E merkure, 11.12.2024, 04:50 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Varrezat politike

E merkure, 10.09.2014, 07:04 PM


VARREZAT POLITIKE

NGA KALOSH ÇELIKU

Xha Cuti, ky personazh i historisë shqiptare të cilin nuk e kanë vërejtur deri më sot partitë politike duke u turrur me të katra pas posteve politike, përpak të më shpëtojë nga pena edhe mua si shkrimtar “problematik”. Jo, o Xha Cuti Madh, të them: pusho i qetë mes varreve! Rehat bë gjumë, nuk ka kush të ngre sot ty përmendore, përveç meje në këtë shkrim përkujtimor. Vështirë e ke të shpëtosh nga pena ime me dy tyta. Njerëzit e mëdhenj, vështirë i shpëtojnë kësaj “arme paqësore” historike. E, sidomos një burrë si ti shqiptar, që ke lënë “name” nëpër Kërçovë. Punë tjetër është ajo se, halldupët nuk kanë pasur veshë, nuk kanë pasur sy t’i shohin ato shenja historike. Shkrimtari i ka ndjekur këmba-këmbës, dhe herë pas here i ka hedhur në letër si fenomene të shoqërisë. Përmëtepër, është ulur me ty në një tavolinë, ka pi kafe, ose e ka rrotulluar ballë për ballë “këmbë për tërma në hava” ndonjë groshë pas Çuke. Dihet, nuk ka mundur t’i rrokullisë dy grosha në thesin e grisur, ngase nuk e ka pasur aftësinë mendore e intelektuale të nivelit tënd jetësor. Barkun e ka pasur plot me “drekat dhe darkat” e popullit shqiptar. Megjithatë, është ulur në tavolinë, të shohi sesi ti i hanë dy grosha gjatë një dreke mbretërore. Larg qoftë, të rrokullisësh ndonjë këmbë qëngji, ose viçi. Vërtetë, nuk do të të kishte hije, drekat dhe darkat e këtij soji, janë “salltanete” politikanësh.

Kërçovarët e mi i di, nuk ka nevojë për ta të më flasësh asnjë fjalë, qoftë për të mirë apo për të keq. Vite me radhë kam hëngër sheqer edhe kripë me thasë në një sofër. Pena ime sot e ka shenjën te ti si personazh unikat ende i pazbuluar në Letërsinë shqiptare: Hijen e Pemës në oborr, vendin e punës dhe dy groshave mbi tavolinë. Që, dje Miniministri shqiptar ua hapi Portën Triumfale krah më krah në Shkup, sot politikanët shqiptar u duartrokisin “mbjelljeve” të përmendoreve nëpër Shkup, kur populli vuan edhe për bukën e gojës. Ujin ia ka falë Natyra. Ose, Zoti Madh. Shtatoret brënda një nate mbinë si këpurdha pas shiut me shikim nga Çairi me armë në dorë: thika, pushkë e bomba. Përballë Skënderbeut me shpatën në brez për paqe dhe Hasan Prishtinës, i çarmatosur me duar në xhepa. Sot për sot, Shkupi më shumë ka përmendore, sesa banorë. Personalitetet shqiptare: Pjetër Bogdani, Josif Bageri dhe Nexhat Agolli presin në radhë, siç kanë pritur edhe dikur për së gjalli për dy metra varr në Perandorinë Osmane e sistemin e egër komunist. Punemadhe, që në pagesën e tatimeve shtetërore, jemi të barabartë si popull shumicë: pushtetin dhe përmendoret ua kemi lënë popullit pakicë “vëlla” në krizë identiteti, pjellës komuniste që pak gjurmë kulturore e qytetare ka lënë rrugës në histori. Rrezik i madh, kur ta shohësh nga njëra anë për një popull, që historinë përpiqet ta ndryshojë me ngritjen e përmendoreve të së kaluarës: heronj antik, serb, bullgarë e shqiptarë. Komplekset historike, që në Ditën e sotshme përpiqet t’i shërojë përmes përmendoreve me armë në dorë, thirrjeve për luftë “vëllavrasëse”?!

Pushteti dhe përmendoret janë të përkohshme, i ndërtojnë pushtuesit dhe partitë politike në pushtet, nuk kanë jetë të gjatë. Nesër, vijnë partizanë të tjerë fitimtar në Shkup, dhe gjithë këto përmendore me leje e pa leje t’i hudhin bythekrye në Vardar. Historia njeh plot ngjarje të këtilla pushtuese. Prandaj, edhe shqiptarët nuk duhet shumë ta vrasin kokën rreth përmendoreve që u lindin brenda një nate në Shtetin e “përbashkët”, që sot për sot janë vetëm një grep politik i provokimeve hedhur në një lumë pa ujë, në të thatë kundër veprimeve të tyre historike. Koha, nuk është sot të merremi me përmendore, por me shtrirjen e dorës pajtimit, rimëkëmbjen e Atdheut. E di, dudumët si rrufjanë të shërbimeve të huaja sekrete antishqiptare, përpiqen ta shpallin “Iliridën”, një autonomi shqiptare të “harxhuar” e djegur kahmoti komuniste. Pavetëdije, u prinë ngritjeve dhe legalizimit të këtyre përmendoreve në prag të festës me rastin e 8 Shtatorit (1991), Ditës së pavarësisë të IRJ të Maqedonisë në mes të shqiptarëve dhe Ballkanit. Dalldisin popullin shiptar për veprime politike pakrye, Hapin e Motit Madh të sotshëm strategjik ta kthejnë në fillim të rrugës malore. Ose, fusin shqiptarët në qorrsokak historik.

