Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Dialog i pa përfunduar

| E hene, 15.09.2014, 07:31 PM |


Kostaq Duka

Dialog i pa përfunduar

-Tim biri në ditën e lindjes-

 

Dëshirat

 

Pasi linde

durimin e thërmova

në pritje të tingullit,

fjalës, ligjërimit të lirshëm, të gjallë.

Më tej ëndërrova

për dialogun e ashpër e të butë: burrë-burrë,

për një trokitje birre pas një bisede intime

diku, në kafene të zhurmshme, në cep tavoline.

Jeta m’i fali të gjitha me tepri

edhe pse gjithnjë në dhëmbshurinë e dashurinë për ty

i uritur mbeta.

Tani të kam “bos” e këshilltar,

Çuditërisht “zvogëlimi” i vetes më bën krenar.

 

Vazhdimësi

 

Në jetë për ty bëra shumë.

Për këto s’kërkoj dhurata e ndere.

Nëse ndaj nipit e djalit tënd do kujdesesh njëlloj

i ke shlyer të gjitha.

 

Do të vijë një ditë

 

Do të vijë një ditë e s’do të  jem.

Kjo është logjika e jetës.

E rëndësishme është kur i vetëm të ecësh

nëse padashur pranë të ndodhem

turp të mos ndjesh.

 

15 Shtator 2014