| E enjte, 18.09.2014, 08:04 PM |
Mirësevjen At i Shenjtë
Nga Fatmir Lamaj - ish i burgosur politik
Po
afrohet ora e madhe kur këmba e Papa Françeskut do të shkelë mbi tokën
shqiptare, duke sjellë me vete mesazhin hyjnor për gjithë shqiptarët se Zoti i
Madh dhe ne nuk na ka harruar, përkundrazi jemi në vemendjen e tij përderisa
përfaqësuesi më i lartë i klerit katolik është i angazhuar direkt në dhënien e
këtij mesazhi. Ardhja e Atit të Shenjtë është një ngjarje e madhe për popullin
tonë të shumëvuajtur, por gjithashtu edhe një detyrim shpirtëror për vlerësimin
që po na bëhet nëpërmjet kësaj vizite për të gjithë ne si shqiptarë. Në zemrën
e çdo shqiptari ravijëzohet në mënyrën më të sinqertë një “mirëseardhje” e
frymëzuar dhe mbështetur në vlerat më të mira shpirtërore. Duke përjashtuar
klasën politike e cila për arsyet e veta pragmatiste kërkon t’a shndërrojë këtë
vizitë në një fasadë politike për të nxjerrë në pah ato merita që s’i ka pasur
kurrë ndonjëherë, përkundrazi mbetet klasa politike më e korruptuar në Ballkan.
Papa Françesku do të vijë në këtë vend për këtë popull aq shumë të përvuajtur
nga komunizmi enverist, si modeli më i shëmtuar dhe më gjakatar që ka njohur
deri më sot historia e zezë e komunizmit. Ai njëkohësisht duhet të mësojë
dhimbshëm se të persekutuarit e djeshëm janë edhe sot pothuaj aq të persekutuar
sa edhe dje, dhe persekutorët në vazhdimësi brezash janë po ata të djeshmit,
natyrisht me fytyra të reja. Ti do të shikosh o Papë fotografitë e priftërinjve
të pushkatuar nga regjimi komunist, por për të gjitha ato krime që ndodhën mbi
popullin shqiptar për 50 vjet rrjesht, asnjë kriminel nuk u dënua qoftë edhe
një ditë të vetme përkundrazi, bijtë e xhelatëve sot i ke biznesmen e
politikanë që akoma vazhdojnë t’i bëjnë gjëmën këtij populli të inkurajuar nga
mosndëshkimi i etërve të tyre. Etërit xhelatë ecin sot krenar për krimet e
bëra, sepse janë të sigurtë se bijtë e tyre në pushtet të vazhdueshëm, janë
garancia absolute e mosndëshkimit fyes për një popull të tërë. Mirësevjen o At
i Shenjtë në tokën shqiptare, në këtë tokë me aq shumë Shenjtë, të gjithë shqipëtarët të presin krahëhapur pa dallim feje, por më shumë
të presim me gjithë ngrohtësinë e shpirtit ne viktimat e komunizmit, ish të
burgosurit politikë, ish pronarët dhe ish të persekutuarit që dhe sot vazhdojnë
të jenë sërish viktima të padrejtësive të mëdha që kanë ndodhur e po ndodhin në
këtë vënd. At i Shenjtë, ne të persekutuarit politikë të diktaturës
komunisto-enveriste e dimë ç’është urrejtja, sepse kemi qënë vet viktima të një
urrejtje çnjerëzore dhe pa shkak e cila s’njihte kurrë ndonjëherë kufij e
moral, por ne kurrë nuk iu nënshtruam ndonjëherë ngasjes së saj djallëzore duke
dhënë mesazhin e madh dhe aq të nevojshëm për kohën se: Duhet të falim deri në
dhimbje për mos të krijuar më dhimbje të tjera. Mirësevjen o At! Ju në vizitën
tuaj nuk mund ti shmagni dot takimet me parin politike të këtij vëndi e cila ka
në përbërjen e saj edhe banditë e kusar, horra e vrastar, të cilët është e
natyrshme që nuk e meritojnë bekimin tënd, përvec mallkimet që duhet të marrin
si shpërblim i vonuar për atë që kanë bërë e po bëjnë mbi shqipëtarët e aq
shumëvuajrur. O At, lutju Zotit për këtë vënd e për këtë popull që mbi
errësirën ku dergjet aktualisht, Ai të dërgojë pak dritë për ta zbuar njëherë e
përgjithmon errësirën dhe demonët e saj prej tokës së begatë shqipëtare.