Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Radovani: Bukë e krype e zemër në sofrën e Kastriotit

| E premte, 19.09.2014, 08:28 PM |


“BUKË  E  KRYPË  E  ZEMËR !”

  SOFREN  E  GJERGJ  KASTRIOTIT !

Nga Fritz RADOVANI

Sofra asht gati!

Urdhnoni Shejtni, Populli Shqiptar per Ju, ka shtrue “Bukë e krypë e zemer!”

Me këto fjalë do t’ Ju drejtohej sot Argjipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, Imzot Vinçenc Prennushi, i cili ka thanë në 1946: “Sot asht turp mos me kenë në burg!”

Mbas Mikut të Madh të Shqiptarëve nder shekuj, asht Rregjenti i Delegacionit Apostolik në Shqipni, i Pari Shqiptar emnue në Maji 1945, dhe që guxoi me deklarue: “Unë nuk do t’a ndajë kurrë grigjen time nga Selia Shejtë!” Për këte u pushkatue!

Janë rreshtue në sofren e së dieles së 21 Shtatorit 2014, një nder ditët e veçanta në Historinë e Popullit Shqiptar, ku në kryet e vendit asht Shejtnia e Tij Papa Françesku:

?66 Meshtarë, të vramë, të mbetun në tortura dhe të zhdukun nder kampe pune e shfarosje, nder të cilët, 50 prej Tyne as sot, nuk kanë asnjë Shenjë tek koka...

?Janë aty edhe 65 Meshtarë tjerë Katolik Shqiptarë, që provuen torturat dhe vuejtjet e hetuesive e të kampeve të shfarosjes...Po, edhe mbijetuen e vdiqën në krye të Detyrës së Tyne per të cilën u betuen mbi Elterin e Shejtë...

?Janë aty Bektashijë, të vramë...Baba Sali Njazi Dede, Baba Zylfo Turani, Baba Qamil Gllava, Baba Ali Tomorri, Baba Shefqet Koshtani, Dervish Ali Korça, Bedri Cakrani, Baba Myrtyza Kruja, Baba Islam Leskoviku e sa të tjerë Atdhetarë të pashoq!

?Janë aty sa Hoxhallarë sunit, që nuk u dihet as varri...pse ishin Shqiptar!

?Janë aty Peshkopët, Kristofor Kissi, Kozma Qirio, At Dhimiter Leka, At Gjergj Suli, At Llazar Popi... e sa Atdhetarë të tjerë deri tek i Madhi Kristo Floqi i Korçës...

?Janë aty Prekë Cali me 118 Burra të Malësisë së Madhe, trupat e të cilëve u hollën nder lumej’ e prroska në Janarin e 1945, vetem se, ruejtën të paster Fenë Katolike për sa shekuj, me armë në dorë kunder të gjithë anmiqëve të Gjergj Kastriotit.

?Janë aty Kreshnikët e Maleve të Dukagjinit, Mirditës, Pukës e të Fushave të mbytuna në Gjak Atdhetarësh trima të Lezhës, Drinit, Matit e Bunës, ku Shqiptari e “bani vdekjen per Atdhe, si me le”!

?Janë aty Burrat e Dheut që s’ Ju tut syni çka merr prej Hotit, Grudës, Tivarit, me Kosovë e Maqedoni e deri poshtë në Tepelenën Martire, ku lotët e sa Nanave Shqiptare edhe sot vlojnë mbi Token e Atdhetarëve tanë që dhanë jeten per Atdheun e Lirë!

?Janë aty, Motrat tona Shqiptare, të pushkatueme, Marije Zojzi (Deda), Marija Murgesha e Zadrimës e dhunueme dhe e varun. Asht Drita Kosturi, Marije Tuci, Agime Pipa, Terezina Pali, e sa Vajza të tjera të masakrueme  në “Burgun e Kishës së Fretenve” në Shkoder, e deri tek birucat e padritë të kështjellave të Gjinokastres dhe Maleve të Tepelenës e të Beratit... Po ku, nuk kishte biruca torture an’ e kand Shqipnisë?

