| E premte, 12.09.2014, 06:24 PM |
NJË COPËZ JETE.
Tregim nga Vjollca Tiku Pasku
Rrezet e kuqe të diellit binin shtruar në asfaltin e rrugës duke e nxehur tej masës. Nga temperaturat e larta, asfalti ishte bërë i butë dhe në cepat e pashkelura formonte flluska. Gjatë drekës ato fryheshin dhe më pas plasnin duke çliruar atë afsh të nxehtë me erën karakteristike që është mbytëse për frymëmarrjen...Në mesditë, kjo vapë bëhej e padurueshme, sepse të gjitha poret e trupit përthithnin të nxehtin dhe ajri i tharë pa lagështi vështirësonte frymëmarrjen. Vendosëm me bashkëshortin që këto ditë të nxehta t’i kalonim në qytetin tim bregdetar të lindjes. Sapo arritëm aty, unë si përherë shkova për të psonisur tek magazina e madhe e shoqes time të fëmijërisë. U përqafuam me mall, pasi kishim kohë pa u parë. Fytyra e saj ovale e bardhë me flokët e zezë krijonin atë kontrast që quhet bukuri. Sytë që dikur ishin te vëmendshëm edhe në lëvizjen më të lehtë, tani ishin bërë disi të hutuar. Përshëndeta bashkëshortin e saj, një njeri trupgjatë me flokë të dendur gështenjë. Në tëmthat kishte fije te bardha thinje, sikur koha i kujtonte që vitet e tij po kalonin. Gjithmonë zotëronte një energji të paparë dhe përherë krijonte një situatë gazmore. Evelina kishte përqendruar shikimin në një pikë, njësoj si të shikonte një shishe ne det, nga ato që ruanin një mesazh të mbyllur dhe valët e merrnin duke e shtyrë gjithnjë e më larg. ”Ç’mendonte vallë..” Papritur u zgjua nga përgjumja dhe u bashkua me batutat e tij, më pas i tha diçka të shoqit, më kapi prej krahu dhe më tha:
-Hajde të pimë një kafe së bashku. Pranova me kënaqësi. U ulëm në lokalin më të afërt, dhe unë ia nisa:
-Lina të kujtohet kur ishim të vogla, sa herë kishe diçka që të mundonte, ti vrapoje tek unë dhe të dyja e diskutonim së bashku. Tani të shoh të menduar, ti sikur ke një hall. Më duket sikur më ke thirrur me botën e shpirtit për të më thëne diçka... Lina e befasuar, shkundi gjithë turbullimin e grumbulluar me një psherëtimë të zgjatur dhe tha:
-Eshtë e vërtete ne kemi qenë si motra, por edhe tani megjithëse nuk jemi parë shpesh, unë të konsideroj si të tille...
-Njësoj të çmoj edhe unë , për më tepër që më bën pjesë në botën tënde,- i thashë unë duke pritur të vazhdonte shpjegimin e pyetjes sime.
-Ti me
kuptove menjëherë,- tha ajo- që diçka nuk shkon. Atëherë po të hap ty zemrën,
nuk i kam thënë askujt... Në magazinë rrimë po thuaj nga mëngjesi në darkë. Unë
shkëputem me intervale për punët e shtëpisë. Për të lehtësuar punën përdorim
kompjuterin. Ti e di që kam mbaruar ekonomikun dhe gjithë hyrjet-daljet e
mallit i bëjmë me të. Një ditë hapa faqe në fb dhe në kohën e lirë flisja me
shoqet. Një shoqe me prezantoi një kushëririn e saj në fb. E pranova pa
dëshirë. Me shumë mirësjellje më tha ”se kishte një biznes të vogël dhe nëse
mund të merrte mallra nga magazine jonë”.“ Natyrisht “ iu përgjigja. Kur erdhi
më vështronte ngultas , vjedhurazi nga burri im, njësoj sikur të hidhte një
rrjete të padukshme për të më zënë rob. Kohë pas kohe u mësova ta marr atë
shikim, si një shigjetë të ëmbël që më trazonte diçka brenda meje. Më dukej
vetja si preja e një magjistari ndjenjash. Zemra më godiste me forcë, njësoj
sikur do më kërcente nga kraharori,dhe mjaftonte ta tërhiqte pakëz, unë do të
pranoja çdo vuajtje, apo torturë, mjafton të isha bashkë me të . Që nga ai çast
fishekzjarrët shpërthenin në qiell, ndërsa ndjenjat shpërthenin brenda meje dhe
purpurima e kuqe më degëzohej faqeve, se ndjeja të më digjnin. Buzët e tij
mishtore më ngjallnin dëshirë dhe zëri i tij ishte si një instrument që luante
vetëm për mua. Në fillim më dukej një njeri i zakonshëm, pastaj portreti i tij
m’u ngrit në qiell. Një ditë burri im kishte vajtur të paguante disa fatura.