Populli shqiptar, kur ka pasur civilizim, Mbretëri, Shtet, Universitet, histori dhe përmendore, populli i sotshëm artificial bënte jetë argati, herë si serb, herë si bullgar e herë si turk “ehamdurila”. Shqiptarët janë ato që e pavarësuan dhe e mbajnë gjallë këtë  Shtet të “përbashkët”. Haxhi Deputeti qafë për qafe me “Tatkoto” (Babain), në atë kohë qorre “fluturoi” si Azreti Isai nga minarja e xhamisë jo në qiell, po në Amerikë. Miniministri “shqiptar” i Kulturës me shokë. Doktorziu, Rrumaduci, Dudumi e ndonjë tjetër “hero” i “vëllazërim-bashkimit”, vendin e kanë edhe ato mes atyre përmendoreve. Gabim i madh historik, sot u bëhet “shehidëve” të mejdanit mos t’u ndahet një copë livadh, një kamion beton dhe dy-tri fjalë miradie mbi kokë si “krushq” të Njerkës me dy shamia të kuqe lidhur për brezi. Duartrokitje partizane. Rrugë t’i hapin Ditës Nesërme, që është nisur me qerre dhe nuk vjen me kuaj e armë në dorë, por me penë, libër e dije.

Kohë, mos humbëni kot me ndërtimin e përmendoreve (varrezave politike), por përveshni mëngët dhe futjuni punës historike (Ardhmërisë)! Përmendoret dhe historia i duhen një populli që nuk i ka sot në jetë, për ta mashtruar veten me përralla arabe të “Njëmijenjënetëve”, vë në gjumë. Populli shqiptar historinë e ka ndërtuar me luftë dhe gjak nëpër shekuj. Edhe, përmendoret historike nëpër sheshe. Ndonjërën, gjatë ndryshimeve demokratike edhe e ka rrëzuar, tërhequr zvarrë me litar. Rrezikun e zhdukjes, moti e ka tejkaluar si popull liridashës, që në kohën e Turqisë. Shqiptarët janë si fara e hithës, mbinë kudo që ta hedhësh në rrugë, edhe mes shkëmbinjëve. Prandaj, ky popull heroik i nemur nga turku edhe nuk zhduket aq lehtë nga faqja e Dheut, siç ëndërron me vite armiku historik shekullor.

Shkupit, verë e dimër i sulen kushtet atmosferike me shi, breshër e borë. Përmbytja e madhe, ujërat e zeza kur dalin mbi tokë si lumenj rrugëve në mungesë të kanalizimeve. Vërshime, që hyjnë edhe oborreve e shtëpive familjare. Kryeqytetin shqiptar çdo njëqind vjet e sulmon edhe tërmeti katastrofal, e rrafshon me tokë. Faj, askushi nuk na ka ne shqiptarëve, që në vend të shkollave dhe përmendoreve në mes të parqeve (gjelbërimit), ngrisim xhamia me dy e katër minare. Dasmave tona “kulturore” si popull  “i lumtur”, u mjafton Bit-Pazari dhe Parku i Çairit, dy - tri ditë t’u bijmë lodrave e cinganave, këndojmë këngë patriotike me çifteli e heqim valle popullore. Gara bëjmë me kojshiun se, kush më shumë do të shkrepë fishekë në ahengun familjar gjatë një nate, aqsa do të na kushtonin lapsat, fletoret dhe librat e fëmijëve tanë gjatë një viti shkollor. Protesta politike me petk fetar të organizojmë për çdo “Xhuma” (premte) nga oborret e xhamive, që më vonë me flamuj kuqezi kombëtar ta vëndosim vetë kufirin shqiptar te Qendra Tregtare “Mavrovasja”. Hapsirë luftarake t’u lëmë përmendoreve partiake. Edhe pse, shumicën e ndërtaseve dhe përmendoret e sotshme më këmbë e mbi kuaj, nesër nuk do t’i keni në këtë Qytet as për farë mes gjelbërimit. Përsëri, Nesër do lindë një Shkup i Ri me ndërtesa institucionale e përmendore kokë më kokë me penë e libra në dorë. Armët e luftës do t’i strehojmë në muze, lëmë për kujtim historisë. Pasardhësve të nesërm të këtij kryeqyteti shqiptar, nuk do t’u interesojnë përmendoret me armë në dorë: pushkë, bomba e thika për luftë, por paqeja dhe libri si armë e dijes dhe shkencës.

