Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Imzot Doçi, Abati burrështetas i Mirditës

| E diele, 05.10.2014, 11:39 AM |


IMZOT PREND DOÇI,

ABATI BURRËSHTETAS I MIRDITËS

Misionar kombëtar i dijes e qytetërimit

NGA NDUE DEDAJ

Kohë më parë Don Lush Gjergji ka botuar një libër mbi të mëdhenjtë e përbotshëm të shekullit XX, ku përmblidhen shumë figura të shndritshme shenjtërish, prelatësh, misionarësh, prijësish gandistë të popujve, ndër të cilët dhe Nënë Tereza, Kardinal Koliqi, Atenagora etj. Nëse do të kishte një botim të tillë ekselent dhe për shekullin XIX, pas gjithë gjasave nga bota shqiptare do të kishte qenë përzgjedhur dhe Abat Prend Doçi (1846-1917), ani se vepra e tij shtrihet dhe në shekullin pasardhës, atë të XX. Duke njohur veprën e tij të pazakontë, para njëzet vitesh në librin “Toka e Katedraleve” pata shkruar: “Për Prend Doçin nuk kishte asnjë mision të pamundur, sado i vështirë të ishte, mision apostolik apo kulturologjik, në Kanada apo në Indi, në Shkodër apo në Mirditë, në luftë apo në paqe, prift i thjeshtë apo ordinar kishe. Ai ishte ideator dhe reformator i guximshëm në të gjitha kahjet e zhvillimit: në jetën kishtare, në jetën sociale, në jetën kulturore dhe atë politike. Shqiptari i vetëm që rroi e predikoi në tre kontinente: Europë, Azi dhe Amerikë...” Ka ndodhur shpesh që figurat kombëtare, me jetën të gërshetuar me politikën, të mos vlerësohen në kohë, ngaqë stinët politike që kanë pasuar nuk kanë krijuar klimën e duhur për ndriçimin e veprës së tyre. Është dashur kohë të dalin nga terri i harrimit, paragjykimit, moskomunikimit. Kurse vendosja e Imzot Doçit në vendin që i takon ka për të qenë një punë jo e lehtë. Me gjithë njëfarë shpalimi të figurës së tij këto vitet e fundit, kryesisht përmes botimesh, për shumicën e shqiptarëve ai vazhdon të mbetet thuajse si në kohën e tij “shumë i përmendur, por pak i njohur”, siç e pati përcaktuar Shahin Kolonja, pasi ne ende nuk jemi orientuar për kah kulmet e historisë. Prej këndej duhet nisur analiza e veprës së tij komplekse, si poet i fillimeve të Rilindjes, prelat i lartë kishtar e reformator kishe, flamurmbajtës kryengritjesh për pavarësi, themelues shoqërie letrare, shkollash shqipe e tekstesh mësimore etj. Një vepër që nisi me poezi atdhetare kur ishte student në Romë e vazhdoi me predikimin e Ungjillit, çka nuk kreu as kur Abati mbylli sytë. Ndaj për Imzot Doçin janë shprehur me vlerësime superiore qysh në gjallje të tij njerëzit më në zë të kohës, si Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Faik Konica, Gjergj Fishta, Asdreni, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, Ali Asllani, Ndoc Nikaj, Milto Sotir Gurra, Zef Skiroi, Gaetano Petrota, Edith Durhami, Franc Nopça e deri Aleksandër Xhuvani, Rexhep Qosja e Peter Bartl. E megjithatë Prend Doçi nuk e ka sot titullin “Nderi i Kombit”!?

