| E merkure, 02.07.2008, 06:31 PM |
Shaban Zeneli: “Amanet or bir! Të shkosh njëherë tek varet e gjyshit tënd dhe të mbjellësh një lule”.
Albert Zholi
Zëri im në kërkim të Çamërisë
Nga Albert Zholi
Shaban Zeneli është një ndër këngëtarët e parë dhe tipik çam, që të gjithë repertorin e këngëve të veta ia ka kushtuar tokës së të parëve. Zëri i tij tërhoqi vëmendjen e specialistëve të muzikës franceze, të cilët e çmuan si zë tepër të veçantë, si këngën historike çame, po ashtu dhe atë polifonike, duke marrë nismën që së bashku me të, të realizojnë në Çamëri një film për këtë trevë. Në këtë film që nuk kaloi pa incidente, Shabani luante jo vetëm rolin e këngëtarit, por edhe të personazhit kryesor. Zëri i tij magjik nga studiuesit francez cilësohet si i rrallë dhe me vlera të spikatura.
Na thoni diçka mbi prejardhjen, kur ka ardhur familja nga Çamëria ?
Unë jam nga një fshat mbi Gumenicë. Prindërit e mi kanë ardhur në vitin 1924 dhe u vendosën në qytetin e Fierit. Si këngëtar prej shumë kohësh unë hulmutoj dhe i prodhoj këngët çame në bazë të emocioneve dhe ngjarjeve historike që janë. Sapo kam mbaruar edhe një film në Çamëri. Ai ishte një film dokumentar me profesorin francez Benard Latot Zhakok, i cili u laurua në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe morëm çmim të parë në Paris.
Si titullohet filmi?
“Zëri në kërkim të tokës së humbur”. Regjisor është Bernard Latot Zhakok në Paris.
Po juve çfarë roli luani në këtë film?
Unë jam në rolin kryesor, në marrëdhënie me miqtë e mi në Çamëri në marrëdhëniet myslimano-ortodokse. Nëpërmjet këngës ne jemi bërë miq edhe më të mirë. Në film jepet shumë qartë kur më presin dhe më përcjellin. Pata edhe presion nga shumë grekë, por unë nuk isha shqiptar që mund të ndrydhesha, por isha një person tashmë nën mbrojtjen e Institutit të Kërkimeve Shkencore të Parisit. Nismën kryesore për realizimin e këtij filmi e kishte Parisi. Unë isha me vizë franceze në Çamëri.
Si i realizove këto lidhje me Insitutin Francez?
Unë pata dhënë një koncert në Paris para dy vjetësh vetëm me këngë çame. Dhe vetëm në një tekst që kam bërë unë që titullohej “Kërkimet e Çamërisë” thuhet:
Në varret e të parëve tanë,
ku lulet tërë ishin tharë
ku një lule duhet të mbjell,
dhe një gotë ujë duhet t’i hedh
Nga ky tekst profesori francez Bernard bashkë me kolegët e tij evropianë mori nismën dhe më thotë, unë po studioj zërin tuaj dhe mendoj që të bëjmë një film në Çamëri ku të shikojmë emocionet tuaja në vatanin tënd, tek varret e të parëve tuaj dhe në shtëpitë e gjyshërve. Dhe kjo u arrit nëpërmjet punë së tij.
Po, profesori a e njihte më parë çështjen çame?
Profesori është francez. Ai tashmë e di shumë mirë historinë (më parë kishte pak njohuri) dhe e njeh të gjithë problematikën tonë nëpërmjet zërit tim dhe kolegut tim Refat Sulejmani. Unë fatkeqësinë dhe padrejtësinë që i bëhet komunitetit çam që të mos shkojë në varret e të parëve të tyre që të mbjellin një lule dhe ti hedhin një gotë ujë, i kam shprehur nëpërmjet këngës në Paris, Vjenë, Belgjikë, ku profesori ka qenë gjithmonë shoqëruesi im. Instituti për Kërkimet Shkencore për Kulturën në Francë e ka marrë nismën me në krye profesorin.
Në lidhje me varret e të parëve. Çfarë ju kanë thënë prindërit për shtëpitë që keni pasur në Çamëri dhe si i gjetët ato?