?Janë aty Atdhetarët intelektual të masakruem pse kanë dashtë shumë Shqipninë:

Gustav Mirdashi (Austriak), Ismail Golemi, Shefqet Deliallisi, Tahsin Bishqemi, Daut Çarçani, Azis Blloshmi, Rakip Kalenja, Rifat Tërshana, Muharrem Liku, Aqif Averiku, Pjeter Gurakuqi, Hamid Greblleshi, Muzafer Pipa, Zef Kadarja, Subi Topulli, Fahri Rusi, Selim Kelmendi, Murat Basha, Ndue Pali, Hilmi Leka, Hidajet Kulla, Reshat Stermasi, Shyqyri Borshi, Anton Fekeqi, Hasan Dine, Petraq Pekmezi, Nazmi Uruçi, Abdullah Saraçi, Nazif Babani, Simon Deda, Dino Shani, Kristaq Peshtani, Kolë Prela, Paulin Pali, Dik Cani, Atif Gole, Gafurr Gole, Pjerin Guraziu, Myftar Jegeni, Mark Temali, Xhavit Leskoviku, Kolec Deda, Iljaz Dema, Bilal Nivica, Xhevat Korça, Simon Darragjati, ... Një vazhdim i pafund Emnash të Nderuem...

?Janë aty, Martirët e Burgjeve të Burrelit, Gjinokastres, Vlonës, Beratit, Korçës e të gjitha atyne kampeve të shfarosjes, të kudondodhuna per çdo pllambë Tokë Shqiptare.

?Janë sot në Tiranën e Shqipnisë Martire Europjane, mbi 500.000 Shqiptarë, që provuen tmerrin e një Gjenocidi barbar nder familjet e veta, me vrasje, varje, zhdukje, lufta kllasash, masakra nder fëmijë të mitun, burgosje, interrnime, shpronsime, grabitje,

vdekje rrugash dhe humbje varresh... Kur Shqipnia nuk ishte ma shumë se 1.200.000 Shqiptarë, mbrenda kufijve të 1913... Gjysë miljoni masakrohen per 47 vjetë diktaturë të pashoqe dhe të panjohun në asnjë tjeter vend të Europës!

Gjithkah rrethue në tela me ferra...

Shqipnia Europjane më ngjasonte në Kunoren me ferra të Jezusit në Kryq!

?Po, po, aty janë 50.000 të vramë, të mbytun në tortura nder hetuesi e biruca të atij sigurimi shteti famkeq, që jo vetem i vrau dhe ua masakroi edhe familjet e Tyne në kampet e interrnimit... Po, brezni të tana ua zhdukën thellë nder baltat e kënetave!

?Po, po, mbi Varrezat e Tyne, Shqiptarët presin me u nderue me një Monument në Tokën Shqiptare: “Kështjella e Pavdekshme e Martirëve Atdhetarë Shqiptarë”!

***

Kjo sofer e Gjergj Kastriotit, sot asht prap e Atij Mbrojtësi të Madh të Europës...

Kjo sofer e Gjergj Kastriotit, sot kerkon Mbrojtjen e Asaj Europë të Bashkueme!

Kjo sofer e Gjergj Kastriotit, sot kerkon edhe Fillimin e një Pajtimi Kombtar!

Kjo sofer e Gjergj Kastriotit, sot Ati i Shejtë Papa Françesku, pret Bekimin Tuej!

E në fund të Zallit të Kirit m’u ba se ndjeva një za, ushtoi si pushka e Burrave të Hotit dikur në Maje të Bratilës, perkrah Dedë Gjo’ Lulit...në Prill të 1911...

Po, po, ishte Zani i Provinçialit Françeskanëve të Shqipnisë At Mati Prennushit:

Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!   U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”...

Melbourne, 19 Shtator 2014