| E marte, 09.09.2014, 07:43 PM |
Lexim i 5
monografile të albanalogut dhe shkrimtarit, Xhavit Kryeziu nga Rogana e
Dardanës
Monografitë - libra kundër harresës
Gjuha zhvillohet duke jetuar, ajo rritët nëpër shkëbinjtë oral dhe të shkruar , e gjelbër, me lule, e lagësht. Atë e rritë dashuria dhe fryma jonë nëpër kohë!.. Aort Prishtina
Nga Rrustem Geci - Dortmund
Është e
ndaluar të mos i besosh jetës dhe historisë tënde, Është e ndaluar të mos e
ndihmosh popullin tënd kur ai ka nevojë. Është e ndaluar të mos e ndjekësh
frymëzimin që atë ta shkruash, që gjaku të mos humbet e harrohet. Një pikë gjak
për liri, dhe një pikë ngjyrë për ta shkruar atë, i bëjnë nder kombit dhe
historisë. E fillova këtë ese për Xhavit Kryeziun, albanologun, shkrimtarin,
dhe ushtarakun, me një varg të Nerudës, E ndaluar është të mos bësh luftë për
liri dhe të mos arsimohesh, se luftërat për liri janë të domosdoshme. Xhavit
Kryeziu, tërë shekullin e punës së tij, për 40 vjet rresht, ia kushtoi
arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja në të gjitha fazat e shkollimit.
Punoi me zemër e me shpirt në klasat e ulëta të fillores, në ciklin e lartë të
mësimit lëndor të fillores, në shkollat e mesme dhe në universitet, me një
qëllim e synim, që të zhdukë terrin, analfabetizmin e të kaluarës shekullore,
për një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Koha dhe rrethanat shoqërore
imponuan angazhim të jashtëzakonshëm të intelektualëve tanë që të funksionojë
sistemi i shkollimit edhe në këto troje, edhe atëherë kur kanosej rreziku i
shuarjes së tij. Kështu, për ta mbajtur gjallë gjimnazin në Hogosht se aty ku
hapet një shkollë- mbyllet një burg, udhëtonin nga Dardana profesorët: Januz
Sylaj, Faik Shkodra, Izet Surdulli, Zekë Jusufi, Xhavit Kryeziu e shumë të
tjerë, të angazhuar deri në shkallën e sakrifikimit vetëm e vetëm në interes të
dritës e diturisë liridashëse kombëtare. Pikësynim i tij ishte ligjërimi i
qartë, komunikimi i drejtpërdrejtë me nxënës e studentë në përvetësimin e
njohurive e shkathtësive të reja dhe aplikimin e tyre në jetë. Me Xhavitin
njihemi që nga fëmijëria. Jeta e të gjithë nxënësve, studentëve, dhe
intelektualëve të Roganës, në moshën tonë të bardhë, thuaja s´e ishte e njëjtë.
Xhavitin e njoh si poetin më serioz të Roganës. Si nxënës i Normales në Gjilan,
në vitet 1962 – 1965, Xhaviti kishte të botuara rreth 20 poezi në gazetat dhe
revistat e kohës si: "Flaka e Vëllazërimit", "Zëri i
Rinisë", „ „Rilindja“ etj. Përplasjet e dallgëve të jetës janë trazira të
paparashikuara. Gjuha, kultura, arti, krijohen duke jetuar. Frymëzimet nga
historia jonë monumentale, nga dita në ditë po bëheshin pjesë e jetës së
jetuar. Zinxhirët e mentalitetit osman shtrëngonin nga brenda, të mos lëvizej
përpara, këtë e mëtonte dhe armiku, që vëzhgonte nga afër çdo lëvizje të
fshatit dhe qytetit të Kosovës. Fryma e së përjetshmes, edhe pse e pa frymë,
mbetet e pandalshme. Xhavit Kryeziu, u ngrit bashkë me zinxhirët e kohës nëpër
këmbë, të mbushë mendjen e shpirtin e tij me dije. Dhe ashtu ndodhi. Formimi i
një intelektuali, shkrimtari, publicisti, do kohën e vet të domosdoshme. Ne
ishim si lulet e egra të shkëmbit më thotë Xhaviti. Varfëria ishte mur i
trashë, dhe herë-herë e papërballueshëm. Xhavit Kryeziu u lind më 24. 4. 1943
në Roganë, të Dardanës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Normalen në
Gjilan (1965), ShLP-në, Dega e Gjuhës e Letërsisë Shqipe, në Prizren (1968),
fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, ndërsa magjistroi në
Fakultetin e Mbrojtjes ( të ashtuquajtur ), Popullore. Shkrimtari, Xhavit
Kryeziu, ka kohë që merret me krijimtari, dhe është njohës i mirë i gjuhës
shqipe. Ai deri më tash ka botuar këto libra ; 1 . Shkolla fillore "Metush
Krasniqi" e Roganës, 1945 - 2000, me bashkautor, botuar me 2001 (300
faqe). 2 . Shkolla fillore "Metush Krasniqi" e Roganës, 2000 - 2005
(II), me bashkautor, Gjilan, 2006 (216 faqe). 3 . Pishtarët e shkollave shqipe
në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006 (126 faqe). 4 . Pishtarët e shkollave
shqipe në Dardanë (Kamenicë) II, Gjilan, 2007 (102 faqe). 5 . Gjimnazi Ismail
Qemali i Kamenicës (1964- 2007) -I-" Gjilan, 2009 – Monografi, ndërsa në
librin e fundit: "Peizazhet e Fjalës", 2011, (155 faqe) trajtohen
çështje nga: gjuhësia, letërsia dhe historia. Dr. Zeqir Demi lidhur me një
monografi të Xhavit Kryeziu shkruan: "Brendia eksplikative e veprës, pyet
për brendinë e njeriut dhe brendinë e kombit dhe njëkohësisht zbulon me
stilistikë simbiozitetin e kombit me arsimin për t'i prekur në rrafshin e
hapësirës së lirë kombëtare". Të gjitha këto vepra janë dëshmi e pasionit
të tij, për librin, për krijimtarinë,dhe letërsinë. Në këto 1 mijë e dyqind
faqe monografi, vetautor, dhe me bashkautorë, shkrimtari Xhavit Kryeziu, tregon
përkushtimin e tij për të kaluarën, për të tashmen, dhe të ardhmen e popullit
të tij. Në monografitë e Xhavit Kryeziut, janë me qindra figura të prezantuara,
nga urtësia e tij prej krijuesi. Monografitë janë libra kundër harresës, dhe që
ruajnë të shkruar shpirtin e kohës për studiues dhe trashëgim të kujtesës për
brezat e ardhshëm. Unë kujtoj se, ai që di ta lexoj monografinë, dhe galerinë e
pafund të figurave, ai do ta vlerësoj veprën e mirëfilltë të albanalogut,
publicistit, shkrimtarit.