Poet tribun në nismat e Rilindjes Shqiptare

Më 1859 Seminari i Jezuitëve në Shkodër, tashmë me emrin Kolegji Papnor Shqiptar (Collegium Pontificium Albaniense), rifilloi mësimin me 30 nxënës, ndër të cilët dhe Prend Doçi. Prej asaj kohë e mbrapa aty kryen arsimin e mesëm një numër i madh priftërinjsh shqiptarë. Doçi, më pas student në universitetin e Propagandës Fide në Romë, publikon disa poezi: Dheu em në përmbledhjen “A Dora d’Istria-gli albanezi”, Livorno më 1870; Nji kushtrim shqiptarëve e po atij viti dhe Shqypnia në robni botuar në “Mjalt e bletës”, Bukuresht më 1897. Rreth 200 vargje në 42 strofa ku poeti i ri shfaqet si mjeshtër i vargut, çka nënkupton se e kish ushtruar dorën dhe se këto poezi nuk ishin të vetmet. Përdor distikun, strofën katërshe me rimë të përputhur dhe të alternuar, teksa parapëlqen strofën gjashtëshe dhe dhjetërrokëshin. Vjershat e tij cilësohen si manifeste të para poetike të asaj periudhe. (Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983.) Të shkruara me mjeshtëri e frymëzim, me stil energjik e gjuhë të pastër, ato shprehin në mënyrë të ngjeshur disa nga idetë dhe idealet e lëvizjes sonë kombëtare dhe paralajmërojnë lindjen e një poeti të talentuar, në radhë me Zarishin, De Martinon, Bytyçin.

Shqynia në robni (1872), që dallohet për theksin marcial të vargut, saktësinë e mjeteve poetike dhe gjuhën e bukur dhe të pastër, është padyshim një poezi antologjike që të kujton “O moj Shqypni” të Pashko Vasës dhe mund të merret si një program e kushtrim i kryengritjes së Mirditës (1876-1877), të cilën Prend Doçi e kishte udhëhequr në vend të Preng Bibë Dodës së ri. (Isak Ahmeti, Kleri katolik shqiptar dhe letërsia, 1994.) Për shumë kohë kjo poezi ishte një spiritus movens i vërtetë për shqiptarët dhe për lëvizjen kombëtare shqiptare. Në të ai kishte ngritur shumë lart kultin e Skënderbeut, kultin e flamurit dhe kultin historik në përgjithësi duke theksuar njëherësh dhe rolin e diplomacisë: “Dheu em Shqypni n’Evropë, ka fol parsia/ Gjyq lyp, nuk gjak, e gjyq do “ket” Shqypnia”. (“Poetë të Rilindjës”, Tiranë 1973.) Përsa i përket vlerësimit të veprës së Doçit si shkrimtar, në vendin e vet ai është vetëm në botimin e rëndësishëm “Shkrimtarë Shqiptarë” (1941) në radhë me autorë të tjerë të shquar të Rilindjes. Po ashtu, studiuesi i njohur letërsisë prof. Dr. Jorgo Bulo i bën një analizë të thellë figurës së Prend Doçi, duke shkruar se i përket atij qarku kulturor e konfesional që në shekujt e mjegullt të Mesjetës shqiptare me veprën e Buzukut, Budit, Bogdanit e Bardhit kishte themeluar traditën e shkrimit të shqipes e të letërsisë shqipe, duke u bërë bartës i vlerave kulturore e atdhetare të shqiptarëve dhe i identitetit të tyre si popull. (J. Bulo,“Mirdita në histori dhe etnokulturë”, Rrëshen 2001.) Por gjasët janë që te Prend Doçi poeti u sakrifikua për misionarin kombëtar, ndaj në këtë të fundit duhet kërkuar vepra e tij letrare “e munguar”, thënë ndryshe ajo ua la vendin abetareve, fjalorëve, alfabetit që ai kryesoi etj. “Edhe me qenë pak veprat e shkrueme prej Abat Doçit, nuk janë pak 32 vepra… të botueme në nandë vjet të Shoqnis “Bashkimi” themelue prej tij, as veprat e botueme me ndihmën financiare që dha për shtyp”, do të thoshte Gjergj Fishta. (“Posta e Shqypnis”, nr 24, shkurt 1917.) Shllimi poetik ishte i pari te ai, pastaj brenda tij do të zjente drama atdhetare vetjake dhe drama kombëtare, që kërkonin shumë më shumë kushtim se Nji kushtrim shqiptarëve, poezi emblematike e tij.

