| E premte, 05.09.2014, 07:45 PM |
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e IV
FESTIVALI I GJINOKASTRES
SHEMTUES I KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTAR
Vazhdon letra...
Grueja shkodrane, me atë veshje madhshtore të saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky jo me tirqi të bardha, qi asht veshja e pergjithëshme e Maleve të Veriut të Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur si grueja që zavendsoi ragjen në brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky, zavendsoi shallvarët cohe të kuqe me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me brez mëndafshi me ngjyra. Veshi anteri kumashi të kuq me vija të zeza të qendisun me tehri. Në parzem të burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me perrreth sumbullat e mëndafshta vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të kapakëve të anterisë. Në qafë qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të mëndafshët të zezë, të lidhun flutur, të cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë e shtrime perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehri e lule dhe në buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të arta mëndafshi ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me xhufkë që derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye (tanuz), gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth qafës dhe revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.
Kjo veshje e grues dhe e burrit fillim e mbarim kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë bukuri stolinash asht njoftë e vlersue në shkrime e botime europjane si në Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik e Romë të shetinave shkodrane të hershme e të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë per veshje kombtare, kerkoheshin e punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi shkodranë si, po permendi ata ma në za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e kanë folë edhe në moshen e tyne madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston të Amerikës, asht njoftë veshja e grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit Kini i Mati Kokës, i vuem, si thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në mbrojtje të tij nga frika se mos e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me themelimin e Kishës Autoçefale Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen shqipe, nga ajo greke të propagandës së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir grek.
Ajo grue e hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen e saj shkodrane si në paraqitjet, në pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta shtëpijet asht qitë në fotografi nga fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht perhapë me kartolina të shtypuna të Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash vonë në nji botim të nji artikulli të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten “Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me emertim “Zivot i obi?aji Arbanasa” (Jeta dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me veshjen e grues shkodrane.
Si para tij asht edhe në botimet e permenduna të konsujve të Francës së Shkodres Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith Durham, të austriakut Theodor Ippen e të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me atë veshje të grues shkodrane madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash të mëndafshta e të arta, gratë e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të dalin në fotografi të Atelierit fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu
në
Janë per t’ u kujtue per punen e artit të tyne të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba, Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka, Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun ky me puntorët në kartolina nga fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në dugajtë e tyne të qytetit per veshjet e grave dhe të burrave.
Në Pazarin e 2000 e sa dugajve per veshjet e Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i quejtun i “Tallaganxhijëve”, ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani, Kolë Bazhdari, Simon Kadarja, qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me vjerrshat e tija në të perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët per vathë e unaza, bylyzykë e stolina të parzmave të grave, çibukë, zinxhir sahatash, doreza armësh, kutija duhani e cingarishte me të tjera filigrane, si në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci, Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të veshjes shkodrane, tue pa të persëritun lanjen e saj mbasdore me Albumin e Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e shemtueme në këte çfaqje Festivali Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij vjeti 1978.
Me shpresë se interesimi i Juej, si drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë ma, të persëritet ma ajo paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë të shemtueme,
me nderime ju pershndes,
Gjon Kamsi (firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114
Shenim nga F. Radovani: Letra asht kopjue pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Theksimi në fund asht ba nga ana ime.
Botohet
nga FR,