| E hene, 22.09.2014, 07:25 PM |
Papa bashkoi provincializmin
politik
Nga Arbana Xharra
Vizita e
Papa Françeskut përçoi mesazhe të shumta për miliona shikues nga mbarë bota, që
ditën e djeshme kishin drejtuar sytë kah Shqipëria. Vend ky që tash vonë fitoi
statusin kandidat për në BE, shteti më i varfër në Evropë, i prirë të zërë vend
nëpër mediat e huaja jo aq për të mirë, por kryesisht për skandale, priti
madhërishëm Atin e Shenjtë. Fotografia e ditës, kishte në sfond klerikët fetarë
shqiptarë të të gjitha religjioneve në pritjen e Papës. Harmonia ndërfetare, në
një shtet me mbi 50 për qind myslimanë, ishte mesazhi më i fortë që dha vizita
e Papës në Shqipëri. Derisa dhjetëra mijëra shqiptarë, jo të gjithë të
krishterë, që pritën mahnitshëm Papën, i cili doli edhe jashtë protokollit për
të përshëndetur nga afër turmën e njerëzve, iu përgjigjën më së miri
propagandës antishqiptare se “
“Miliarda njerëz në botë kanë mundësi të mësojnë ose rimësojnë se nobelistja e Paqes dhe shenjtorja e Vatikanit është një shqiptare. Në asnjë rrethanë tjetër kjo gjë nuk do të mundë të ngulej në memorien e botës kaq shpejt dhe thjesht sesa nga ulja e Atit të Shenjtë të dielën në aeroport dhe udhëtimi drejt këtij sheshi për të mbajtur një meshë. Vetëm dikush që vjen nga lart, ta zbulon kaq thjesht dhe ta ndriçon kaq mirë historinë tënde”, spikat aq bukur rëndësinë e vizitës së Papës, në shkrimin tij gazetari nga Shqipëria, Mero Baze. Derisa një nga agjencitë më kredibile ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, nxjerr në faqet e saj një detaj shumë të rëndësishëm të kësaj vizite, ajo flet për bashkimin që i bëri Papa Françesku kundërshtarëve politikë në Shqipëri. “Reuters” shkruan se Papa Françesku, ende pa ardhur në Shqipëri, i ka bërë asaj një mrekulli të vogël: Ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet forcave politike kundërshtare që të bashkohen për të rikonstruktuar një nga sheshet kryesore të Tiranës.
Ky titull dhe pak fjalë të shkrimit të saj, mjaftuan për të rikujtuar primitivizmin politik në vend, dhe nevojën për bashkimin e tyre. Mentaliteti provincial që me vite të tëra ka drejtuar shtetin shqiptar, pa përjashtuar Kosovën dhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë, është i njohur edhe ndërkombëtarisht. Drejtuesit e shtetit, të cilët kryekëput për interesa personale kanë instaluar tashmë mentalitetin e prapambetur politik që po përcillet me gjenerata, bëhen lajm për mediat e huaja, që bashkërisht organizuan pritjen e Papës në ditën historike të tyre. Primitivizëm politik, i njohur shumë vjet më parë edhe gjatë historisë 100-vjeçare të shtetndërtimit të Shqipërisë, pasojat e të cilit në regresin e integrimit të saj po barten vazhdimisht.
Dje të tubuar në një sallë të Presidencës, ulur afër njëri-tjetrit, kasta politike, e cila fatkeqësisht e ka normalitet që kundërshtarin e vet politik pafundësisht ta degradojë në mënyrën me denigruese, përpara kamerave në pritje të Papës na u shfaqën si politikanë bashkëkohorë dhe modernë e të ngritur intelektualisht. Kategori kjo e politikës që vuan nga mentaliteti primitiv, e cila në esencën e funksionimit të saj vazhdon të mbetet provinciale. Papa bashkoi politikanë që në pamje dhe sidomos nga veshja dhe luksi duken modernë, por që në realitet janë bartës të primitivizmit politik.
Papa i dha mundësinë që këtë shtet ta njohin miliarda njerëz nga mbarë bota, si shtetin më të ri në rrugëtimin e saj drejt Evropës, tash u mbetet krerëve të saj ta udhëheqin këtë vend kah vlerat që i njeh Perëndimi!