Abacia e fundit e shqiptarëve dhe Abati (ri)themelues i saj

Rrallë ka ndodhur që të shkrihen në një emri i insitucionit me atë të themeluesit të tij, si në rastin e Abacisë së Mirditës dhe Abatit historik të saj Imzot Prend Doçit, që drejtoi atë për 29 vite. Viti 1888 është një vit i veçantë për kishën katolike shqiptare, pasi Papa Leoni XIII, me dekretin e datës 25 tetor të atij viti, e rimëkëmbi Abacinë e Mirditës me statusin nulius (e pavarur). Kur Doçi vjen në krye të saj ajo ishte e copëtuar dhe e ndarë në tre dioqeza, prandaj i lypet një punë prej titani për ta rimëkëmbur, duke e çuar nga dy në gjashtëmbëdhjetë famulli e mbi të gjitha për ta “dlirë dioqezën e tij prej vesit”. Përmbush në pak vite një vepër të pashembullt në historinë e krishterimit aq të salvuar gjatë pushtimit turk, ku dhe kulmon epopeja e Imzot Doçit, pas përvojës kishtare në Amerikë e Indi. Kjo bëri që ai të mvishej me një aureolë vlerësimesh nga më të lakmueshmet. Edith Durham e quan gjeni dhe për të Oroshi pa Doçin do të ishte si “Hamleti” pa Hamletin. “S’është nevoja t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në të gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijeve europiane, e as për mikpritjen e tij princërore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart nëpër male.” (E. Durham, “Shqipëria e Epërme”, botimet IDK, Tiranë.) Franc Nopça e quante “njeri i jashtëzakonshëm në çdo kuptim”, ndërsa diplomati austriak Auguste Kral (kundërshtar i Abatit), kur ky u shua, shkroi: “Shqipëria humbi të vetmin burrë shteti të vetin”. Oroshi i asaj kohe ishte një qendër autentike shqiptare, pasi aty ishin dy seli unikale, ajo abaciale e Abatit të Mirditës dhe selia e Kapidaneve të kësaj Krahine, Gjomarkajve (Markagjonëve) me ndikim dhe në komunitetet jo mirditore përreth. Kishte rënë Abacia e Shën Palit e Kabashit (Pukë) në shekujt e fundit, për të mos u ringritur më, do të kishte rënë dhe ajo e Oroshit nëse nuk do të kishte qenë projekti ambicioz i Prend Doçit për ta rimëkëmbur, duke bërë që të ishte Abacia e fundit e mbijetuar në Ballkan, deri në mesin e shekullit XX, me Abatë ipeshkëv pasardhës të tij, Imzot Zef Gjinalin dhe Imzot Frano Gjinin. Abati rronte e vepronte mes Oroshit/Mirditës dhe Shkodrës, me të parën e lidhte petku ipeshkvnor (ku vetëm formalisht nuk e gëzonte titullin ipeshkëv-prej “përzierjes” së tij në politikë), me të dytën veprimi kulturor kombëtar në fushë të arsimit, gjuhës shqipe, botimeve, shtypit, në kuadrin e Shoqërisë “Bashkimi” (1899), në të cilën “muarën pjesë ma të përmendunit shkrimtarë t’asaj kohe”. Doçi vepronte në Shkodër ashtu si De Rada në Kalabri, që kishte përbashkuar shkrimtarët arbëreshë në një koloni krijuese, pa harruar grupimet e tjera letrare të diasporës në Stamboll, Bukuresht, Sofje etj. 

Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës dhe aksioni i brendshëm dituror kombëtar

“Para veprës së tij misionare ishte gjithnjë e vëmendshme Selia e Shenjtë, para figurës së tij (do të thoshim “mitike”) përkulej çdo personalitet i kohës, nuk donte të hynte në sherr me të as vetë perandoria turke dhe Sulltani”, shkruante e përkohshmja LEKA, sipas së cilës Abati ishte “i njoftun e i nderuem prej gjithkujt për atdhetari të flakët”, si dhe për “zotësi ditunore, fetare e politike.” Doçi me Shoqërinë “Bashkimi”, pos një korpusi veprash pioniere diturore në lëmë të gjuhës, letërsisë, historisë e të tjerë, sendërtoi dhe alfabetin me shkronja latine që kemi sot në përdorim. Ajo ka autorësinë e 35 botimeve, duhet thënë akademike për kohën, si Fjalor i Ri i Shqipes, Historia e Shqypnis, Lahuta e Malcis, Anzat e Parnasit, Folmarme e gjuhës shqype (Gramatika), Dheshkronja (Gjeografia) etj. Misioni kulturologjik rilindës i “Bashkimit” ishte jashtëzakonisht i vështirë, pasi punëtorët e letrave shqipe ishin nën presionin e përditshëm të prangave otomane, ashtu si gjithë sivëllezërit e tyre që vepronin brenda vendit, të shoqërisë “Agimi” të Mjedës, “Dituria” e Korçës, “Liria” e Gjirokastrës etj. Librat e parë të “Bashkimit” u shtypën në Vjenë, por në vijim të konkretizimit të mëtejshëm të projektit arsimor, kulturor, në vitin 1906 në Shkodër u mbajt një kuvend atdhetarësh nën kryesinë e Abat Prend Doçit, ku u vendos që të ngrihej një shtypshkronjë, me qëllim që të shtypeshin fshehtas libra e të shpërndaheshin ndër qytete e fshatra të Shqipërisë, për të ngjallur dashurinë ndaj shkronjave shqipe dhe për të nxitur ndiesitë atdhetare në shpirtin e shqiptarëve. Për këtë qëllim u porosit në Milano një makinëri e vogël dore dhe disa kilogram shkronja, ku të hollat për to u paguan nga Imzot Doçi. Kjo do të ishte shtypshkronja “Nikaj” e drejtuar nga Dom Ndoc Nikaj dhe i vëllai. (Shih: Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, II, f. 116.) Është i njohur përkushtimi i Doçit në punët e përlindjes së kombit, ku duhej bërë gjithçka nga e para, gazetat, librat, shtypshkronjat, alfabeti, abetaret, fjalorët, tekstet shkollore etj. “Shkollës e shtypit, tue ua ditë vlerën, ua kushtoi që në fillim zellin e vet. Me Dom Ndoc Nikajn, qi ishte dora e djathtë e tija, ngrehi shoqnin letrare “Bashkimi”, e cila shtypi disa libra të vjefshëm e sidomos Fjalorin qi ende sot asht ndër ma të mirët që kemi. Fill mbas konstitucionit u përpoq pranë auktoriteteve për të nxjerrë lejen qi të hapi shkolla në Mirditë.” (“LEKA”, 1938, f. 75.) Ai e krijon shoqërinë “Bashkimi” i bindur se shteti i nesërm pa këto vepra diturore, aq më tepër një shtet nga e para, nuk do të mund të realizonte aspiratat e shqiptarëve. Me“Bashkimin”, që Gurakuqi e quante akademi, Doçi jo vetëm kanalizoi në një rrjedhë energjitë krijuese të intelektualëve të kohës, por edhe t’u jepte mësimin e madh bashkëkombasve se bashkimi ishte çelësi i suksesit të së ardhmes në politikë, qeverisje, arsim, kulturë etj. Ky ka qenë kumti historik i gjithë elitës së dalë nga shkolla e krishterimit. Si ideolog dhe veprimtar kombëtar në prag të Pavarësisë ai i gëzohej një Shqipërie me institucionin e dijes të ngritur, me shkolla shqipe, më një alfabet të njësuar për të gjithë shqiptarët e shumë vepra të tjera kësodore, që më parë mungonin. Abati e arriti bashkëpunimin me elitën e kohës falë botëkuptimit europian dhe zotësisë që kishte, ndaj Fishta u kthye menjëhërë në krah i djathtë i këtij veterani të shndritshëm dhe, si i tillë, mori pjesë aktive ndër të gjitha inisiativat dhe botimet e Shoqnisë, duke zënë fill nga Abetari, mandej ndër libra këndimi e deri në përpilimin e Fjalorit të çmueshëm të “Bashkimit”, i quajtur i vlershëm edhe sot. (Pal Duka-gjini: Gjergj Fishta, Jeta dhe Veprat, Romë 1992.) Meritim të madh kombëtar kishte njëkohshëm dhe Faik Konica me botimin e revistës “Albania” në Bruksel për 13 vjet, nga viti 1896 - 1909, në 121 numra konsideruar nga studiuesit si 121 libra më vete. Nuk është e rastit që po kaq gjatë rroi dhe Shoqëria “Bashkimi”, deri në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar. Ishin si dy duar ku njëra prekte faktorin shqiptar e tjetra atë ndërkombëtar perëndimor, në vazhdën e një plejade shkrimtarësh kombëtarë dhe shoqërish atdhetare diturore në diaporë, nga gjysma e dytë e shekullit XIX, për të cilat është shkruar gjerësisht në historinë e letërsisë shqiptare në regjimin e kaluar. 

