Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbana Xharra: Matrapazët në panik

| E hene, 08.09.2014, 07:33 PM |


Matrapazët në panik

Nga Arbana Xharra

Shenjat e panikut shfaqen në mënyrë të pakontrollueshme, ato karakterizohen me forma të ndryshme, dridhje të papritura trupi, rrahje të shpeshtuara të zemrës, djersitje etj. Madje në kriza shumë më të rënda paniku shfaqet edhe me ndjesi shtrënguese në gjoks, apo edhe me vështirësi në frymëmarrje. Njeriu në këtë fazë sikleti lehtësisht është i vrejtshëm, sepse ai nuk mund të kontrollojë sjelljet e tij.

Simptomat e shumta të krizës së panikut të përshkruara në definicionin e kësaj gjendje të rëndë emocionale, këto ditë na shfaqen me të madhe nga përbërësit e skenës politike. Edhe pse nuk mund ta dimë sesi e bëjnë ata gjumin natën, djersitjen nga frika apo sikletin e brendshëm që kanë, por sjelljet, veprimet, gjuha e gërditshme e tyre, janë argumente të bollshme për zorin që i ka kapluar nga paniku se mund të humbin gjithçka, apo për të tjerët që rrezikojnë të mos i provojnë të mirat e pushtetit.

Fatkeqësisht ky ambient politik ka nisur të përcillet me shantazhe publike, gjuhë fyese, sharje të nivelit më të ulët, paedukatë, injorancë, që po transmeton një gërdi të llojit të vet. Pasqyrë kjo që reflekton një mentalitet të prapambetur politik, mendësi kriminale, gatishmëri për të shkelur mbi çdo normë etike dhe morale. Madje edhe raportimi i mediave dhe gazetarëve mbi të bëmat e tyre si asnjëherë më parë, është duke u përcjellë me fyerjet që kalojnë çdo kufi, dhe jo vetëm nga partia në pushtet. Ata janë etiketuar, gazetarë të SHIK-ut, gazetarë kuçkë, motrat e gazetarëve, opinionistë të shitur, media shatazhuese e çfarë jo tjetër...

Nga të gjitha subjektet politike kemi transmetim të panikut nga pasiguria për qëndrueshmërinë e tyre politike që kryesisht ka të bëjë me frikën e humbjes së pushtetit që u ka sjellë fuqi enorme financiare. Njëkohësisht edhe të krahut tjetër politik me pasigurinë, se nëse u rrëshqet nga duart edhe ky shans për të ardhur në pushtet, zhvillimet do të ndryshojnë edhe fatin e tyre politik.

Në momentet më të ndjeshme të tyre politike, si asnjëherë më parë, kemi shpalosjen e arrogancës me sjellje deri në denigrim të fundit, duke u shndërruar kështu në palaço të skenës politike.

Nuk ka më fshehtësi publike, gara e pakompromis politike për arsye biznesore dhe pushtet rrezikon të kalojë çdo kufi. Interesat e tyre kanë avancuar deri në moskontrollimin jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe të klaneve brenda vetë partive më të mëdha në vend. PDK-ja dhe LDK-ja që deri më tash janë kamufluar, gjoja nuk kanë grupe brenda partive të tyre, ka rrezik të katandisen si mos më keq.

Panikuesit kanë nxjerrë në gjah “hienat” e tyre. Njëkohësisht është aktivizuar edhe kategoria e rrugaçëve që presin krizat e tilla politike për të përfituar ndonjë “govatë mishi” duke bërë pazare nën tavolinë. Dhe normalisht se në këtë ambient politik, edhe kësaj kategorie i janë hapur dyert, në dispozicion të të cilëve vihen qese me para edhe pozita të larta.

Të dehur nga babëzia e paparë ndonjëherë në këtë vend dhe të prirë që krejt fëlliqësitë t’i fshehë nën maskën e “miqësisë me ndërkombëtarët”, po na japin argument se shumicën prej tyre i bashkon një gjë e pështirë: mentaliteti i njëjtë politik.

ZERI.INFO