Këtij i ndritën sytë tek më pa vetëm. Doja të fshihja atë ndjenjë të ëmbël që
më provonte ai, por orvatja ime ishte e kotë. I thashë punëtorit tim të
ngarkonte artikujt që bleu ai në makinën e tij dhe u tërhoqa për të bërë
llogarinë. Ai më erdhi pas në zyrë dhe më tha “Edhe sikur t”i bija kryq e
tërthor botës , nuk do gjeja lule më të bukur nga ty për ta kundruar. Je si
lulja në mes të shkëmbit të greminës. Kam frikë se kurrë nuk do mund të të
arrij”. ”Nuk ke frikë se mos bie në humnerën e thellë “ i thashë unë. “Jo, më
frikë kam të vështroj e të ndiej kundërmimin tënd “ më tha . Ai hodhi një hap
përpara, si për të bërë kapërcimin mbi shkëmb. Instinkti i vetëmbrojtjes më thoshte
”s’prapsu e marrë, ç’po bën”. Por zemra më fliste: “vetëm një puthje e para dhe
e fundit”. Lufta logjik –zemër ndesheshin si dy qenie për jetë a vdekje. Ai e
pa ngurrimin tim, më vështroi me sy, sikur do të më përpinte, ndërsa unë doja
të humbisja në horizontin enigmatik të tij. Ai më puthi me një puthje të gjate
dhe mua m’u duk sikur shpërtheu portën e turpit e të ndrojtjes dhe u hap bota e
përjetimit të kënaqësinë. Ndjeja gjakun të më vërshonte në vena i nxehtë, dhe
mushkëritë e mia që po thithnin ajrin e tij.
-Ç’farë pret shko, Lina!– i thashë me një ton provokues.
-Kaq thjeshtë, Lola? -tha ajo me një vështrim dyshues...
-Të gjitha tradhtitë , thjesht ndodhin , -i thashë unë qetësisht.
-Nuk po me ndalon?...
-E përse të ndaloj, nëse ti merr përsipër pasojat dhe të vë kandarin t’i peshosh, ku është vuajtja dhe dhimbja më e madhe. Në njërën anë të kandarit vendos së pari fëmijët, bashkëshortin, gjithë punën, ekonominë tënde, në fund opinionin e botës, lakimin e emrit tënd në çdo rasë, dhe në anën tjetër vendos vetëm ndjenjën tënde, të cilën do ta quaj pasion kalimtar, ku do anojë kandari?.... Por edhe të luash fshehurazi, as mos e mendo, sepse njëherë do kapesh. Ti tani je bërë dhe si e hutuar, rri gjithë kohën në botën tënde. Mos kujto se nuk ke rënë në sy. Jam e bindur se burri yt të ka pyetur shumë herë dhe diç bluan për ty. Nëse njëzetekatër vjet i shumëzon me zero atëherë shko... Në fb shumë njohje virtuale janë kthyer në njohje reale kanë ndarë shume familje… Pa prit, kur erdha u ndesha më një person pak të shkurtër, ai është?
-
-O Zot,
një xhuxh një metrosh, të paska katandisur në këtë gjendje?!....
-Jo , jo, Lola ime, kur njeriu verbohet nuk mendon logjikisht, por rend drejt ëndrrave pa frymë. Duhej patjetër një zë, që të më zgjonte!...
–Atëherë jepi frymëmarrjen logjike ëndrrave të tua, Lina!... Lotët e saj filluan të rridhnin çurk. Ndoshta tani e zgjonin tërësisht nga amullia e mendimeve. U ndamë duke marre dy rrugë te ndryshme, unë për në shtëpi dhe ajo për në punë.