duke përjashtuar një minorancë të privilegjuar të shoqërisë së cilës regjimi në fuqi i ka lejuar qasje në benefite, si kastë e nëpunësve publikë me të ardhura të mira dhe si shtresë e biznismenëve të mëdhenj dhe të mesëm.

Policia e Shtetit ka për detyrë që të survejojë dhe të mbajë nën kontroll me dhunë gjithë pjesën tjetër të shoqërisë. Dhe meqënëse Policia e Shtetit nuk mund ta bëjë e vetme këtë gjë, ashtu siç ndodhte në të gjithë shtetet policore, hiqen kufijtë mes Policisë së Shtetit, Partisë në pushtet, dhe shërbimeve të fshehta. Polici, anëtari i partisë në pushtet dhe punonjësi i shërbimeve të fshehta janë funksionarë zyrtarë ose jozyrtarë të së njëjtit shetit policor, trupë e tij policore, zyrtare dhe jozyrtare. Policia e Shetit shndërrohet në pararojën e një Milicie politike jozyrtare. Kjo po ndodh edhe në Shqipëri, ku në funksion të shtetit policor, veç trupës së Policisë së Shtetit, është duke u krijuar dhe një Milici Politike sa trefishi i personelit të Policisë së Shtetit. Kjo Milici Politike do të përdoret për të mbështetur Policinë e Shtetit në funksionimin dhe ruajtjen e shtetit policor, dhe posaçërisht në zgjatjen e pushtetit të elitës politike që kontrollon shtetin policor. Milicia Politike përbëhet nga militantë politikë të punësuar në administratën publike, militantë të punësuar në kompanitë e biznismenëve pranë Edi Ramës, si dhe njerëz të grupeve kriminale.

Edhe unë jam dakord me Edi Ramën që Shqipëria të kthehet pas në dhjetor 1990, por ndryshe nga Edi Rama, unë nuk dua që të instalohet përsëri një diktaturë e përditësuar, por që diktatori të pësojë fatin e Çausheskut të cilit i shpëtoi Ramiz Alia në atë kohë. Dhe bashkë me diktatorin edhe oborrtarët e tij. Por për këtë luftë shqiptarët nuk duhet të bashkohen rreth PD, se ajo tashmë është një rudiment politik i pavlefshëm, që me ekzistencën e saj vetëm sa i shërben Edi Ramës i cila kërkon ta përdorë ekzistencën e saj si kamuflim për të penguar lindjen e lëvizjeve të reja politike në vend, vërtet të rrezikshme për sundimin e tij.