| E marte, 23.09.2014, 07:17 PM |
Fushë-Kruja, epiqendër e vizitave
kulmore të mëdhenjve të historisë
Nga Lavdrim Lita
Vizita e parë në një vend europian e Papa Françeskut merr kuptimin e saj real në vizitën e tij në Fushë-Krujë. Ndoshta takimi përmbyllës i Papës në këmbët e Krujës ka habitur shumë njerëz në vend dhe në botë. Mirëpo Fushë-Kruja një qytezë në këmbët e malit të Skënderbeut dhe afër qytetit mesjetar të Krujës është një tokë e shkelur nga personazhe të mëdha të epokave të ndryshme.
Padyshim, Kruja si kryeqendra e Kastriotëve ka hyrë në kronikat e historisë perëndimore me përfaqësuesin e saj, Gjergj Kastrioti Skënderbeun, që aq shumë humbje u shkaktoi osmanëve. Në rrethimin e parë të Krujës në fund të korrikut të vitit 1450 një ushtri e fuqishme osmane e drejtuar nga sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 18 - vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II, vërshoi në fushat për rreth kalasë si uragan për të shteruar burimet ekonomike e financiare, të lodhnin qëndresën shqiptare për të përgatitur kështu terrenin e grushtit përfundimtar.
Në rrethimin e dytë e të tretë të Krujës, në qershor-tetor të 1466 vetë sulltan Mehmeti II ishte në krye të mijërave ushtarëve për t’i dhënë fund qëndresës së shqiptarëve. Në romanin “Kështjella” Ismail Kadare e përshkruan mirë atmosferën e kampit osman të vendosur në Fushë-Krujë. Me një luftë asimetrike sa qe gjallë Prijësi, shqiptarët i rezistuan vrullit të pushtimit osman duke i ndaluar ata të dilnin në brigjet e Adriatikut e mandej në Itali. I biri i sulltan Mehmetit II, sulltan Bajaziti II vizitoi Fushë-Krujën për të dalë deri në portin e Himarës me idenë e tij të xhihadit të pasosur.
Historianët e mesjetës shkruajnë se sa herë merrej një kala shqiptare dëgjohej britma osmane, “Drejt Romës, Roma! Roma!”. Dhe Roma e Papatit e ka ditur shumë mirë rolin e tokës shqiptare, posaçërisht të Fush-Krujës si nyje kufiri që mbrojti për një çerek shekulli Europën nga furia pushtuese që vinte nga Lindja.
Ndaj vizita e fundit e Papa Franceskut, përtej vizitës në qendrën komunitare “Betania”, merr kuptim të madh simbolik si vizitë europiane. Për institucionin më të vjetër protokollar në Europë përzgjedhja e vendeve dhe mesazheve që jep Papa në këtë është një proces filtrimi i mirë studiuar në arkivat e Vatikanit.
Nuk është e rastësishme që edhe presidenti i parë amerikan që shkelin tokën shqiptare, Xhorxh W. Bush vizitoi një furrtari në Fushë-Krujë, si shenjë e kujtesës historike të perëndimit për historinë e shqiptarëve. Fushë Kruja shënoi kulmin e një turneu evropian të Presidentit Bush, ku ai u prit me ndjenjat më miqësore.
Fushë-Kruja është porta hyrëse të cilën unë do ta quaja "kryeqytetin" tonë historik dhe pikën morale rreth të cilës u formua dëshira jonë për shtet të pavarur dhe europian. Në një vizitë të para dy viteve, ish-kryeministri Sali Berisha do të shprehej në përurim se “Do të ndërtojmë Europën në Fushë-Krujë”. Sido që të jetë e ardhmja, vizita e Papa Françeskut nuk do të jetë e fundit e në Fushë-Krujë. Koha do ta shpagojë qëndresën e shqiptarëve për Europën. Historia e Shqipërisë është historia e qendrës përballë fatkeqësive.