Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kim Berisha: Me Vatikanin, a me arushën!

| E enjte, 11.09.2014, 07:24 PM |


Me Vatikanin, a me arushën!

Nga Kimete Berisha

Imzot Rrok Mirdita ka thënë sot se 'Njohja e Kosovës nga Vatikani nuk është një domosdoshmëri'!

Mos ashtu i dashur imzot.

Se, duke mos e pranuar pavarësinë e Kosovës, Vatikani në fakt nuk e pranon Kishën e katolikëve shqiptarë të Kosovës, me të cilën s'di a komunikon Vatikani drejtpërdrejt, apo nëpërmjet kishave të tjera, të Sllovenisë për shembull!

Tash, Kisha Katolike e Kosovës, a është me Vatikanin që e refuzon kategorikisht pavarësinë e Kosovës, a është në anën e Kosovës!

Të isha unë 'imzote' sot do të nisja të bëja 'kërdi' në këtë aspekt, do të çoja pluhur, do ta bëja këtë punë shumë të madhe, sepse duke e injoruar dhe nënçmuar lirinë e shqiptarëve, Vatikani e injoron Kishën Katolike të Kosovës, i injoron shqiptarët katolikë, të cilët janë edhe me Vatikanin edhe me Kosovën.

Rrok Mirdita, në vend se të kërkojë nga Vatikani hapjen e arkivave me dokumente dhe tapi që vërtetojnë lashtësinë dhe kulturën e madhe të shqiptarëve, ai sillet si serbomadh ndaj Kosovës, dhe e arsyeton refuzimin ortodoks të pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit. Kur janë në pyetje shqiptarët, katolikët e Vatikanit sillen si ordodoks!

Ku mund të jetë Seli e Shenjtë ajo Seli që refuzon lirinë e një populli paqëdashës, të shtypur dhe të vrarë e të persekutuar ndër shekuj.

Liria është e shenjtë, nuk është njerëzore e as hyjnore e as shkencore e as fetare ta kundërshtosh lirinë, prandaj mohuesit e lirisë janë mëkatar të djallëzuar.

P.S. “Historia e Vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve” (Maximilian Lambertz).