| E hene, 08.09.2014, 07:10 PM |
Dy lajmet e Hoxhë Shefqetit
Nga Ali Cenaj
“Arrestohet imami Shefet Krasniqi, i dyshuar si frymëzues i ekstremizmit islam”, ishte lajmi bombë i një dite më parë.
“Lirohet Shefet Krasniqi” thoshte pas pak lajmi tjetër. Të dy të përcjellë me emocione diametralisht të kundërta. Kush sa u gëzua e kush sa u hidhërua me lajmin e parë e kush sa me lajmin e dytë, është vështirë të thuhet, por sigurisht se dje ka pasur shumë të gëzuar e të hidhëruar në shoqërinë shqiptare si asnjëherë ekstremisht e polarizuar.
Pranvera Abazi, 30-vjeçarja nga Prishtina, që tash e sa kohë kërkon t’i kthehet djali i saj, Erioni 8-vjeçar, të cilin bashkëshorti i saj, Arbeni, kur shkoi në Siri për të luftuar në kuadër të ISIS-it, e kishte marrë me vete pa lejen e saj, padyshim se është gëzuar me lajmin e parë.
Ajo përlotet kur fëmijën e sheh në Siri në shoqërinë e luftëtarëve të ISIS-it dhe fajëson bashkëshortin e të gjithë frymëzuesit e rekrutuesit e atyre që shkojnë në lufta të huaja, aq më keq duke marrë edhe fëmijët dhe kërkon me dëshpërim që t’i kthehet djali i saj të vetëm. E Erioni 8 vjeç duhej të niste klasën e tretë javën e shkuar, por fëmija në vend që të ulet në bankë me shokët e shkollës, ai shihet me të tjerë fëmijë dhe me luftëtarë të rritur, me gishtin lart – shenjë që Zoti është një – dhe me flamurin e zi me do shkrola të ISIS-it.
E gëzuar mund të jetë ndjerë edhe Remzie Sefa, motra e Faton Sefës, i vrarë kohë më parë gjatë luftimeve në Siri, e cila publikisht, për vrasjen e vëllait të saj, akuzoi Lëvizjen Islamike për Bashkim (LISBA) dhe liderin e saj, Fuad Ramiqin, gjatë një proteste të kryesuar nga ky i fundit.
Ndër më të shqetësuarit me arrestimin e Krasniqit, që mund të pasohej me arrestime tjera, duket se është ndjerë vetë Ramiqi dhe kompania e tij që, tash kur janë masivizuar mjaftueshëm falë pasivitetit dhe koketimit të vetë shtetit, që vite me radhë me filozofinë e gomarit “Bane Zot ëndërr..” ka bërë një sy mbyllur me ekstremistët që po shtoheshin, madje morën guximin të sfidojnë shtetin me kërcënimin hapur se nëse vazhdojnë arrestimet “nuk do të rrinë më duarkryq”.
Ramiqi, me guximin e oficerit të karrierës në ushtri e lufta të huaja, shtetit të Kosovës ia përplasi dorezën në fytyrë. E tha haptas se nëse vazhdojnë arrestimet do të kenë punë me të dhe armatën e të rekrutuarve nga ai vite me radhë për projektin e Kosovës aziatike.
Dhe, askush asgjë. Asnjë reagim. Ministri në largim hesht. Kryeministri ka punë të tjera.
“Shteti e zë lepurin me qerre...” do të thotë dikush. Dhe mund të jetë e vërtetë, në ndonjë vend tjetër konstitucional, por në Kosovë vështirë. Qerrja e Kosovës, tashmë po shihet: se zë dot as breshkën e lërë më lepujt.
Deri atëherë “trimat” e rekrutuar në Siri do të na befasojnë ne dhe opinionin ndërkombëtar me skena bizare të prerjes së kokave dhe “selame” se së shpejti këso skenash na presin edhe në Kosovë. Jo në frontin e ngrirë me Serbinë, apo në ndonjë front që mund të hapet, por për shqiptarët që nuk mendojnë si ta dhe, aq më keq, këtë marrin guximin ta shfaqin publikisht.
Ndërkohë, matrapazë të ndryshëm, gjoja nën mbrojtjen e islamizmit që qenka i rrezikuar në Kosovën gati qind për qind islame, do t’u lejohet përhapja e urrejtjes ndërfetare mes shqiptarëve. Një shërbim i mirë për armiqtë jo të paktë, për të rrënuar një nga vlerat më të qëndrueshme të këtij populli, harmoninë ndërfetare që ka qenë vlerë e pamohueshme.
Deri atëherë, lajmeve si këto një ditë më parë, për arrestime e lirime, sekush do t’u gëzohet e sekush t’u hidhërohet. Cilët janë shumica, të hidhëruarit apo të gëzuarit vështirë të dihet në këtë shoqëri që për çudi po shpërfytyrohet.
Nëna e Erionin 8-vjeçar, që shihet mes disa fëmijëve e luftëtarëve të ISIS-it, dhe Remzia, motra Faton Sefës, që la rrashtën në do lufta e vende të huaja, kanë të drejtë të hidhërohen e të gëzohen dhe të dinë çka po ndodh kështu.
Si mund ta arsyetojnë këtë çmenduri hoxhë Shefqeti, tashmë në liri, por edhe Mavriqi e kreu i BIK-ut, Naim Terrnava, që tash po shitet si i painformuar për çfarë ka ndodhur dhe po ndodh me Bashkësinë Islame që ai drejton. Cili ajet kuranor apo hadith thotë që fëmija tetëvjeçar të ndahet nga nëna e të çohet në zjarrin e luftës?