Shtëpia e familjes sime ishte e rrënuar, për arsye se ne kemi ikur shumë shpejt. Ka shumë shtëpi çame që janë kulla të vërteta. Amortizimi ka bërë punën e vet dhe në këto kushte unë isha një misionar, që vajta filmova në Çamëri dhashë emocionet e mia, mora emocionet e miqve të mi në Çamëri, por pata edhe presion në një kishë greke ku unë po pyesja për fshatin tim. Unë nuk e mbaja mend fshatin tim sipas të thënave të prindërve, mora hartën dhe po pyesja ku është fshati im Magrohori. Ndërsa ne i themi Grokoçar që është mbi Gumenicë. Grekët nuk i kanë prekur shtëpitë tona siç kanë qenë ashtu janë edhe sot. Janë të pabanueshme. Por ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre nëpër pronat tona.
Në ç’moshë keni kënduar për herë të parë dhe si quhet kënga e parë që keni kënduar për Çamërinë?
Unë kam kënduar në moshë shumë të vogël, por fati qe, që në Televizion kam kënduar për elektrifikimin e vendit, kur përfundoi ai. Sepse kënga çame në sistemin e kaluar nuk i pëlqente shumë regjimit. Unë jam një këngëtar historik, po ta kapësh nga mënyra e të kënduarit për Çamërinë. Unë i bëj vetë tekstet. Kam përshëndetur edhe miss Globin me këngëtaren e madhe Myfarete Laze dhe Aleksandër Gjokën me “Ne e duam Çamërinë”. Unë e bëra vetë tekstin dhe kompozimin e bëri Sokol Marsi. Këto janë prurjet që unë i kam akumuluar në gjithë jetën time dhe që i kam shprehur ose i shpreh në festivale apo në evenimente të tjera. Kam patur fatin e madh që nga mënyra e këtij lloji zhanri polifonik të hyj në bashkëpunim me të gjithë këngëtarët e mëdhenj si Myfarete Laze, Alma Bektashi, dhe shumë këngëtarë të tjerë. Pra jam një zë që futem me të gjithë zërat, por nuk dal nga tabani im.
Kush është kënga që ka ngjall më shumë emocion tek ju për Çamërinë?
Më interesante sot për sot është kënga “Ne e duam Çamërinë”, ku tekstin e kam bërë vetë:
Vajzë moj, vajzë moj,
vajzë moj me gjithë këto lezete
Djalin çe bëre për vete
O djalo porsi borzilok
Unë të dua, por nuk vij dot
Sa këngë keni kënduar gjithsej për Çamërinë?
Janë të shumta. Unë kam pasur fatin të jem prezent me këngën çame në shumë evenimente, si përshëndetës. Në Festivalin e 41 në Radio Televizion, Festivalin e 43, Miss Globin në Durrës, Miss Globin në Sarandë. Në Festivalin e Beratit kam marrë çmim të dytë në Republikë.
A mendoni se çështja çame po ecën rrugë të mbarë dhe do të zgjidhet?
Për mua është ora e Shqipërisë. Pa u zgjidhur i gjithë problemi shqiptar nuk ka qetësi as Bota as Evropa. Ne duam që ne shqiptarëve të na vihet dinjiteti në vend.
Çfarë keni në dorë tani për Çamërinë?
Unë jam duke punuar për një projekt filmi përsëri me profesorin. Do të bëhet një emision për të gjithë historinë e shqiptarëve. Të gjithë e dinë tashmë historinë tonë, sesi ne jetojmë. Më e veçanta dhe e bukura është se, do të dalë në skenë çështja jonë, sepse ne nga qarqet greke akuzohemi si rebela, bashkëpunues me gjermanin, tradhëtarë, ku ky etiketim nuk ekziston. As për ne dhe as për vëllezërit tanë që janë atje. Ne kemi kaluar harmoni të plotë dhe vazhdojmë të kemi, harmoni, por politikat bëjnë të tyren.
A ju kanë lënë ndonjë amanet prindërit?
Prindërit më kanë vdekur në 1997 dhe më kanë thënë “Amanet or bir! Të shkosh njëherë tek varet e gjyshit tënd dhe të mbjellësh një lule”. Kjo është edhe ajo që më ka shtyrë të këndoj për Çamërinë. Unë e kam kryer këtë amanet dhe jam shumë i lumtur dhe mendoj se shpirti i tyre prehet i qetë dhe falenderoj shmë profesor Bernardon. Unë mendoj se amanetin, përgjegjësinë ndaj prindërve të mi e kam mbaruar. Por në këtë emocion janë të gjithë qytetarët e Çamërisë. Kanë lënë të gjithë dhimbjen pas dhe nuk u jepet një mundësi që të shkelin në trojet e tyre vetëm pse e kanë emrin çam. Në mënyrë ilegale ne shkojmë, por duhet të shkojmë ashtu siç i takon këtij kombi që të shkosh e ti shërbesh të rënëve të tu, të parëve të tu.