Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ireshtansi: Thaçi, pasardhës direkt i Oso Kukës

| E shtune, 20.09.2014, 06:00 PM |


Thaçi, pasardhës direkt i Oso Kukës  (shkrim i derdhur nga gota)

Shkruan: Ireshtansi

Sa herë pi raki më vinë në mendje ide të çuditshme. Në gotën e parë sikur kam ide politike, ide për tokën. Në të dytën mendime për zotin e për gjithësinë, gjithëfarë mendimesh për zotin saqë sikur të ishte  e mundur të pija shumë gota të dyta njërën pas tjetrës do të shkruaja një libër për të. Ndërsa në gotën e tretë nuk mendoj as për tokën e as për qiellin, mendoj për një vajzë që herë më bëhet se e kisha e herë që s'e kisha. Megjithatë në këtë gotë mendoj në mënyrën dëshirore.

Sot piva vetëm një gotë dhe aty ishte fshehur një fshehtësi që mu zbulua që në gllënkën e parë. Kryeministri ynë, Hashim Thaqi është pasardhës i drejtpërdrejt i Oso Kukës. Kjo është e vërtet dhe e padiskutueshme. Po, po e padiskutueshme. Megjithatë eja ta diskutojmë, duke përdorur të gjitha metodat  e diskutimit që ne i njohim e që janë, dy pika, njëri vetëm flet dhe tjetri vetëm dëgjon dhe të dytë flasin e asnjëri nuk dëgjon. Por le ta diskutojmë duke përdorur metodën e parë që është më e avancuar, edhe le t'i krahasojmë njërin me tjetrin.

Por që këta të përafrohen dhe të ngjajnë sado pak me nëri-tjetrin, duhet që kryeministrit tonë t'ia shtojmë disa veti të mira, madje të bëjmë disa ndërhyrje kirurgjikale në karakterin e tij e t'i shtojmë disa virtyte që mbase ai nuk e di se ekzistojnë. Ja për shembull, dashurinë që ai e ka për pushtetin t'ia interpretojmë,(me vendim gjygjësor), si dashuri për atdheun, dhe kështu të barazohet me Oso Kukën, pse jo edhe ta tejkaloj atë. Dhe të themi që ai u barrikadua në institucione nga dashuria e madhe për atdheun si dikur Oso Kuka në kullën e Vraninës, dhe njëjtë si ai luftoi me forca të shumta armike, dhe... e humbi betejën. Por.. në çastin e fundit, e shohim Oso Kukën me pishtar në dorë pranë fuqive të barotit që befason armiqtë, dhe i lë ata kopërdhec. Këtë çast të mbramë ku tmerri i armiqve do të ketë shkaktuar gëzim deri në dehje tek Osja do të donte ta kishte edhe kryeministri ynë, e t'i ndillte  në kryeministri të gjithë pretendentët e fronit e në mënyrë ngadhnyese t'i thoshte " Se ktu i thonë Hashim baroti" e t'i fuste flakën kryeministrisë, e pse jo edhe gjithë Kosovës, e të bëhej një luftë për pushtet sa të çuditeshin shqiptarët me veteveten, e bota të mendonte që ne jemi tallur me ta kur kemi kërkuar ndihmë tek luftonim me Serbinë sepse siq do të shihej ne s'e kishim shpalosur as çerekun e trimërisë. Por një skenar i tillë nuk është në agjendë sepse për çudi ambasadat e huaja nganjeherë e duan vendin tonë më shumë se ne. Megjithatë edhe ne i duam vendet e tyre më shumë se vendin tonë dhe këtu ua lajmë borgjin.

Këto më vinë në mendje tek pi raki, në gotën e parë. Marrëveshje e paligjshme. Barrikadim i paligjshëm.

Por siq thotë populli ynë me shumë mbiemra, kush pi raki pi mendtë. Por unë po pij vetëm mendtë e mia, ndërsa këta po pijnë mendtë tona. Prandaj edhe gjeja që më mundon më shumë, e ka disa vjet që s'e marrë vesh është nëse unë e pi rakinë pse më pihet rakia apo pse më hahet mezja !.