Lexuesi shqiptar, e di se plasi t’i zbulojë këto fshehtësi të Xha Cutit Kërçovës. Mendja, mos ju rrejë se, edhe unë kam fjetur dhe flej rehat: Pakgjë, i vodha Xha Cutit për së gjalli në këtë shkrim profetik për Nesër. Shkaku, se: Jeta është dinamike në shoqërinë politike, problemet familjare e kombëtare. Lufta me “miq” e armiq flakë më flakë mes dy zjarreve. Xha Cuti, shumicën e fshehtësive i mori me vete në varr. Inati më vjen sot, pse nuk i vodha së paku edhe një mençuri më tepër në Librin për Nesër. Fatkeqësisht, Xha Cuti jetoi i pasur dhe vdiq i varfër në mesin tonë si enigmë. Faji, ndoshta pak është edhe i yni si popull shqiptar. Veshin, nuk ua venim atyre mençurive që ai i hudhte ditenatë rrugëve, nëpër Kërçovë. E kishim shpallur të marrë. E, në realitet, ne kishim qenë ato të marrët me barkun plot e kokën e zbrazët garroçe. Xha Cuti kishte qenë i meçur.

E them këtë, se dua t’ua pëmend sot mençuritë e tij me rend. Pak rëndësi ka ajo, që Xha Cuti kur zbriste më këmbë nga Katundi në Kërçovë, i porosiste nga dy grosha në restorant. Dreka të cilat ia paguanin njerëzit humanitar kërçovar, pa bujë e reklama si sot në mjetet e informacionit. Mëngjesin dhe darkën i bënte bashkë gjatë një dite. Javë të tëra, ndodhte pastaj të mos shti gjë në gojë. Punemadhe, kamarieri kur e shihte vetëm në tavolinë përballë dy groshave dhe e pyste: po, këtë groshën tjetër?! Eh, i përgjigjej me buzëqeshje Xha Cuti: është për një mik timin që do të vijë pak më vonë nga rruga. E pasi e hante njërën groshë, dikur i futeshte edhe tjetrës groshë plot gëzim me këngë: nuk erdhi ai miku im, me siguri i ka dalë ndonjë punë kombëtare udhës.

Qëllimi i këtij shkrimi është te Hija e Pemës në mes të oborrit përpara Shtëpisë. Vëllazërit kur zgjoheshin nga gjumi në mëngjes, Xha Cuti i thonte vëllait: vëlla, shko futu ti i pari nën Hijen e Pemës që më vonë të mos kemi probleme familjare! Veprim politik, që sot nuk e ke te politikanët shqiptar. Hijes së Pemës të gjithë i turren si kope e tërbuar duke e shqyer me dhëmbë, bërryla e shqelma vëllai - vëllanë, kush i pari të ulet nën hije të Pemës (pushtet argati) mes Oborrit të Shtëpisë.

Xha Cuti ka thënë edhe një mençuri, që sot vlen shumë për punësimet administrative qeveritare: Miku i tij, kur i gjeti punë si roje në Termoelektranën e Oslomesë (Kërçovë). E, ky si burrë mejdani iu përgjigjë: a, nuk është më mirë në atë vend pune ta punësoni një tjetër punëtorë, e rrogën ne të dy ta ndajmë përgjysmë?! Xha Cuti e zgjidhi qysh moti edhe problemin e udhëtimit të nxënësve shqiptar me të cilin sot ka probleme Komuna e Kërçovës. Herët i parapa problemet e udhëtimit të këtyre banorëve dhe nxënësve: trakën si te Termoelektrana e Oslomesë. Udhëtarët nuk kanë nevojë të hipin në qerre e autobusë urban, por në një trakë që do të ndërtohej nga Kërçova drejtë atyre fshatrave të largët malor. Asnjë minutë nuk do të humbënin kohë në pritje, ajo trakë do të qarkullonte non-stop përmes fushës, nateditë drejtë shtëpive të tyre dhe shkollave shqipe. Edhe pse, e kishte edhe një kërkesë specifike për udhëtarët, në vendin e arritjes të ketë edhe një dyshek të butë me pupëla, që kur të zbresin mos vriten si udhëtarë.

O Imzot, po cila parti politike, cili lider shqiptar u muarr aq shumë me votuesit e tyre pas fushatave zgjedhore, përveç Xha Cutit me dy grosha mbi tavolinë?! Asnjëri. Prandaj, shqiptarët edhe gjatë kohë do të presin që të lind një Xha Cut shqiptar. Parashikues, që t’i shpëtojë shqiptarët nga kalorësit e arratisur të partive politike…



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora