| E marte, 09.09.2014, 07:55 PM |
A do të thyhen barrikadat me 12
shtator?
Nga Florim Zeqa
Ditëve të fundit, jo vetëm që janë ashpërsuar zërat me dy blloqeve të barrikaduara përballë njëri-tjetrit, janë vënë në lajthitje edhe orekset e shumta për mbajtjen (marrjen) e pushtetit, kush do të (zh) vishet me rrobat e pushtetit?
Analistët dhe gazetarët në anën tjetër po mundohen të reflektojnë në mënyrën e tyre, varësisht prej pikpamjeve të tyre politike, ngase edhe pse ndonjëri prej tyre deklarohet si i "pavarur" në realitet nuk mund të jetë krejtësisht i tillë.
Të pavarur nga politika mund të jenë vetëm ata që nuk merren fare me problemet e politikës. Këtë që e themë dëshiroj ta argumentoj me një shembull të thjesht; çdo analist, gazetar apo vrojtues i thjeshtë i ngjarjeve politike, nëse i vënë vetës objektiv ndryshimin e kursit politik në vend, nuk mund të deklarohet që është i pavarur, ngase varësia e tij nga politika fillon nga momenti i përkushtimit për ndryshimin e realitetit politik.
Unë të gjitha këto do t'i përmbledhja në një pyetje të vetme; A do të hiqen barrikadat në parlament me 12 shtator?!"
Asnjë zgjidhje nuk do të arrihet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 12 shtator pa debarrikadiminin e blloqeve politike.
Duke u nisur nga një gjendje të tillë, prapë analistët dhe gazetarët në mënyrën e tyre po e komentojnë mundësinë e zgjedhjeve të jashtzakonshme si zgjidhje të problemit, që ndryshe po i thojnë "ngërçi" politik.
Sa të tjerë mbeten me shpresën se do të ndërhyjnë ndërkombëtarët si herave tjera për ndarjen e "drejtësisë" me thyerjen e barrikadës politike në parlament.
Por si duket kësaj radhe ndërkombëtarët janë vetëm duke e testuar "aftësinë" e kosovarëve për zgjidhjen e problemeve rrethë krijimit të institucioneve të tyre, janë të zotët apo nuk janë ta bëjnë tranazicion politik në vendin e tyre ?!
Por askush nuk e parashtron pyetjen (hipotetike), çka nëse edhe pas zgjedhjeve te jashtzakonshme krijohet e njëjta situatë bllokuese në kuvend, si do të veprohej tutje?, do shkohet prap në zgjedhje deri nënxjerrjen e rezultatit të dëshiruar!
Prandaj në momentin e tanishëm zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por vetëm prolongim i qeverisjes aktuale (Thaçi plus) dhe vazhdim i situatës së nderë dhe kaotike në dëmë të qytetarëve të vendit.
Zgjidhja
e "lëmshit" politik fillimisht duhet kërkuar nga shkaktarët e
situatës bllokuese në kuvend (pushtetarët aktual), e më pastaj të kalohet tek
akterët e tjerë (
Tërheqja imediate e kryeministrit nga pozicionimi bllokues, dhe jo vetëm kaq,...tërheqja e tij nga skena politike dhe jo vetëm e tij (një grupi më të gjërë politikanësh tashmë të konsumuar), do t'i hapte rrugë jo vetëm zgjidhjes politike të krijimit të institucioneve, por do të hapej edhe një derë e madhe e zhvillimit socio-ekonomik si kusht i vetëm dhe i domosdoshem i ecjes përpara të shtetit të Kosovës.
Ky do të ishte veprim i duhur, i mençur, pragmatik, madje edhe akt patriotik i cili do t'ua hapte rrugën proceseve demokratike të vendit tonë, do t'ua krijonte mundësinë e aktivizimit të të rinjëve etuziast në politikë, gjë e cila do t'ua hapte rrugën reformimit dhe profilizimit të disa partive politike në vend.
Tërheqja e kryeministrit jo vetëm që do të mundësonte heqjen e barrikadave në parlament, do ta kursente edhe kohen e ndonjë "akademiku" që të merrej me kënaqjen e orekseve të tij politike,...deri këtu ka arritur marrëzia e ndikimit të injorances politike ndaj "ajkës" intelektuale të vendit tone.