Mirdita dhe Shkodra qendra të ideimit dhe veprimit kombëtar të Pavarësisë

Mirdita dhe Shkodra kanë qenë gjithmonë në marrëdhënie për çështjen kombëtare. Shkodra ishte laboratori ku përpunoheshin idetë dhe nismat kombëtare, kurse Mirdita, Malësia e Madhe, Dukagjini etj. vatrat e flakta ku ato merrnin jetë. Emzot Doçi si diplomat përpiqej të vendoste ekuilibrat e duhur në rrjedhën e ngjarjeve historike të ndërlikuara. Në programin e tij rilindës zinte vend aspekti kishtar, kulturor, politik. Këto tri drejtime themelore kushtëzojnë kryekëput jetën e tij deri në fund aktive. Falë karakterit të rrallë energjik, ai asnjëherë nuk gjendet në periferi të ngjarjeve, por në kulmet e tyre. Vetëflijohet për vepra të guximshme atdhetare që do t’i kishte zili gjithkush. Ai donte të ishte bari shpirtrash, por rrethanat historike e bëjnë të vihet në prije të kryengritjes së Mirditës të viteve 1876 - 1877, çka do t’i kushtonte 11 vjet internim skaj më skaj botës. Duke qenë se për motive politike nuk mund të kthehej në Shqipëri, Vatikani e dërgon Doçin misionar në Shtetet e Bashkuara, në New Foundland, ku qëndroi mbi 6 vjet. (Një shekull pas tij, një tjetër misionar i Abacisë së Mirditës, Imzot Zef Oroshi, do të themelonte me 1969 në New York të parën kishë katolike në komunitetin shqiptar të SHBA-ve.) Pasi u kthye në Romë, Imzot Doçi u dërgua me mision në Indi, si sekretar i Delegatit Apostolik, Aligardit, që më pas u bë kardinal. (“LEKA”, 1938, f. 75.) Sa ç’politika ishte e huaj për çdo misionar katolik, aq e domosdoshme u bë ajo për disa prelatë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX, por që i paguan asaj një çmim të lartë salvimi, si Kaçorri, Gjeçovi, Gazulli etj., që bashkëpunuan ngushtë me krerët e qendresës popullore si Preng Marka Prenga i Oroshit, Gjin Pjetri i Kurbinit etj. Doçit i ishte ndaluar atdheu, por ai nuk rresht së lumturuari për të si një profet. Kishte hyrë në qerthullin e trazuar të politikës për të mos dalë më prej saj. Kështu, pas riatdhesimit, me gjithë pas fjalën e dhënë për të mos u marrë me politikë, Abati i Mirditës, duke vënë re zotësinë dhe guximin e Dom Ndoc Nikajt, në vitin 1892, ndërsa ky gjendej famullitar në Shkrel, vajti atje nga Oroshi bashkë me disa bashkëpunërorë të tij dhe aty arritën në përfundimin për të krijuar një shoqëri, që do të kishte si program përhapjen e idesë kombëtare dhe të ndizte shkëndinë e pavarësisë shqiptare. Kjo shoqëri u quajt Lidhja e Mshehët, jehona e së cilës u përhap menjëherë sidomos nëpër veprimin e Dom Ndocit dhe më vonë dha frytet e veta në rastin e kryengritjes kundra Turqisë. (Karl Gurakuqi, Shkrimtarë Shqiptarë, II, Tiranë 1941.) Janë plot njëzet vjet përpjekje të klerikëve të lartë katolikë për pavarësimin e vendit, e natyrisht, dhe të intelektualëve të tjerë shkodranë, që nuk mund të dilnin hapur prej persekutimit të qeverisë turke, me ndonjë përjashtim si Luigj Gurakuqi. Duke bërë fjalë për përkrahjen e Pavarësisë, diplomati austriak në Vlorë, në raportin drejtuar shkëlqësisë së tij, Lepold Berthold-it, me datë 3 dhjetor 1912, mes të tjerash shkruan: “Nga Mirdita dje arriti një letër përshëndetëse nga Abati Monsinjor Prend Doçi dhe Kapidani Marka Gjoni, ku ata shprehin pëlqimin e tyre të plotë për shpalljen e Pavarësisë si dhe gatishmërinë e tyre për të ardhur në Vlorë.” (Shih: Albert Ramaj & Zef Ahmeti, “Gazeta Shqiptare” 15 dhjetor 2013.) Ismail Qemali, sipas d?shmis? s? Ali Asllanit, duke iu referuar figur?s s? Abat Prend Doçit, pati th?n?: “Ne e b?m? si e b?m? Shqip?rin?, por ai (Abat Doçi) do ta b?nte pa ne e m? mir? se ne”. (A. A., kujtime gojore, Tiran? 1959). Kjo thënie kapitale për këtë figurë është publikuar për herë të parë buzë viteve 90 nga poeti Agim Shehu.

Abati i marrë peng nga Turgut Pasha

Ka patur një histori të rëndë prelatësh gjatë perandorisë otomane, ku mjaft të kujtosh fatin tragjik të Bogdanit. Doçi hoqi mbi kurriz internimin, ku ai dhe Princi i Mirditës, Preng Bib Doda (i internuar mbi një çerek shekulli) do të ishin të dëbuarit e mëdhenj të fundshekullit XIX, e kjo për rëndësinë kryengritëse, shtetformuese që kishte Mirdita. Prandaj Abati, një njeri i sprovuar qysh në rini për qendresë dhe atdhetari të flaktë, duke tejkaluar dhe petkun priftëror, nuk kishte si të përkulej në pragun e Pavarësisë. Është fjala për një përfolje nga historiografia komuniste, sikur Doçi u vu në shërbim të famkeqit Turgut Pasha gjatë një ekspedite ndëshkimore në Mirditë. Shkak u bë një fotografi ku shihen trupat turke në marrshim drejt Mirditës, ku në krye shihet Abati hipur mbi kalë të bardhë dhe Turgut Pasha mbi kalë të zi. Studiuesi i thelluar Klajd Kapinova e ka shtjelluar këtë episod dramatik të jetës së Abatit me argumente bindëse, se në atë rast ai ishte një peng i Turgut Pashës. Prania e tij gjatë udhëtimit nga Shkodra në Orosh, në gusht të vjetit 1910, “asht përshkrue në mënyrë qëllimkeqe e pa të drejtë nga mjeku i shtabit të ushtrisë së Turgut Pashës, E. Jack”, ku nisur nga kjo “pothuajse pjesa dërmuese e autorëve të mavonshëm gjatë komenteve të tyne, kanë marrë për bazë të dhanat e parashtrueme nga ky autor, i cili nuk ishte as politikan e aq ma pak ushtarak.” Kapinova, për të kundërshtuar përshkrimin e Jack i referohet “nji studimi shumë të kujdesshëm e serioz të studiuesit G. Robel me titull “Nopça dhe Shqipëria” (Wiesbaden, 1966), në të cilin vihet në dukje se: “Ka të ngjarë që Jack të mos e ketë kuptue shahun dinak të Doçit, por ka shkrue me hamendje”. Po cili ishte ky “shah dinak”? Ajo që thuhej nga mirditorët e vjetër, që, dhe pse Turgut Pasha u nis ta përdorte figurën e Abatit për ta nënshtruar Mirditën më lehtë, si dhe për të qenë vetë i mbrojtuar nën “hijen” e tij, në të vërtetë Doçi e ka zbehur fushatën mbi popullin mirditor, ku nuk u arrestua asnjë nga krerët etj. Ai kishte një jetë me mirditasit dhe nuk ishte e vështirë të kuptohej me ta dhe pa folur, pra, ata e dinin se ai ishte një peng dhe jo një bashkëprijës i asaj ushtrie me gjeneralin e zi turk. Jo rastësisht rreth kësaj ngjarje nuk ka patur asnjë koment negativ në shqiptarët e asaj kohe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Doçi kishte provuar se mund të ishte dhe një hero në luftë për Pavarësinë, por në ato rrethana ishte me e nevojshme jeta se vdekja e tij. E ndoshta një ditë ai vërtetë u bë hero, por një hero i heshtur, pasi mbetet enigmatike vdekja e tij e papritur në shkurtin e 1917-s, në rrethanat e pushtimit Austro-Hungarez të Luftës së Parë Botërore. Jeta e tij kishte nisur me luftë e po mbaronte me luftë e ai nuk mund të ishte dakord me asnjë pushtues e pushtim, qoftë ky dhe i miqve të vjetër. Ndaj jo rastësisht në Ministrinë e Jashtme të Austrisë akush nuk e donte, sipas fjalëve të një konsulli austriak, por të gjithë e respektonin për cilësitë e larta që kishte.

Kujtesa dhe reliktet e përhumbura të Abatit

Për Doçin ende tregohet si të ishte gjallë. Kjo se në një vend si yni kulti i historisë është i gjallë. Nuk janë plakur kujtimet për Abatin. Jo vetëm në Mirditë, por dhe në Shkodër, Lezhë e më gjerë. Fshati Bulgër i Rubikut na thonë ka njëqind vjet pa asnjë gjakmarrje. Këtë banorët e lidhin me Abatin, i cili sa herë dëgjonte se kishte ndodhur një ngatërresë në vendlindjen e tij në Bulgër, u çonte fjalë dy-tre burrave më në zë të zonës që “ta banin pleqni këtë punë dhe të mos kishte ma ngatërresa.” Pra, një burrë që dinte më merrej dhe me urtimin e popullit të vet dhe me elaborime nga kultura botërore. Historiani Liman Varoshi na bën me dije një fakt interesant se Abat Doçi, në mesin  e shekullit të 19-të, kishte porositur përkthimin e një ungjilli dhe disa fragmente të tij u botuan në frëngjisht nga vëllai i Bonapartit, Louis-Lucien Bonaparte. Figura të tilla, sot në prag të vizitës së Papës në Shqipëri, nuk i përmendim për krenari nacionale, por për të thënë se modelet nga historia i kemi, na duhet vetëm t’i ndjekim. Teksa përplotësojmë këtë portret të Abatit, ndalemi një çast te shtëpia e tij e lindjes në hyrje të qytetit të Rubikut, në lagjen Paraspor, një kullë tipike për kohën, por ende pa asgjë monumentale, veç stilit të ndërtimit, që ka përballë manastirin e Shëlbuemit Sancti Salvatori Arbanensis, monument kishtar dhe kulture i shekullit të parë të mijëvjeçarit të dytë. Kjo ndërtesë, ku kemi qenë herë pas here me miq gazetarë, është në anë të Rrugës së Kombit, thënë ndryshe Autostradës Durrës-Prishtinë, veçse pa ndonjë shenjë të Abatit, dhe pse ai shtroi aq mirë “autostradën” e dijes dhe të paqes në kohën e vet. Ka mbetur porta e saj e gurtë me një hark të gdhendur, një traditë thuajse e bjerrë tashmë në ndërtimet e gurit. Por, fatmirësisht, kohët e fundit, ka një nismë nga faktori kulturor e vendor mirditor, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Dhomën e Tregtisë e Industrisë Tiranë për të shkuar drejt një muzeu të Imzot Doçit, me restaurimin e shtëpisë së tij, publikimin i relikteve që kanë dhuruar të afërmit etj. Nga grupi organizues marrim vesh se me 19 shtator për herë të parë do të organizohet një tubim në Rubik, vendlindjen e Abatit, ku do të nisin të vihen dhe “shenjat” e tij përkujtimore, për çka kontribuesit e sipërthënë meritojnë përgëzim publik.

Gjithsesi, Doçi, është më thellë në kujtesën e shekullit të kaluar, në arkiva të vendit e të huaj, në dokumente, ku sidomos Shkodra ende ruan relikte interesante. Në Rrëshen gjendet tryeza e punës e Abatit e gdhendur, që pas mbylljes së kishave në Orosh i ka shpëtuar zjarrit, por jo harresës, duke shëtitur thjeshtë si një tavolinë zyre nga njëra ndërmarrje në tjetrën, për të përfunduar në një zyrë administrate të Ish-Komitetit Ekzekutiv. Ajo sot është në muze, por e parestauruar, si bie fjala tavolina e Mjedës në Kukël. Është ndër gjerat e rralla ku mund të takohesh me Abatin, por në gjendjen që është më mirë të mos e shohësh. Po ashtu në Shkodër kemi patur rastin të shohim një pasqyrë e madhe (mobilje) e dhomës së Abatit dhe një pasqyrë e vogël vezake rroje me një gdhendje të stilizuar në dru, me siglën PD, me një ndërthurje të dy germave në njëra-tjetrën. Ato gjenden në koleksionin e piktorit shkodran Franc Nikaj, në lokalin e tij “Legjenda”, aq shumë të vizituar nga turistët, sidomos ata të huaj. Franci e përcjell figurën e madhërishme të Abatit, ashtu si ajo ka ardhur te ai, si nip i Dom Ndoc Nikaj, në shtëpinë e të cilit dhe ka qëndruar Doçi përkohësisht. Dhe ne po e këpusim këtu rrëfimin për Abatin, për ta vazhduar të tjerë... me prurje dëshmish të reja të panjohura.

Gazeta “SHQIP”, 15 shtator 2014

P.S. Po pse e rishkruaj kumtesën time për Imzot Doçin pas njëzet vitesh? Kryesorja se Doçi ende nuk është (ri)dimensionuar si figurë kombëtare. Gjenia e tij ende nuk është shpaluar. Ai, bashkë me Gjeçovin e Mjedën, dëshmuan se çfarë peshë kulturologjike mund të marrë një rrethinë si Oroshi, Gomsiqja e Kukli, kur aty ngulen për njëzet-tridhjetë vite dijetarë e shkrimtarë të kalibrit europian, vende që më pas do të indentifikoheshin me emrat e misionarëve të tyre. Pa shkuar me tej me simbiozën e Pukës dhe Migjenit, Pogradecit dhe Lasgushit etj.

E rishkruaj këtë portret dhe se, në Wikipedia, dy të tretat e tekstit për këtë figurë janë marrë nga libri im “Toka e Katedraleve” (Tiranë 1999), saktësisht nga kreu: “Pikëvështrim nga duhet parë vepra e “munguar” e Imzot Doçit”, por pa referimin përkatës të botimit dhe emrin e autorit (!?), ngaqë ky kre gabimisht kështu qe publikuar në ndonjë forum online, e si rrjedhim “anonimati” rreth një teksti autorial vetëm sa erdhi duke u shtuar. Një emër harrohet, një tjetër shtrembërohet. Po në Wikipedia emri i Abatit shënohet gabimisht Prenk dhe jo Prend siç do të duhej të ishte, paçka se në shkrime haset dhe trajta Preng.