| E enjte, 25.09.2014, 07:06 PM |
Biznes me ekskursionet e nxënesve
Nga Florim Zeqa
Në Kosovën e varfër ekskursionet tashmë janë hy në modë, disa shkojne në ekskursione me shpesh (qeveritarët) dhe pa paguar asgje nga xhepi i tyre, disa të tjerë (nxënesit) shkojnë atëherë kur ju konvenon këtyre të parëve.
Përderisa të parët (qeveritarët) pasurohen nga ekskursionet e shpeshta (vizitat zyrtare), të dytët (nxënesit) ndihmojnë të parët (qeveritarët) duke rënduar jetën e familjarëve të tyre.
Fjala ekskursion rrjedh nga fjala latine "excursio", që do të thotë udhëtim i shkurtër.
Ekskursionet zakonisht realizohen në kohën e lirë (gjatë pushimeve), apo në përfundim të vitit shkollor, me qëllim arsimi, apo për aktivitet fizik, vizitë të një vendi, për çeshtje pune apo qëllime të tjera.
Me ekskursion mësimor nënkuptohet zhvillimi - mbajtja e mësimit jashtë objektit shkollor. Objektiv i ekskursionit mësimor është arritja e njohurive të cilat duhen të pasurohen , por që nuk mund të demonstrohet në objektet shkollore.
Organizimi i ekskursioneve të maturantëve është bërë një biznes mjaft fitimprurës për drejtuesit e MASHT-it, DKA-të dhe Agjencitë Turistike.
Domosdoshmërisht Agjensitë Turistike për të qenë pjesë e një biznesi të tillë duhet t'i plotësojnë disa kushte; të jenë të afërt me qeveritarët komunal (qendror) apo fitimin e tyre ta ndajnë me ta, në të kundërtën nuk mund të jenë fitues në tenderin për transportimin e maturantëve kosovar drejt shtetit shqiptar.
Ekskursionet masive të nxënësve maturantë anë e kend shkollave të mesme të Kosovës, janë shëndrruar në një biznes tejët fitimprurës për organizatorët e sipërpërmendur.
Në të kaluarën jo shumë të largët, ekskursionet e nxënësve ishin pjesë e planprogrameve pedagogjike, të cilat qëllim parësor kishin përsosjen e njohurive nga fazat e mëhershme të procesit edukativo-arsimor,...
Organizimi i këtyre ekskursioneve në fillim të vitit shkollor është dëshmia më e mirë, se këto ekskursione nuk po organizohen për të mirën e nxënësve, dhe as në funksion të procesit edukativo-arsimor, por organizohen për përmbushjen e orekseve dhe planeve të një grupi të caktuar njërëzish në Kosovë; filluar nga qeveritarët, Agjencitë turistike të afërta me pushtetarët komunal dhe grupeve tjera të interesit, që janë të lidhur me organizimin e këtij beznesi fitimprurës.
Ashtu si përzgjedhja e Agjensioneve turistike, dhe partecipimi 100 % i nxënesve më së miri e tregojnë qëllimin dhe shkallën e keqpërdorimeve që bëhen nga organizatorët e këtyre ekskursioneve.
Pagesa nga ana e nxenesve para nisjes për ekskursion prej 100 deri në 115 euro, është një shumë mjaftë e lartë, do të thoja e papërballueshme për shumicen e familjeve në Kosovë.
Prindërit e maturantëve rrëqethen kur arrijnë fëmijët e tyre në vitin e fundit të shkollimit të mesëm. Përveç pagesave të cilat janë të detyruar ti bëjnë për udhëtimin dhe akomodimin e fëmijëve të tyre në hotele ku ushqimi dhe fjetja nuk janë aspak të përshtatshme, me veti duhet t`i sigurojnë edhe një shumë të caktuar të parave për harxhime shtesë , mandej edhe një shumë të caktuar duhet siguruar për veshmbathje, e cila zakonisht ju nevojiten për një ekskursion të tillë, të cilat zakonisht nuk i kanë pasur më parë.
Kur dihet se paga mesatare e atyre që punojnë sillet rrethë 200 euro në muaj. Kjo i bie, që familjet që e dergojnë në ekskursion fëmiun e vet, duhet të ndajnë më tepër se një gjysëm page mujore.
Për dikë, kjo shumë mund të jetë e vogel, por kur kihet parasysh numri i madhe i të papunëve në vendin tonë, atehere këto shuma bëhen sfiduese, pra nuk janë aspak të vogla për buxhetin e varfër të familjeve kosovare.
Në këtë "fazë" turistike nga çdo qëndër shkollore (komunë), në ekskursione shkojnë hiq më pak se 4-5 autobusë, e në disa qytete më të mëdhaja, ku janë disa shkolla të mesme, nisen edhe nga dhjetëra autobusë plotë nxënës e profesor, prej të cilëve vetëm nga partecipimi i nxënësve grumbullohen me dhjetëra mijëra euro e më shumë, të cilat për një ekskursion pesë ditësh në Shqipëri janë mëse të tepërta,...por të pamjaftueshme për xhepat e thellë të organizatorëve të ekskursioneve.
Veq kësaj, në manipulimet që bëhen në përzgjedhjen e Agjensioneve turistike dhe hoteleve në Shqipëri fshihet qellimi i vertete i ketij biznesi me nxënësit (maturantët) kosovar.
Në këto përzgjedhje, drejtpërdrejtë janë të implikuara MASHT-i dhe DKA-të (drejtoritë komunale të arsimit), të cilat së bashku apo ndaras i caktojnë Agjensitë turistike dhe hotelet në Shqipëri sipas preferencave të tyre, përfshirë edhe vullnetin e qeveritarëve të lartë shtetëror (Kosovë-Shqipëri).
Këtu bëhet fjalë për krim të organizuar dhe korrupsion, në të cilin janë të involvuar drejtori shkollash dhe personel arsimor që bëhet në prapavijë, ndërsa në opinion shfaqen si "transparent" , se gjoja gjithçka është në rregull.
Përderisa janë publike partecipimet e nxënëseve, fitimet e Agjensive turistike dhe çmimet e hoteleve mbetën enigmë në vete, nuk bëhen transparente në këto raste, për faktin e thjeshtë të mbulimit të të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve nga ana e MASHT-it dhe drejtorive komunale të arsimit.
I vetmi privilegj i profesorëve (kujdestarëve të klasëve) mbetët partecipimi gratis në ekskursion, përderisa e vetmja dëshirë e prindërve është kthimi shëndosh e mirë i fëmijëve në shtëpitë e tyre.